PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Akti i martesës

Çfarë do të thotë të nënshkruash aktin e martesës?

Në përgjithësi, dita kur çifti vendosin kurorë dhe nënshkruhet akti i martesës, shihet si një ditë e lumtur, të gjithë janë të gëzuar, shpërndahen ëmbëlsira etj... pasi në të vërtetë është ditë gëzimi.

Dita kur dy të fejuar vendosin të lidhin jetën me njëri-tjetrin, duke e kryer aktin e martesës është një ditë e rëndësishme.

Duke e pranuar të fejuarën si bashkëshorten tënde, ti o vëlla i jepet besën jo vetëm familjes dhe prindërve të saj, por edhe Zotit të madhëruar. Ajo vajzë bëhet bashkëshortja jote, sipas fjalëve të Zotit dhe traditës profetike. Kështu, kur ti pohon se e pranon atë si bashkëshorte, i jep besën Zotit se do e trajtosh mirë.

Në vende si Egjypti, Siria, Libani etj... është bërë zakon që pasi të nënshkruhet akti i martesës, babai i vajzës i thotë dhëndërit:”O filan! Po t’a lë amanet vajzën time!”

Kur të thuash që e pranoj filanen si bashkëshorten time, në bazë të Librit të Zotit dhe traditës së Profetit, kije parasysh këtë dhe mos e harro sa të kthesh shpinën.

Fjalët “në bazë të librit të Zotit” do të thonë që do e trajtosh bashkëshorten tënde, sipas porosive të Zotit në Kuran.

Një nga këto porosi në Kuran, është:”Jetoni e silluni mirë me to!” (Nisa 19)

 

 Nëse dëshiron që akti i martesës të jetë sipas librit të Zotit, atëherë duhet të sillesh mirë me bashkëshorten tënde, t’a respektosh dhe nderosh.

 

Vallë sa të shumta janë ato martesa ku burrat i kanë keqtrajtuar gratë? A mendojnë këta burra se do të dalin një ditë para Zotit dhe të japin llogari? Vallë çfarë do të thotë ajo dorë që i ka dhënë dorën babait të vajzës duke i thënë:”E pranoj vajzën tënde për bashkëshorte, sipas librit të Zotit dhe traditës profetike?”

 

Thotë Zoti në Kuran: ”Jetoni e silluni mirë me to!” (Nisa 19)

 

Dhe kjo nuk do të thotë vetëm që të mos e lëndosh dhe sillesh keq me bashkëshorten, por edhe t’a durosh atë në rast se të lëndon. Të durosh gabimet e saj, nervozizmin etj...

 

 Shembulli dhe modeli yt më i mirë në këtë rast është i dërguari i Zotit a.s. Ndodhte që ndonjë nga gratë e tij e braktiste shtratin ku flinte me Profetin a.s, megjithatë ai duronte. Ato i kërkoni të holla për të shpenzuar, shumë e cila ishte mbi mundësitë e Profetit a.s, megjithatë ai duronte. Kishte prej tyre që xhelozoheshin dhe Profeti a.s përsëri i duronte. Madje, jo vetëm që i duronte, por shpesh herë u fliste dhe me fjalë përkëdhelëse me qëllim që t’a qetësojë dhe t’i bëjë qejfin.

 

Kurse përsa i përket traditës profetike, thotë Profeti a.s:”Më i miri prej jush, është ai që sillet më mirë me familjen e tij.”

 

“Gratë, nuk i nderon veçse një fisnik dhe nuk i dhunon veçse një i lig.”

Ky është koncepti që islami ka për gruan dhe bashkëshorten. Atëherë, si mund të thuhet që islami e ka dhunuar, diskriminuar dhe poshtëruar femrën? Vallë ku mund t’a gjejmë tjetër një ligj dhe kushtetutë që e nderon dhe respekton femrën, siç bën islami?

 

Thotë Zoti në Kuran mbi dhuratën e martesës, e cila nuk duhet të kërkohët sërish nga bashkëshorti në rast divorci:”A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?! Si do t’ia merrnit atë dhuratë, kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?” (Nisa 20-21)

 

“ju i jeni dhënë njëri-tjetrit” shprehet me foljen “efda” gjë e cila i çon ndërmend bashkëshortit ditët më të bukura që ka kaluar me këtë grua.

 

 

 

Gjithashtu, ajeti i mësipërm e quan aktin e martesës si besë të fortë.

