PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Cilësitë e shokut të jetës

Këtë temë e shohim me rëndësi sidomos për të rinjtë dhe të rejat që kanë ndërmend të martohen së shpejti. Ashtu siç është e rëndësishme për prindërit, të cilët kanë fëmijë për të martuar.

Zgjedhja e shokut të jetës kalon në katër faza:

 

 

 

1 – Përcaktimi i cilësive dhe karakterit të shokut të jetës.

 

2 – Si do e kërkosh shokun e jetës?

3 – Këshillimi, mbledhja e informacionit dhe falja e istihares.

 

 4 – Pëlqimi i familjes.

 

Siç e shohim dhe më lart, faza e parë është caktimi i cilësive dhe karakterit të vajzës apo djalit. Cilat janë ato kritere që kërkon tek bashkëshortja jote e ardhshme? Si e dëshiron bashkëshorten tënde? Po ti o motër, si e dëshiron bashkëshortin tënd?

 

E veçanta qëndron në atë që familja ishte institucioni i parë të cilit iu ngarkua ky mision, ai i zbatimit të ligjeve të Zotit mbi tokë. Ky mision dhe obligim kaq i rëndësishëm dhe madhështor, iu ngarkua një burri dhe gruaje të martuar, Ademit dhe Havasë. Obligimi i parë nga Zoti, ishte për këtë familje. Gjithashtu, sihariqi dhe përgëzimi i parë me xhenet, ishte për këtë familje. “Bano ti dhe gruaja jote në xhenet..”

Duke krijuar familje dhe plotësuar misionin e ngarkuar, ti o vëlla dhe o motër e shtoni devotshmërinë ndaj Zotit të madhëruar.

 

 

Mos u marto o vëlla dhe o motër thjesht se të gjithë martohen. Mos u marto vetëm për të thënë që je i martuar, por martohu me synimin e përmbushjes së misionit që je ngarkuar.

Kriteret e të rinjve për shokunshoqen e jetës.

Të rinjtë dhe të rejat kanë kritere të ndryshme, përsa i përket shokut dhe shoqes së jetës. Disa prej tyre nuk e dinë se si e duan, thjesht thonë që dua të jetë e mirë. Ka disa prej tyre që shoqen e jetës e duan të ndjekë modën, të jetë elegante, e shoqërueshme dhe e hapur, fjalë ëmbël, shumë e bukur etj...

Kurse kriteret e të rejave, janë të tilla si jonevrik, të veshur mirë, i hijshëm, i kulturuar, ambicioz, të më dojë dhe të më mbajë pranë, të jetë i pasur, të ketë makinë të mirë, të mos jetë koprac etj...

Prej të rinjve ka dhe fetarë të cilët si kriterin më kryesor kanë fenë dhe përkushtimin në fe. Pas këtij kriteri, shumë prej tyre kërkojnë dhe bukurinë e saj.

Nga të rinjtë fetarë, ka të tillë që kriterin e parë dhe të fundit kanë përkushtimin e vajzës në fe. Ata pohojnë se asgjë tjetër nuk ka rëndësi, pas këtij kriteri.

Kriteret që ka caktuar i dërguari i Zotit.

I dërguari i Zotit a.s, thotë mbi kriteret në bazë të të cilave bëhet një lidhje martesore:”Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, tu mbushshin duart me dhe!”

Këto janë katër kriteret më të përhapura mes njerëzve, në përzgjedhjen e shoqes së jetës. Këto kritere janë bukuria e vajzës, pasuria e saj, farefisi (familja) dhe përkushtimi i saj fetar.

 

Kështu, ka njerëz që kriterin kryesor në përzgjedhjen e bashkëshortes kanë bukurinë e saj. Asgjë tjetër përveç bukurisë nuk i hyn në sy. Ka të tjerë që bashkëshorten e duan të pasur dhe të një rangu të lartë, të tjerat nuk kanë rëndësi. Dikush tjetër e kërkon të rrjedhë nga një fis i dëgjuar dhe me famë. Kurse ka të tjerë që duan që ajo të jetë e përkushtuar dhe e lidhur me Zotin.

 

Pasi i përmend kriteret më të përhapura, Profeti a.s thotë:” Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe.”Nëse nuk kërkon dhe merr atë vajzë që është e përkushtuar në fe, dije se nuk ke fituar por ke humbur. Mbushja e duarve me dhe, është simbol i humbjes. Nëse ti o vëlla nuk e zgjedh bashkëshorten të përkushtuar në fe, dije se ke humbur. Nëse ti o motër nuk e zgjedh bashkëshortin të përkushtuar në fe, dije se ke humbur.

Hadithi i mësipërm nuk është hadithi i vetëm që flet mbi kriteret e përzgjedhjes së bashkëshortes. Hadithet që flasin mbi këtë çështje janë të shumtë. Thotë Profeti a.s në një nga këto hadithe:”Kjo botë është kënaqësi dhe kënaqësia më e madhe është një bashkëshorte e ndershme.”

 

Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër..” (Bekare 201)

 

 Dijetarët thonë se të mirat e botës tjetër janë në xhenet. Kurse mbi të mirat e kësaj bote, thonë se për burrin është gruaja e ndershme dhe për gruan burri i ndershëm.

Thotë Profeti a.s në lidhje me kriterin e përzgjedhjes së bashkëshortit për gratë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i besueshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”

 

 

Të zgjedhësh një vajzë të përkushtuar në fe, nuk është vetëm një porosi dhe këshillë profetike, por edhe nga vetë përvoja e jetës, është vërtetuar se ajo që të fal më shumë lumturi dhe qetësi shpirtërore, është një grua e përkushtuar në fe dhe e ndershme. E njëjta gjë vlen dhe për femrën në përzgjedhjen e bashkëshortit të saj, i cili duhet të jetë i përkushtuar në fe.

 

Një prind, vajti tek një i ditur dhe e pyeti:”Kujt duhet t’ia jap vajzën time?”

 

 

I dituri iu përgjigj:”Jepja një fetari, pasi nëse do e dojë, do e nderojë. Por nëse do e urrejë, nuk do i bëjë padrejtësi.”

Mos prano për bashkëshort dikë që e din që konsumon alkol o motër. Mos e prano dikë që nuk falet, edhe nëse të premton se pasi të martoheni do të falet. Mos prano që fëmijët e tu t’a shohin babanë e tyre duke konsumuar alkol, apo duke mos u falur. Çfarë do i thuash Zotit Ditën e Kijametit për këtë zgjedhje të gabuar? Çfarë do i thuash për fëmijët e tu që janë edukuar me gotën e rakisë në shtëpi? Çfarë do i thuash Zotit kur të të pyesë:”Kë ke zgjedhur si baba të fëmijëve, që t’i edukojë?”

 

 Përzgjedhja e bashkëshortes dhe e bashkëshortit, duhet të ketë kriterin dysheme, që është përkushtimi në fe. Më pak se ky kriter mos prano o vëlla dhe motër!

 

Edhe pse ne kërkojmë që kriteri kryesor në përzgjedhjen e bashkëshortit apo bashkëshortes të jetë përkushtimi në fe, kjo nuk i hedh poshtë kritere të tillë si bukuria, pasuria, familja dhe farefisi, kultura etj.. Ti o vëlla mund t’a zgjedhësh gruan të bukur, e pasur, të fisshme... por fillimisht të jetë e përkushtuar në fe. E rëndësishme është që kriteri i parë dhe më kryesori të jetë feja, pastaj të vijnë kriteret e tjerë.

Gjatë kohës që Umer ibnul Hattabi ishte Halife i muslimanëve, shprehu dëshirën për t’u martuar me
Ummu Kulthumin, vajzën e Ebu Bekrit. Për t’a realizuar këtë lidhje, ai vajti dhe i tregoi Aishes, motrës së Ummu Kulthumit.

Aisheja i premtoi se do të bëjë ç’mos që kjo lidhje të realizohet dhe vajti tek e motra të cilës i tha:”E lumja ti! Prijësi i besimtarëve, Umer ibnul Hattabi ka kërkuar dorën tënde.”

 

Ummu Kulthumi iu përgjigj:”E çfarë të bëj tek Umeri! Ai jeton në kushte të vështira, është shumë xheloz dhe mendja i rrin vetëm tek popullata. Ndërkohë që unë jam e re dhe kam nevojë për dikë që të më mbulojë me dashuri dhe njëkohësisht të adhurojë Zotin.”

Aisheja u ndje keq nga ky refuzim i motrës së saj dhe nuk dinte si t’ia thotë Umerit. Kështu, ajo thirri Amr ibnul Asin dhe i kërkoi atij që t’ia transmetojë refuzimin e Ummu Kulthumit.Amr ibnul Asi vajti tek Umeri dhe i tha:”O Prijës i besimtarëve, përse nuk martohesh?!”

Umeri ia ktheu:”Po, së shpejti në dashtë Zoti.”

Amr e pyeti:”E kush është ajo?”

Umeri iu përgjigj:”Është Ummu Kulthumi, vajza e Ebu Bekrit.”

 

Amr i tha:”Përse ngatërrohesh me këtë vajzë të njomë?! Nuk kanë kaluar veçse disa muaj nga vdekja e të atit dhe vajtimet për të atin do i dëgjosh natë e ditë.”Umeri e pa me vëmendje dhe e pyeti:”Mos të ka thënë gjë Aisheja?!”Amr i tha:”Po.”“Atëherë lëre fare këtë punë!” iu përgjigj Umeri. Ummu Kulthum, u martua me Talha ibnu Ubejdullah. Ai ishte një nga shokët e Profetit a.s, ishte i pasur, tregtar i shquar dhe një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.

 

 Siç shihet dhe nga kjo histori, ti o vëlla dhe o motër mund t’a zgjidhni bashkëshortinen edhe të hijshëm, të pasur, të fisshëm... por pasi të ketë plotësuar kriterin më kryesor, fenë dhe përkushtimin.

Sot ka shumë të rinj që thonë:”Do të martohem me filanen pasi është e bukur, elegante... dhe pasi të martohem do e bind që të përkushtohet në fe.”

Ka edhe vajza të cilat kanë simpati për një djalë dhe pranojnë të martohen me të me synimin se pas martese do të ndryshojë dhe do të përkushtohet në fe.Në fakt, një i ri ose e re që mendon në këtë mënyrë, nuk e dëshiron që bashkëshorti të jetë fetar.

 

 Problemi qëndron në faktin se mjetet e informacionit dhe mediat e kanë shpërfytyruar imazhin e një vajze dhe të një djali të përkushtuar në fe. Një vajzë apo djalë i përkushtuar në fe, sipas tyre, është një ie mbyllur në vetvete, ie paarsimuar, jo e i pashëm etj... Në fakt, një koncept i tillë është i gabuar. Sidomos në kohët e fundit, ne shohin që shumë të rinj rrjedhin nga familje të një rangu të lartë në shoqëri, të kulturuar, intelektualë, të hijshëm, të hapur, sportistë... E njëjta gjë ndodh dhe me vajzat, të përkushtuara në fe, të hijshme, të suksesshme në mësime dhe në punë...

 

 Ti o motër je dëshmitare me atë që po ndodh sot me shumë familje dhe çifte, të cilët i japin fund jetës së tyre bashkëshortore me shumë dhimbje, poshtërime, fyerje, sharje, dhunë... Nëse do të martohesh me një të përkushtuar në fe, ai do të të nderojë nëse të don, dhe nuk do të sillet padrejtësisht nëse nuk të don.