Fjalët “besë e fortë” janë përmendur vetëm tre herë në Kuranin famëlartë. Herën e parë është përmendur për profetët. Thotë Zoti në Kuran:” Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë të rëndë.” (Ahzab 7)

 

Herën e dytë përmendet për hebrenjtë, ku thotë Zoti i madhëruar:”dhe morëm nga ata një besë të fortë. (Ne i mallkuam ata) për shkak të shkeljes së besëlidhjes nga ana e tyre..” (Nisa 154-155)

Kurse për herë të tretë, besa e fortë përmendet në kontekstin e lidhjes bashkëshortore, përmendet për të martuarit.

Vallë cilit model do t’i përmbahesh o vëlla? A do i përmbahesh modelit të profetëve të cilët e mbajtën këtë besë të rëndë, apo do i përmbahesh modelit të hebrenjve të cilët e shkelën besën? Ai njeri që e shkel këtë besë, padyshim që do jetojë në vuajtje dhe mundim. E si mund të jetojë i lumtur, një njeri që ka fituar zemërimin e Zotit?

Të njëjtat fjalë vlejnë dhe për ty o motër. Në atë çast që do të pyetesh nëse e pranon filanin për bashkëshort, do të përgjigjesh “Po” dije se kjo besë e rëndë vlen dhe për ty.

Një ditë, Aisheja vajti tek i dërguari i Zotit dhe i tha:”O i dërguari i Zotit! Burrat marrin pjesë në xhihad dhe për këtë shpërblehen. Kurse ne gratë jemi privuar nga një shpërblim i tillë.

Profeti a.s ia ktheu:”Dije o Aishe se respekti dhe sjelljet e mira të gruas kundrejt burrit, janë të barasvlershme me xhihadin.”

Duke qenë se në shumë martesa dhe lidhje gruaja nuk e gjen burrin të cilin ëndërronte, me durimin, respektin dhe sjelljet e mira, ajo fiton shpërblimin e xhihadit. Nëse dëshmori vritet një herë, një bashkëshorte e tillë e fiton shpërblimin e dëshmorit çdo ditë.

Mënyra e aktit të martesës dhe vendi.

Edhe pse akti i martesës shihet si një besë e fortë dhe e rëndë, forma sesi kryhet ky akt është shumë e lehtë. Dy janë fjalët që e lidhin këtë akt të rëndësishëm:”T’a jap vajzën për bashkëshorte” që e thotë babai i vajzës dhe “e pranoj” që e thotë i fejuari i saj.

Ajo që deri pak sekonda më parë ishte haram, me këto dy fjalë kthehet në hallall.

Në islam nuk ka shumë rëndësi se ku kryehet akti i martesës, xhami apo shtëpi. Unë personalisht do të uroja që xhamitë tona të gumëzhinin nga njerëz që vijnë për aktin e martesës. Në këtë mënyrë, ne i kthejmë xhamisë rolin dhe misionin e saj, mbledhjen e njerëzve dhe forcimin e lidhjeve mes tyre.

Gjatë ceremonisë së aktit të martesës është e pëlqyeshme të mbahet një fjalë e shkurtër, me qëllim që çiftit të ri t’u rikujtohet rëndësia e martesës dhe njëkohësisht të kujtohen që akti i martesës është një besë e fortë, që i jepet secilit por dhe Zotit të madhëruar.

Edhe pse akti i martesës shihet si një besë e fortë dhe amanet, kjo nuk e mohon faktin që njerëzit dhe çifti të jenë të gëzuar. Sigurisht që ata duhet të gëzojnë dhe të ndihen të lumtur. E rëndësishme është që ata të jenë të ndërgjegjshëm mbi përgjegjësitë dhe obligimet që i presin.

Nijeti

Valli cili është nijet yt me martesën o vëlla dhe o motër? Përse po martoheni?

Përgjithësisht, kur i pyet të rinjtë muslimanë mbi qëllimin dhe nijetin me martesësn, përgjigjen të gjithë me frymë fetare. Por nuk ka asgjë të keqe që nijeti me martesën të jetë dhe të ndihesh i lumtur dhe i qetë.

Një nga nijetet është dhe të ruhet nderi, të ndërtohet një familje mbi baza islame dhe morale, familje e cila i bindet Zotit dhe porosive të Profetit a.s, të ndihmohet dhe përkrahet feja e Zotit. Islami nuk mund të triumfojë me familje të rrënuara dhe të përçara. Islami kërkon familje të lumtura, të gëzuara dhe të konsoliduara.