Nëse ti o vëlla je i lidhur me një vajzë dhe ti o motër je e lidhur me një djalë që të pëlqen, por që nuk është i përkushtuar, si duhet të veprosh? Mos duhet t’a refuzosh, apo të martohesh me qëllimin se pas martese do të përkushtohet? Në një rast të tillë, unë u këshilloj që të shihni nëse ky person e ka gatishmërinë e duhur për t’u përkushtuar në fe, gjë e cila dallohet nëse ai ose ajo ndërmarrin hapa praktikë në rrugën e përkushtimit. Nëse nuk ndërmerr hapa praktikë drejt përkushtimit, mos u mashtro nga lotët që mund t’i rrjedhin, nga gjendja shpirtërore etj... Vetëm veprat e tregojnë nëse është i gatshëm të përkushtohet ose jo.

 

Ti o vëlla dhe o motër duhet të caktosh nivelin më të ulët të përkushtimit në fe të atij që të ka propozuar për martesë. Dhe më e pakëta është që të mos pranosh për bashkëshort dikë që nuk falet. Mos pranosh për bashkëshort dikë që vepron gjynahe të rënda.

Gjithmonë kriteret e bashkëshortes apo të bashkëshortit për femrat, i lidhni me synimet dhe objektivat që i keni vënë vetes në këtë jetë. Nëse ke si synim të forcosh dhe përhapësh fenë e Zotit, kërko një shok jete që do të të ndihmojë. Nëse kërkon që nga barku yt të lindin muslimanë që do të jenë si Salahudin Ejubij, zgjidh për bashkëshort një të përkushtuar në fe.

 

Dikush mund të thotë me të drejtë:”Unë e pranova si bashkëshorte, pasi e pashë të falej në xhami. Por me t’u martuar sjelljet dhe moralet e tij nuk ishin të mira.”

Kriterin e përkushtimit në fe, për të cilin folëm deri tani, ne kemi qëllim përkushtimin e vërtetë në fe dhe jo atë fallco. Kemi synim atë lloj përkushtimi që pasqyrohet tek sjellja, moralet dhe edukata me njerëzit. Kështu, nëse ti kërkon një të përkushtuar në fe, përveç hyrje-daljes nga xhamia, përveç hixhabit, përveç namazit... interesohu dhe për sjelljet dhe moralin e tij në shoqëri.

Një herë, Umer ibnul Hattabi pyeti një nga muslimanët për dikë nëse e njihte. Muslimani iu përgjigj:”Po e njoh dhe është njeri i mirë.”Umeri, duke dyshuar e pyeti:”A ke udhëtuar me të?”Muslimani:”Jo, nuk kam udhëtuar.”Umeri:”A e ke provuar si reagon ndaj dinarit dhe derhemit?Muslimani:”Jo.”Umeri:”A ke ndonjë miqësi dhe afërsi me të?”Muslimani:”Jo.”Atëjerë, Umeri i tha duke tundur kokën:”Ti nuk e njihke atë.”

 

Dallimet shoqërore
Kështu, kriteri i parë në përzgjedhjen e bashkëshortit, është përkushtimi në fe.

 Kriteri i dytë, është barazia shoqërore. Me këtë kriter përballen si fetarët dhe jofetarët. Shumë nga fetarët mendojnë që e rëndësishme është që bashkëshortja e tyre të jetë e përkushtuar në fe, kurse barazia ose dallimet shoqërore nuk kanë rëndësi. Ata mendojnë se islami ka vënë barazi mes të gjithë njerëzve dhe diferencat kulturore, shoqërore, fisnore etj... nuk kanë më asnjë vlerë. 
Kurse të tjerët mendojnë se është pikërisht barazia shoqërore, kulturore dhe fisnore ajo që ka rëndësi në një lidhje. Kurse përkushtimi në fe është diçka që ka të bëjë me shijen dhe hobin e secilit nga bashkëshortët.

Në fakt, të dy këto koncepte janë të gabuar. Të pretendosh se dallimet kulturore dhe shoqërore nuk kanë rëndësi në një lidhje martesore është e gabuar. Si mund të jenë njëlloj një vajzë që ka kryer universitetin me një djalë me tetëvjeçare? Si mund të jenë të barabartë një djalë që vjen nga shtresa më e ulët dhe e rëndomtë e shoqërisë, me një vajzë që i përket rangut më të lartë në shoqëri?!

Shumica e dijetarëve muslimanë mendojnë se barazia shoqërore dhe kulturore është një garanci për suksesin e një lidhjeje martesore.

Madje, për këtë kriter kemi dhe një ndodhi gjatë jetës së profetit Muhamed a.s. Zejneb bindtu Xhahsh, e cila rridhte nga një familje e fisshme, nga paria e Kurejshëve, ishte martuar me Zejd ibnu Harithe, i cili kishte qenë rob dhe kishte fituar lirinë. Të dy ishin bashkëkohës të Profetit a.s dhe besimin e kishin tepër të fortë. Zejdi pas pak kohësh do të vdesë si shehid, kurse Zejneb do të martohet me vetë të dërguarin e Zotit. Kështu, diferencat shoqërore çuan në prishjen e kësaj martese. Ajo u divorcua nga Zejdi dhe më pas u martua me Profetin a.s

Umer ibnul Hattabi thotë:”Për vajzat që rrjedhin nga një rang i lartë shoqëror, nuk ka burra më të përshtatshëm për martesë se ata që rrjedhin nga i njëjti rang.”

Ai përmend gratë në veçanti, pasi për gruan është shumë e vështirë dhe e papranueshme që i shoqi të jetë nga një nivel shoqëror më i ulët se i saji.

 

Kjo nuk do të thotë që niveli shoqëror të jetë ekuivalent 100 %, por të jetë i përafërt. Nëse dallimet shoqërore janë shumë të vogla, besoj se kjo nuk ndikon negativisht në martesë.

 

 

Abdullah ibnu Umer thotë:”Beduinët le të martohen mes tyre, skllevërit le të martohen mes tyre, të gjithë të martohen me ekuivalentët e tyre.”

 

Nëse niveli kulturor dhe shoqëror janë të barabartë ose të përafërt, pasuria nuk përbën problem. E rëndësishme që niveli shoëror dhe kulturor të jenë të përafërt. Nuk prish punë nëse njëri nga bashkëshortët është i pasur dhe tjetri i varfër.

Diferenca e moshës

 

Një kriter tjetër i rëndësishëm, i cil shpesh herë bëhet objekt debatesh, konfliktesh dhe polemikash mes familjeve, është dhe mosha. Sot jemi dëshmitarë të lidhjeve martesore ku në shumicën e rasteve është bashkëshorti më i madh në moshë, por ka dhe raste të tilla ku bashkëshortja është më e madhe se i shoqi.

 

Vetë i dërguari i Zotit a.s u martua me Hadixhen e cila ishte pesëmbëdhjetë vjeç më e madhe. Profeti a.s ishte njëzet e pesë vjeç, ndërkohë që Hadixheja ishte dyzet vjeçe. Por kjo martesë ka të bëjë me një fakt dhe faktor shumë të rëndësishëm, nivelin e pjekurisë së burrit. Psikologët dhe shkencëtarët pohojnë se zhvillimi fizik dhe mendor i femrës deri në moshën njëzet e dy vjeçare, është më i lartë se ai i mashkullit.

 

KëShtu, martesa me një femër më të madhe në moshë, mund të bëhet me dy kushte:

1 – Bashkëshortja të jetë e pjekur dhe e arsyeshme. Ajo nuk duhet të ndihet më e privilegjuar se i shoqi dhe të kërkojë t’i besohet asaj administrimi dhe vendim marrja, nëse është më e madhe në moshë.

2 – Në të njëjtën kohë, edhe burri duhet të ketë pjekurinë e duhur dhe të mos ndihet në një nivel më të ulët se e shoqja.

 

 Psikologët dhe sociologët pohojnë se diferenca e moshës mes çiftit është e pranueshme deri në dhjetë vjeç, më lart jo. Për këtë, kur Fatimen e kërkoi Ebu Bekri dhe më pas Umeri, Profeti a.s i refuzoi, pasi diferenca e moshës ishte shumë e madhe. Ai pranoi Aliun, i cili ishte vetëm pesë vjet më i madh se Fatimeja.

Kohët e fundit mes shoqërive tona ka filluar të përhapet një fenomen i çufitshëm, ku shumë femra edhe pse të reja pranojnë dhe martohen me burra me një diferencë në moshë shumë të madhe. Edhe pse nuk më vjen mirë që e pohoj, por shkaku i kësaj është se të rinjtë e sotëm nuk janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësitë që lindin nga lidhjet martesore. Këta të rinj, edhe pse duan të martohen, nuk e kanë gatishmërinë të marrin ndonjë përgjegjësi familjare. Është gruaja ajo që punon jashtë shtëpie dhe brenda saj. Është ajo që gatuan, ajo që lan dhe pastron fëmijët, është ajo që blen ushqimet, është ajo që kryen vizitat e duhura, ajo që dërgon fëmijët tek doktori etj... Ndërkohë që ai, nëse punon, ditën është në punë, kurse pasdite deri natën vonë qëndron me shokët në kafe. Fëmijëve nuk u kushton asnjë përkujdesje.

Duke parë çifte të tillë, shumë vajza kanë filluar të preferojnë bashkëshortë më të shtyrë në moshë, por që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm.

Një diferencë të tillë moshe unë nuk ia këshilloj asnjë vajze dhe femre që dëshiron të martohet, pasi përveç diferencës së moshës, ata kanë dhe diferenca dhe raporte të ndryshme në mentalitet dhe mendësi.

 

Faza e kërkimit të shokut të jetës.

Është fakt që shumë të rinj dhe të reja, pasi kanë përcaktuar cilësitë dhe kriteret e duhura në përzgjedhjen e shokut të jetës, befasohen me faktin që nuk gjejnë dot një person të tillë.

Kjo ndodh më së shumti me vajzat. Shumë prej tyre i kanë kaluar të tridhjetat dhe askush nuk ka trokitur në derën e tyre, ose ata që u kanë kërkuar dorën kanë qenë të papërshtatshëm.

Mendoj se kjo ndodh më së shumti për tre shkaqe:

 

 1 – Kërkesat e shumta të familjarëve të vajzës, gjë e cila padyshim ndikon në ekonominë e dobët të djalit.

2 – Të rinj që nuk janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi familjare, gjë e cila i detyron vajzat të refuzojnë.

 

 3 – Rastet e kontaktit dhe të njohjes nuk janë në nivelin e duhur. Shumë vajza sot janë detyruar të punojnë në kompani dhe institucione të ndryshme, jo për nevoja, por thjesht për t’u prezantuar dhe për të gjetur një person për t’u martuar. Shumë të tjera shohin internetin si zgjidhje për të gjetur dikë të përshtatshëm. Të tjera pranojnë të shoqërohen me të rinjtë, me shpresën se ndonjëri do pranojë të martohet me të.

Pyetja që lind është:”Si ia bënin të parët tanë, që rastet për t’u martuar ishin të shumta dhe shumë të lehta?”

Një problem i tillë nuk ekzistonte tek brezat e mëparshme, edhe pse universitete për t’u njohur nuk kishte, as kompani të mëdha ku të punësoheshin dhe gratë nuk kishte. Atëherë si martoheshin?

Tek brezat e mëparshëm ekzistonte një faktor shumë i rëndësishëm, i cili i ndihmonte të rinjtë dhe familjet e tyre në përzgjedhjen e duhur të shokut të jetës. Lidhjet familjare tek brezat e mëparshëm kanë qenë shumë të forta. Familja ishte shumë e lidhur me të gjithë të afërmit, farefisin dhe komshinjtë. Ajo që ndodh sot me familjet, ku nëna kërkon të qëndrojë vetëm me shoqet, babai me shokët dhe fëmijët me shoqërinë e tyre, nuk ekzistonte. Sot secili kërkon të jetojë jetën e tij private, pa u përzierë qoftë dhe me njerëzit më të afërt.