Një herë kur po bisesoja me një të ri mbi rëndësinë e nijetit në martesë, ai më tha:”Nijeti im është realizimi i fjalëve të profetit Musa a.s ku thotë:” Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, dhe shndërrojini ato në faltore..” (Junus 87)

Shdërrimi i shtëpive në faltore, nënkupton që ato të bëhen qendra ku të tjerët i synojnë për të shtuar besimin dhe për të gjetur qetësi shpirtërore. Në këto shtëpi lexohet Kurani bashkërisht, lexohen libra fetarë, mbahen ligjërata, përmendet Zotit etj... Ç’mendon o vëlla dhe o motër që shtëpia juaj të jetë objektiv nga të gjithë besimtarët që dëshirojnë t’ju shtohet besimi?

Asnjë kompani biznesi nuk e fillon punën pa plan dhe strategji të thurrur më parë. Përse duhet që martesa, e cila është shumë më e rëndësishme se ç’do kompani apo aktivitet tjetër, të fillojë pa plan dhe objektiva të qarta?!

Dhurata martesore.

Shumë familje kërkojnë shuma marramendëse si dhuratë martesore për vajzat e tyre. Ata i caktojnë shumat sipas cilësive dhe karakteristikave të vajzës. Sa më e bukur të jetë vajza, sa më e pasur dhe e famshme të jetë familja e saj, aq më e shtrenjtë është dhe dhurata martesore që i kërkohet dhëndërit. Kjo do të thotë që vajzën tënde po e trajton thjesht si një mall, si gjithë mallrat e tjerë, të cilin e blen ai që paguan më shumë.

 

 

 

Dhurata martesore në islam shihet si diçka simbolike për t’a vlerësuar bashkëshorten. Por nëse do të flisnim me llogjikën e të hollave, vallë a do të mjaftonin të hollat e kësaj bote për t’a vlerësuar atë si bashkëshorte dhe nënë fëmijësh?! Kush pranon të jetojë me një person tjetër të panjohur thjesht për para? Sa më shumë që të kërkosh për dhuratë martesore, aq më shumë ia ul vlerat vajzës tënde dhe e kundërta, sa më pak të kërkosh për vajzën tënde, aq më shumë ia shton vlerat. Për këtë Profeti a.s thotë:”Sa më e vogël të jetë dhurata martesore, aq më i madh do të jetë bereqeti i gruas.”

 

 

 

Një fakt tjetër që i nxit prindërit të mos kërkojnë dhuratë martesore të madhe, është nëse dhurata e martesës është e madhe, atëherë vajzën tënde nuk do e kërkojnë veçse të rinj që rrjedhin nga familje të pasura, por që nuk i përshtaten vajzës në morale, edukatë, formim, arsim etj... Në të tilla raste, ose do të pranohet martesa me dikë që nuk i përshtatet vajzës dhe do të ketë probleme, ose do të refuzohet, duke e mbajtur vajzën në shtëpi.

 

 

 

Thotë Profeti a.s në lidhje me kriterin e përzgjedhjes së bashkëshortit për gratë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i besueshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”

 

 

 

Si mund të jetojë i lumtur një çift që janë lidhur në bazë të kriterit të pasurisë? Duke vuajtur ata, do të vuajë familja dhe do të vuajë e gjithë shoqëria. Po ashtu, vuajtje është nëse vajza nuk gjen dot një të ri që i përshtatet nivelit të saj intelektual, arsimor, shoqëror, por edhe material.

 

 

 

Prandaj dhurata martesore është diçka simbolike, pasi kurrë nuk mund të vlerësohet bashkëshortja me para.

 

 

 

Mos prano kurrë o baba dhe o nënë që vajza juaj të shitet me para. Mos u ndikoni nga fakti që kushërira apo shoqja e saj është martuar me filan shumë të madhe, si dhuratë martesore. Nuk ka përse të mburresh me shumën e madhe që dhëndri ka paguar për vajzën tënde. Thotë Zoti në Kuran:”Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” (Nisa 36)

 

 

 

Mes babait dhe bashkëshortit

 

 

 

Një problem që haset pas aktit të martesës deri në ceremoninë e martesës është dhe fakti se kujt duhet t’i bindet vajza, babait apo bashkëshortit të saj. Në shumë raste vajza ndodhet mes dy zjarreve, mes urdhërave të babait i cili përpiqet t’i kufizojë daljet e saj, dhe të shoqit i cili tashmë e sheh atë si bashkëshorten e tij dhe kërkon të ushtrojë pushtetin që i garanton martesa. Vallë kujt duhet t’i bindet ajo, bashkëshortit apo babait të saj?