Rrjeti i lidhjeve ndërnjerëzore asokohe ka qenë shumë i fortë. Të gjithë e njihnin mirë njëri-tjetrin. Komshinjtë kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Ndërkohë që sot komshinjtë nuk e dinë kush dhe nga është komshiu i tij përballë.

Vallë ku është familja e cila i ruante lidhjet me të afërmit? Ku është ai baba dhe nënë që i merrnin fëmijët dhe së bashku vizitonin të afërmit? Ku janë komshinjtë dhe detyrimet ndaj tyre?

Veç lidhjeve familjare, asokohe edhe xhamia ishte një institucion që krijonte lidhje të reja, por këtë herë vëllazërore. Si burrat ashtu dhe gratë shkonin në xhami, ku njiheshin me frekuentuesit e xhamisë. Duke u falur për vite të tëra në të njëjtën xhami, padyshim që do të krijoheshin lidhje të reja dhe prezantimi me njëri-tjetrin do të ishte më i detajuar. Vizitat mes familjeve, komshinjve dhe farefisit ishin të shumta, gjë e cila i forconte lidhjet por dhe krijonte mundësi prezantimi mes atyre që kërkonin të martohen.

Kështu, vajzat kishin raste të shumta për t’u martuar, raste të cilat sot nuk ekzistojnë për fat të keq.

Le të përpiqemi t’i kthejmë këto lidhje mes familjeve dhe farefisit.

Asokohe vajza nuk kishte nevojë dhe as nuk përfytyrohej që të kërkojë burrë, pasi ishin këta të fundit që e kërkonin. Ajo ishte e nderuar dhe e respektuar. Edhe atëherë ajo mund të punonte, por për një objektiv dhe qëllim të lartë, jo thjesht për të gjetur burrë.

 Ne i injoruam këto lidhje dhe u dhamë pas perëndimit, i cili është ndërtuar mbi individualizmin. Kështu, vajzat dhe motrat tona detyrohen të punësohen dhe të përdorin faqet e shumta të internetit, për t’u martuar me dikë. Këto faqe të posaçme për të krijuar lidhje, kanë një grup pune i cili studion rastet e paraqitura dhe bën lidhjet që i sheh si të përshtatshme. Tashmë janë njerëz që ti as nuk i njeh, ata që marrin në dorë çështjen e martesës tënde o motër dhe jo babai. Madje ka akoma më keq. Sot shohim që shumë vajza dërgojnë mesazhe në televizione të caktuara, ku përshkruajnë veten dhe presin orferta nga burra të ndryshëm.

A ka fyerje më të madhe se kaq për një femër? Kush tjetër e ka nderuar femrën, ashtu siç e ka nderuar dhe lartësuar islami?Islami të vlerëson dhe të nderon o motër, mos prano të shitesh për lirë. Ti e merriton që të jesh e kërkuar dhe jo të kërkosh.

 Le të përpiqemi të gjithë, secili sipas mundësive të veta, që rolin e familjes t’a kthejmë sërish në shoqëritë tona muslimane. Le të përpiqemi që nderin dhe dinjitetin e gruas t’a ruajmë, ashtu siç e ka ruajtur dhe vlerësuar islami. Kjo është shpresa e vetme, që dashuria, respekti dhe harmonia të kthehen sërish në familjet tona.

 Ne duhet që fëmijët tanë t’i trajtojmë si shokë dhe miq të ngushtë. Zgjedhja e shokut të jetës, fillon që nga marrëdhëniet që fëmijët kanë ndërtuar me prindërit e tyre. Mos ia lejo vetes o baba dhe o nënë që fëmijët të mos ua rrëfejnë juve sekretet e tyre. Mos ia lejo vetes që të mos jeni ju miqtë dhe shokët e tyre më të ngushtë. Mos ia lejoni vetes që ata të këshillohen me të tjerë dhe jo me ju.

 

Marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve nuk ka përse të jenë bëje dhe mos e bëj. Kur Zoti përshkruan marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve, përdor fjalën:”por sillu mirë me ta në këtë jetë...” (Lukman 15)

Në fakt, këto fjalë në arabisht shprehen me foljen e mënyrës urdhërore “sahibhuma” që do të thotë “krijo shoqëri të mirë me ta” Pra, Zoti në Kuran marrëdhëniet prindër-fëmijë i shikon si marrëdhënie shoqërore dhe miqësore. Dikush vajti tek i dërguari i Zotit dhe e pyeti:”O i dërguari i Zotit! Kush e merriton më shumë shoqërinë dhe miqësinë time?” Profeti a.s iu përgjigj:”Nëna jote.”

Burri e pyeti edhe dy herë të tjera mbi personin që e merritonte miqësinë dhe shoqërinë e tij më shumë përveç nënës, dhe profeti a.s i përgjigjej po me të njëjtën përgjigje:”Nëna jote.”Herën e katër Profeti a.s iu përgjigj:”Babai yt.”Edhe pse ky person kishte si synim shokët e tij, Profeti a.s ia kufizonte shoqërinë tek prindërit, nëna dhe babai.

Je ti o prind ai që do e ndihmosh fëmijën, djalin dhe vajzën, që të të konsiderojnë në këtë formë. Fillo dhe tregohu mbi të kaluarën tënde. Tregoju mbi hallet dhe vështirësitë e tua në jetë. Thuaju që edhe ti ke gabuar në jetën tënde dhe Zoti t’i ka mbuluar këto të meta. Thuaju që edhe ti ke hasur probleme ekonomike dhe të tjera, por që i ke kaluar.Roli yt o baba dhe o nënë nuk është që thjesht të sigurosh ushqimin dhe veshjen e duhur të fëmijëve. Roli yt është shumë më i madh se kaq. Ju duhet të krijoni marrëdhënie të tilla me fëmijët, që ata të hapen dhe t’ju rrëfejnë gjithçka që u ndodh.Sipas sondazheve dhe anketimeve të bëra, mbi 60 % e konsultave të vajzave mbi çështje martese nuk bëhen me prindërit e tyre por me shoqet. Ato refuzojnë të këshillohen me prindërit, nënën apo babanë, pasi e kanë të sigurtë se ata nuk do i kuptojnë dot.

 

Vallë ku është ai baba apo nënë, që i marrin fëmijët dhe dalin shëtitje bashkë? Ku është ai baba që sillet me vajzën e tij, ashtu siç sillej i dërguari i Zotit me vajzën e tij Fatimen?

Sa herë që Fatimeja hyntë në dhomën ku qëndronte Profeti a.s, ai ngrihej në këmbë dhe e puthte në ballë. Ditën që Profeti a.s ndërroi jetë, Fatimeja qau shumë, pasi ai nuk u ngrit dot si herët e tjera që t’a puthë në ballë.

Kush tjetër përveë islamit e vlerëson gruan në këtë formë? A nuk të duken shumë e rëndomta dhe meskine thirrjet për të mos u kthyer 1.400 vite pas?!

 

Ne sot kemi nevojë t’i shtojmë prindërit-shokë të fëmijëve. Nëse duam të mos befasohemi nga ngjarje të rënda në të cilat përfshihen fëmijët tanë, atëherë duhet që t’i mbajmë ata afër dhe të shoqërohemi me ta. Mos e braktis vajzën tënde o nënë dhe o baba! Mos e lejo që ajo të ketë shokë më të ngushtë se ju të dy. Mos lejo që ajo të krijojë një rreth të ngushtë, në të cilin nuk gjendeni ju të dy!
Dhomat e shtëpive tona, më shumë u ngjajnë ishujve të largët të një deti plot valë dhe rrebeshe. Ne sot kemi nevojë t’i shembim muret që na ndajnë nga fëmijët dhe të krijojmë sallone dhe holle të përbashkët, ku të mos mbajmë gjëra të fshehta.

 

 Nëse prindërit e tu nuk janë të tillë o vëlla dhe o motër, atëherë përpiqu që t’i ndihmosh të bëhen të tillë. Nëse arrin t’a bësh këtë, dije se ke arritur adhurimin më të madh në jetë, për të cilin padyshim që do të shpërblehesh. Tregoja problemet e tua prindërve, me qëllim që t’i forcosh lidhjet me ta. Kërkoju atyre mendim mbi çështje të ndryshme.

Unë e kuptoj që është e vështirë për të dy palët, por kjo është zgjidhja e vetme e mundur. Nëse nuk përpiqemi t’a ndryshojmë situatën, atëherë nuk kemi përse të befasohemi nga dukuritë negative dhe ngjarjet tronditëse që dëgjojmë çdo ditë.

Në Kuranin famëlartë, përmendet një histori ku duket qartë ndjeshmëria e prindit, ndaj ndjenjave të vajzës së saj. Kjo histori është ajo e Musait a.s. Ai u arratis nga Egjypti dhe arriti në Medjen. Gjatë rrugës, ai pa disa barinj dhe kope delesh që prisnin të pinin ujë pranë një pusi. Mes tyre ishin dhe dy vajza që prisnin me kopenë e tyre të deleve. Të gjithë barinjtë i dërgonin delet për të pirë ujë dhe më pas largoheshin, përveç këtyre dy vajzave. Edhe pse ishin vajza, Musai shkoi dhe u foli:”Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë:“Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. (Kasas 23)
Po të shohim, Musai a.s nuk i pyeti mbi hollësi të tjera, nuk u prezantua, nuk u kërkoi emrat, nga ishin, të kujt ishin, ku banonin etj...

Ajeti tjetër është:”Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre...” Ishte fisnikëria dhe zemërgjerësia e tij, ajo që e bëri t’ju ofrojë ndihmë. Kurse ajo që tregon se me këtë veprim ai nuk kishte asnjë synim tjetër të fshehtë, është:” e pastaj u kthye te një hije dhe tha:“Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!”(Kasas 24)

 

Me të vajtur në shtëpi, njëra nga vajzat i tha të atit:“O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. (Kasas 26)

 

Babai i saj e kuptoi thellësinë dhe vërtetësinë e këtyre fjalëve dhe e dërgoi t’a thërrasë Musanë.

 

“Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha: “Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. (Kasas 25)

 

Fillimisht, ky ajet tregon nderin dhe moralin e kësaj vajze. Ajo nuk shkoi tek Musai a.s, që ishte njeri i huaj, veçse me ndrojtje, turp dhe e skuqur në fytyrë. Veç kësaj, ajo i tha që ishte babai i saj ai që dëshironte t’a takojë me qëllim që t’a shpërblejë.

 

Pasi Musai vajti tek babai i vajzave dhe i rrëfeu gjithçka kishte ndodhur në Egjypt, ai i tha:“Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!”Më pas i shtoi:”Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia...”Dhe Musai u martua me atë që i kishte shprehur dëshirën babait për t’a marrë si çirak.

 

 Roli yt si baba është që t’i qëndrosh pranë fëmijëve të tu dhe t’u ofrosh ndihmë dhe përkrahje në zgjedhjen e shokut të jetës.

 

Prindi ka të drejtë që të përpiqet që vajzës së tij t’i zgjedhë një bashkëshort të mirë, por kjo nuk do të thotë që t’a detyrojë. Shumë vajza krijojnë lidhje jashtëmartesore me djem, vetëm nga frika se babai do e detyrojë të martohet me dikë që ajo nuk e pëlqen. Me këtë, ajo kërkon që t’u paraprijë gjërave, edhe pse në rrugë të gabuara.