 

 

 

Përderisa vajza vazhdon të banojë në shtëpinë e të atit, ajo duhet të respektojë dhe t’i bindet vullnetit të tij. Unë të kërkoj ty o vëlla që sapo ke kryer aktin e martesës që të jesh i arsyeshëm me bashkëshorten tënde. Mos e detyro atë të marrë vendime të sikletshme dhe të vështira, sidomos në çështje që kanë të bëjnë me prindërit e saj. Veç kësaj, të kërkoj të sillesh me edukatë dhe mirësjellje. Nuk ka shumë kohë që ti i dhe dorën vjehrrit tënd dhe i premtove se do e respektosh vajzën e tij.

 

 

 

Xhelozia e prindërve.

 

 

 

Shumë të rinj nuk e dinë ose e injorojnë një fakt shumë të rëndësishëm në lidhjet e tyre me prindërit. Sidomos pak aktit të martesës, shumë prindër bëhen xhelozë dhe për këtë kanë një farë të drejte. Tashmë, djali i tyre i vetëm apo vajza, që janë rritur në prehërin e tyre, do të bashkohet me dikë tjetër dhe do të krijojnë një familje të re. Shumë nga këta prindër, sillen në mënyrë shumë të çuditshme gjatë kësaj periudhe. Ata mund të sillen ashpër me dhëndërin/nusen për shkak të xhelozisë.

 

 

 

Ajo që kërkohet nga çifti i ri, është që të përpiqen të përcjellin tek prindërit ndjenja që ata nuk janë ndarë prej tyre, ata janë përsëri ata që kanë qenë, i duan dhe i respektojnë. Djali duhet të përpiqet që prindërit e bashkëshortes së tij të mos ndihen të braktisur, të injoruar dhe të shpërfillur. Po ashtu, vajza duhet të përcjellë mesazhe tek vjehrri dhe vjehra e saj, mesazhe që konsistojnë në faktin se djali i tyre vazhdon të jetë ai që ka qenë dhe se ajo nuk po ua rrëmben. Ai do i dojë, respektojë dhe do u bindet siç bënte më parë.

 

 

 

Për këtë, unë i këshilloj të sapomartuarit që t’u bëjnë atyre dhurata, të interesohen, t’i respektojnë dhe duan, me qëllim që t’a zbusin këtë xhelozi.

 

 

 

Zënkat dhe konflitet mes fëmijëve dhe prindërve gjatë kësaj periudhe nuk janë të pakta.

 

 

 

Me këtë rast, unë dua t’ju drejtohem dhe prindërve. Mos ia lejoni vetes o prindër që xhelozia t’ju verbojë! Ti duhet të vazhdosh të jesh babai shok dhe nëna shoqe e fëmijëve tuaj.

 

 

 

Natyra e kësaj faze.

 

 

 

Tashmë ti o vëlla dhe o motër keni vënë kurorë dhe gjithçka që u ndalohej më parë u lejohet. Ti o vëlla ke të drejtë t’a shohësh bashkëshorten tënde pa hixhab dhe çdo gjë tjetër të lejohet. Por, unë i këshilloj të gjithë ata që sapo kanë vënë kurorë (nikah) t’a kenë parasysh traditën e shoqërisë ku jetojnë. Nëse tradita nuk e lejon që bashkëshorti të flerë me bashkëshorten e tij, edhe pse tashmë kanë vërë kurorë, është mirë të respektohet tradita. Edhe pse tashmë ajo është bashkëshortja jote, duhet të respektohet tradita e vendit dhe vullneti i prindërve të vajzës. Nëse traditat dhe zakonet nuk bien ndesh me dispozitat fetare, ato janë të konsiderueshme dhe duhet të respektohen.

 

 

 

Periudha që nga akti i martesës deri në ceremoninë e martesës është periudha më e bukur dhe romantike në jetën e një çifti të ri, pasi të dy bashkëshortët janë pa përgjegjësi dhe detyrime karshi njëri-tjetrit. Tashmë, ata janë të lirë të shëtisin vetëm, të bisedojnë etj... por është mirë të respektohet tradita dhe vullneti i prindërve të vajzës.