Është për t’u habitur sesi gjëra të tilla ndodhin, edhe pse islami i ka dhënë të drejtë të plotë femrës që t’a zgjedhë ajo burrin me të cilin do të martohet. Ajo nuk mund të detyrohet në asnjë mënyrë të martohet me dikë që nuk e pëlqen.

 

 

 

Uthman ibnu Madh’un, është një nga shokët e Profetit a.s. Pak para se të vdesë, ai ia la amanet gruan dhe vajzën e tij të vëllait Kudame ibnu Madh’un, duke i thënë:”E ke amanet vajzën time derisa të martohet.”Duke dashur t’a mbajë këtë amanet, Kudame filloi të kërkojë dhe studiojë djalin më të mirë dhe të përshtatshëm në Medine, për mbesën e tij.

 

 

 

Djali më i mirë për mbesën e tij, iu duk Abdullah ibnu Umer ibnul Hattab. Kudame vajti tek Abdullahu dhe i tha:”Unë kam ardhur që të të fejoj me vajzën time (mbesën).”

Pasi Abdullahu pranoi, Kudame vajti menjëherë në shtëpi ku ishte e ëma e vajzës dhe i thotë:”Urime për fejesën e vajzës, pasi e kam fejuar me Abdullah ibnu Umer.”

Por ai mbetet i shastisur nga përgjigja e vajzës e cila i thotë:”Po kush të tha se unë dua të martohem me Abdullah ibnu Umer ibnul Hattabin?”Kudame e pyeti:”Po me kë dëshiron të martohesh?”Ajo i tha:”Dua të martohem me Mugire ibnu Shube.”Mugire ibnu Shube kishte vajture direkt tek e ëma dhe i kishte kërkuar dorën e vajzës. E ëma kishte pranuar, po kështu dhe vajza.I revoltuar nga kjo që kishte ndodhur, Kudame u nis menjëherë tek i dërguari i Zotit, me shprese se ai do e ndihmonte dhe do i jepte të drejtë.Pasi i tregoi Profetit a.s gjithçka që kishte ndodhur, Profeti a.s i tha:”Ajo nuk mund të martohet veçse me pëlqimin e saj.”Kështu, ajo u martua me atë që deshi, me Mugire ibnu Shube.Nëse një baba ka krijuar lidhje të ngushta me vajzën e tij, nuk do të ishte e rëndë dhe e papranueshme për vajzën, që ai të kërkonte një bashkëshort të përshtatshëm për të. Vetë Umer ibnul Hattabi e ka bërë diçka të tillë me vajzën e tij Hafsa. Ai vajti dhe i propozoi Ebu Bekrit të martohej me Hafsan.Ebu Bekri i tha:”Nuk e kam ndërmend të martohem sërish.”

Kështu, Umeri iu drejtua Uthmanit dhe i propozoi të martohej me Hafsan. Por edhe Uthmani refuzoi. Ai vazhdoi të kërkojë një njeri të përshtatshëm për vajzën e tij, derisa Hafsa u martua me të dërguarin e Zotit a.s. Diçka të tillë ai nuk e shihte si fyerje dhe ofendim as për vajzën dhe as për veten. Jo vetëm ai, por edhe të tjerët nuk e shihnin si diçka të keqe.Po nëse një gruaje i pëlqen nje burrë, si shihet në islam diçka e tillë? A është haram që ajo të dojë dikë? A është haram që ajo të lidhet me dikë? A është haram që ajo të ndjejë për dikë?

Dashuria është një instikt i cili nuk kontrollohet dot. Islami nuk thotë që zemra jote të mos dashurojë, por thotë që kjo dashuri të mos të të çojë në vepra të ulëta. Islami nuk të thotë të mos urresh, por urrejtja mos të të çojë në padrejtësi dhe shtypje. Islami nuk të thotë të mos ndjesh uri, por kjo uri mos të të çojë të zgjasësh dorën dhe të vjedhësh.

Nëse një vajze i pëlqen një djalë, ajo është para tre zgjidhjeve:
T’i hapet dhe t’i tregojë mbi ndjenjat e saj, duke i kërkuar të martohen.

T’ia thotë në mënyrë indirekte.
Të gjejë një ndërmjetës të përshtatshëm.

Fillimisht, le të marrim zgjidhjen e parë, ku vajza shkon dhe i propozon direkt djalit që don. Unë nuk ia këshilloj këtë hap asnjë vajze. Në trurin e mashkullit është e fiksuar që një grua që shkon dhe i propozon atij për fejesë ose martesë, ai duhet t’a refuzojë. Kjo, pasi sa më e vështirë të jetë realizimi i një fejese me një vajzë, aq më shumë i shtohet bindja që ai duhet të martohet dhe lidhet me të. Është pikërisht ky fakt, shkaku që islami ka caktuar disa faza para se të arrihet tek martesa.

 

Më e mirë se dy zgjidhjet e para, është të zgjedhësh një ndërmjetës, ashtu siç veproi Hadixheja kur u martua me Profetin a.s.Një ditë, Hadixhen e vizitoi shoqja e saj Nefiseja. Me të hyrë brenda, ajo e pa të menduar dhe të shqetësuar Hadixhen. Për këtë e pyeti:”Përse mendohesh o Hadixhe?”

Hadixheja i tha:”O Nefise! Tek Muhamedi shoh shumë cilësi të cilat nuk i shoh tek burrat e tjerë. Tek ai kam gjetur morale të shëndosha, llogjikë të pjekur, amanet, sinqeritet etj... Veç këtyre cilësive, dalloj diçka tepër të veçantë tek ai dhe mendoj se ai do të ketë një të ardhme plot famë.”

Nefise e pyeti:”Përse nuk e pranon për bashkëshort atëherë?”

Hadixheja e pyeti:”E si mund të bëhet kjo?”