 

 

 

Dasma, ceremonia e martesës.

 

 

 

Shumë njerëz e konceptojnë dhe mendojnë dasmën si një traditë shoqërore dhe jo si diçka të bazuar në islam. Vetë Profeti a.s, shokët e tij dhe muslimanët e parë organizonin ceremoni dasme. Qëllimi i dasmës asokohe kufizohej në dy gjëra: Grumbullimi i gjithë familjarëve dhe njerëzve të dashur dhe ushqimi.

 

 

 

Kur u martua vajza e Profetit a.s, Fatimeja, ajo qëndronte e hypur në mushkën e Profetit a.s. Mushkën e kishte kapur për kapistre Selman El-farisij, kurse nga pas i ndiqte Profeti a.s bashkë me Hamzanë, që ishte xhaxhai i Profetit a.s. Shokët e Profetit a.s dhe muslimanët kishin ngritur shpatat dhe i lëkundnin në ajër, si shprehje e gëzimit dhe haresë. Ndërkohë që gratë e kishin rrethuar nusen, Fatimen. E gjithë kjo atmosferë, shoqërohej me recitim vjershash, thënie të bukura, ilahi etj... Ata e shoqëronin nusen derisa të arrinte në shtëpi, ku ishte e shtruar dhe gostia. Atje të gjithë grumbulloheshin, ndiheshin të gëzuar dhe të bashkuar. Kështu, martesa është gëzim për vetë çiftin, por dhe për njerëzit dhe të afërmit e tyre. Ceremonitë e dasmave shërbejnë për afrimin mes familjarëve, farefisit, miqësisë dhe shoqërisë.

 

 

 

Për fat të keq, ceremonitë dasmore e ditëve tona, nuk e kryejnë këtë funksion. Në dasmat e sotme hasim katër probleme dhe të meta kryesore:

 

 

 

1 – Kërcim i shfrenuar mes të rinjve, lakuriqësi dhe degjenerim.

 

 

 

2 – Shpenzime të tepruara të pasurisë.

 

 

 

3 – Xhelozi, smirë dhe përgojim. Të gjithë të ftuarit, i xhelozojnë, ose përgojojnë çiftin që po martohen. Disa flasin mbi veshjen, të tjerët mbi makiazhin e nuses, hundën, sytë etj...

 

 

 

4 – Mburrje mes familjeve, mbi shpenzimet, veshjet dhe organizimin e dasmave të kaluara.

 

 

 

Përse duhet t’a fillosh jetën tënde bashkëshortore o vëlla dhe o motër me gjynahe? Përse ia mohon vetes bereqetin e Zotit? Ka çifte që janë divorcuar që ditët e para pas dasme, për shkak të gjynaheve që kanë ndodhur ditën e tyre të dasmës.

 

 

 

Veç kësaj, përse duhet të mbash dhe gjynahet e të tjerëve o vëlla dhe o motër? Të ftosh njerëzit në dasëm, t’u krijosh kushtet për të konsumuar alkol dhe vepruar gjëra të ulëta, do të thotë t’u krijosh kushte për gjynahe. Këto gjynahe, do të vendosen në supet e tua Ditën e Kijametit.

 

 

 

Dita e dasmës është dera e jetës familjare. Vallë si do e hapësh këtë derë, duke fituar kënaqësinë e Zotit, apo duke fituar hidhërimin dhe zemërimin e Tij?

 

 

 

Dita e dasmës është një ditë e shenjtë, pasi atë ditë do të hapet një familje dhe shtëpie e re muslimane. Ajo duhet të jetë një ditë e shënuar, ditë në të cilën arrihet dhe realizohet kënaqësia e Zotit të madhëruar. Përse të kthehet nga ditë e kënaqësisë së Zotit, në ditë të kënaqësisë së shejtanit?! Përse duhet t’a hapni derën e jetës bashkëshortore, me zemërimin e Zotit? Vallë si mund të jetohet i lumtur, kur Zoti është i zemëruar me ty që ditën e parë të martesës? Vallë si e kthen hallallin dhe dhuratën e Zotit, në haram dhe zemërim të Tij?

 

 

 

Përse u bën qejfin miqve dhe shoqërisë, në llogari të urdhërave të Zotit?

 

 

 

A nuk do të ishte më mirë që shpenzimet e shumta që bëhen për dasëm, t’ju jepeshin çiftit të ri që të udhëtonin në një vend të bukur dhe të kalonin disa ditë bashkë? Përse shumë familje zhyten në borxhe, vetëm e vetëm që dasma e djalit dhe vajzës së tyre të dalë më e bukur dhe madhështore se e filanit?

 

 

 

Ne duhet të gëzohemi në dasma, por kjo të mos na çojë të shkelim dhe thyejmë urdhërat e Zotit. Ne duhet të shtrojmë gosti, por jo të shpërdorojmë.

 

 

 

Nata e parë e martesës.

 

 

 

Në islam dhe në dispozitat e sheriatit, kjo njihet me emrin “Nata e ndërtesës.” Kjo, pasi në këtë natë ndërtohet dhe krijohet një familje e re muslimane.

 

 

 

Në këtë natë, çiftit të ri duhet t’i krijohet një atmosferë paqeje, qetësije, prehjeje, lumturie etj... dhe jo atmosferë zhurme, tollovie, alkoli... siç ndodh rëndom sot.

 

 

 

Tregon Halid ibnul Velid:”Netët më të bukura të jetës time, kanë qenë nata e martesës dhe netët që kam kaluar në xhihad.”

 

 

 

Natën që u martua Aliu me Fatimen, Profeti i tha Aliut:”O Ali! Më prisni derisa të vij unë!” Pasi erdhi, Profeti a.s i tha Aliut:”Ma jep dorën o Ali!” dhe njëkohësisht i tha dhe Fatimes:”Ma jep dorën o Fatime!”

 

 

 

Pasi i kapi të dy duart, i bashkoi ato dhe tha:”O Zot! Ky është vëllai im dhe një ndër njerëzit më të dashur tek unë. O Zot! Kjo është bija ime dhe njeriu më i dashur për mua. O Zot, ruaji këta të dy të pastër, dhe falu dhe pasardhës të pastër. O Zot, ji i kënaqur me të dy dhe jepu begati.”

 

 

 

Më pas, iu drejtua Aliut dhe i tha:”O Ali! Vendose dorën tënde mbi ballin e Fatimes dhe thuaj:”Me emrin e Zotit. O Zot! Unë të kërkoj nga të mirat e saj dhe të mirat që ia ke dhënë dhe të kërkoj mbrojtje nga të këqiat e saj dhe të këqiat që ia ke dhënë.” Më pas çohuni dhe falni dy rekate.”

 

 

 

Pas kësaj, Profeti a.s doli jashtë, mbylli derën e shtëpisë dhe tha:”O Zot! Unë t’a lë Ty amanet këtë çift.”

 

 

 

Prandaj, natën e martesës është mirë që çifti me të hyrë në dhomë duhet të:

 

 

 

1 – Falin dy rekate namaz nafile. Pas namazit:

 

 

 

2 – Bashkëshorti duhet të vendosë dorën e tij mbi ballin e bashkëshortes dhe të thotë:” O Zot! Unë të kërkoj nga të mirat e saj dhe të mirat që ia ke dhënë dhe të kërkoj mbrojtje nga të këqiat e saj dhe të këqiat që ia ke dhënë.”

 

 

 

3 – Të luten që Zoti t’ju japë berëqet dhe t’a bëjë lidhjen e tyre të begatë.

 

 

 

Kështu, shohim që islami i fton bashkëshortët e rinj që të mos nxitojnë, por fillimisht të krijojnë një atmosferë shpirtërore dhe të qetë, larg komplekseve, frikës dhe dyshimit.

 

 

 

Akti seksual, duhet të ndodhë vetëm pasi të dy bashkëshortët të ndihen të qetë. Vetë Kurani famëlartë, e përmend këtë fakt dhe thotë:“Gratë tuaja janë “ara” për ju, prandaj iu afroni “arave” tuaja si të doni. Por bëni diçka (të mirë) për veten tuaj (duke përmendur emrin e Allahut para kontaktit).” (Bekare 223)

 

 

 

Bashkëshorti duhet të tregohet i matur dhe jo i dhunshëm. Akti seksual duhet të paraprihet nga fjalë të ëmblë, përkëdhelje, ledhatime etj...

 

 

 

Shkrirja mes dy bashkëshortëve do të vijë gradualisht vetëm nëse natën e martesës përdoret çelësi i lumturisë bashkëshortore, mbi të cilin folëm më lart. 

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an)