Nefiseja i tha:”Ma lër mua në dorë.” Dhe menjëherë u nis të takojë Profetin a.s. Me t’a takuar, ajo i tha:”O Muhamed! Përse nuk martohesh?”
Ai i tha: “Po kush martohet me mua, unë jam i varfër?!”Nefiseja i tha: “Po nëse unë të propozoj një grua të pasur që nuk ka nevojë për pasurinë tënde dhe veç kësaj është e bukur, e ndershme dhe e fisshme, a do të pranoje?”Profeti a.s e pyeti:”E kush qenka kjo grua e tillë?”Nefiseja iu përgjigj:”Hadixheja.”Profeti (a.s) e pyeti: “Po a pranon ajo?”

Nefiseja ia ktheu: “Do e pyes njëherë.”

Edhe nëse do të detyrohesh të kërkosh ndihmën e një ndërmjetëseje për t’i shprehur djalit që don ndjenjat e tua, duhet të zgjedhësh një ndërmjetës të aftë, të pjekur dhe që din t’a ruajë dinjitetin dhe personalitetin tënd.

Nuk është turp që ti të kesh ndjenja për dikë o motër, nuk është turp që të dëshirosh të martohesh me të, por turp është të zgjedhësh mënyrën e gabuar për t’a realizuar këtë martesë. Turp është të përdhosësh nderin dhe dinjitetin tënd, duke e shitur veten të lirë.Vetë vajza e Shuajbit, e shprehu në formë indirekte dëshirën e saj dhe atë që ndjente për Musanë.

Hadixheja ia shprehu shoqes së saj dhe në formë indirekte atë që ndjente për Profetin a.s.

Pas disa ditësh, Nefiseja vajti sërish tek Profeti a.s dhe i tha:”Më ka thënë Hadixheja:”E ku mund të gjej më të mirë se Muhamedi?!”Kjo është një martesë ku ishte vetë gruaja ajo që propozoi dhe shprehu dëshirën për t’u martuar. Kjo, edhe pse është martesa e njeriut më të fisshëm dhe të nderuar, gjë e cila nuk e cënon aspak nderin dhe dinjitetin e tij, por as dhe të gruas së tij. Padyshim që këto janë sinjale hyjnore.

Por, ne duhet të kemi parasysh diçka të rëndësishme në këtë aspekt. I dërguari i Zotit na ka ndaluar të lundrojmë në detin e fantazisë. Shumë vajza, duke u ndërgjegjësuar që dashuria qenka hallall dhe se po kështu është dhe shprehja e dëshirës për t’u martuar me të, atëherë të shfrytëzojmë të gjithë mundësitë dhe rrugët për t’a realizuar këtë. Shpesh herë, dëshirat dhe ëndrrat janë shumë larg mundësive të realizimit. Profeti a.s na ka ndaluar të fantazojmë dhe të thellohemi në imagjinatë mbi gjëra që është vështirë të ndodhin, me qëllim që mos të na thyet zemra.

Islami është fe e cila kërkon t’a mbrojë, sidomos zemrën e femrës. Duke ndaluar shoqërimin me djem, islami e mbron zemrën tënde o motër nga thyerja dhe dëshpërimi në rast dështimi të kësaj lidhjeje.

 

 Vajzave që u ka kaluar mosha.

Sot jemi dëshmitarë që shumë vajza edhe pse të ndershme, me moral dhe fetare, akoma nuk kanë gjetur një njeri me të cilin të lidhin jetën. Akoma nuk ka trokitur kush në derën e tyre t’ju kërkojë dorën. Çfarë duhet të bëjnë këta vajza?Unë i këshilloj këto vajza që të durojnë dhe t’i mbështeten Zotit të madhëruar. Padyshim që Zoti e ka caktuar kush do të jetë bashkëshorti yt o motër, prandaj të duhet vetëm të presësh dhe të jesh e matur. Nëse ke mundësi t’i shtosh kontaktet me njerëzit, duke studiuar, duke u punësuar ... por në kufinjtë e të lejuarës, bëje.

Këto janë këshilla për të gjithë ato vajza të pamartuara, për të gjithë ato gra të divorcuara, për të gjithë ato gra që trajtohen keq nga bashkëshortët e tyre... Unë u këshilloj që t’i mbështeteni Zotit dhe të duroni. Nuk ka më të mëshirshëm se vetë Zoti për ju o motra. Duroni se fati juaj do të trokasë një ditë. Një fjalë e urtë arabe thotë:”Askush nuk do të martohet me gruan e një tjetri.” Dhe anasjelltas.
Gjatë kësaj kohe, unë të këshilloj o motër që kohën t’a mbushësh me vepra të mira, me bamirësi, ftesë në udhën e Zotit, të jesh e suksesshme në jetë, mëso zanate të reje, mëso gjuhë të huaja, shërbeji shoqërisë sipas mundësive ...

Nëse të është bërë padrejtësi, të jesh e sigurtë që Zoti do të t’a kompensojë në këtë botë para botës tjetër.

Falja e namazit të istihares.

 

Shumë njerëz kalojnë nga një etapë në tjetrën, pa falur namazin e istihares. Nëse ke vendosur të kërkosh dorën e një vajze dhe së bashku me familjen jeni dakord, atëherë unë të këshilloj që para se të ndërmarrësh një hap tjetër të falësh namazin e istihares. Me anë të këtij namazi, ti ia len në dorë Zotit të madhëruar të zgjedhë atë që është më e mirë dhe më e dobishme për ty. Nëse të duhet të nënshkruash një kontratë e cila përmban disa pika juridike të cilat ti nuk i kupton, padyshim që do të shkosh tek një jurist dhe t’a pyesësh atë nëse ia vlen t’a nënshkruash atë kontratë apo jo. Në këtë rast, ti ia beson gjithçka këtij juristi. Nëse ai të thotë që është e leverdisshme, do e nënshkruash, në të kundërt do e refuzosh. Diçka e tillë është dhe namazi i istihares, ku ti ia len në dorë Zotit të zgjedhë atë që është në dobinë tënde.

Në namazin e istihares, pasi fal dy rekate, lutesh me këtë lutje:“O Zoti im, kërkoj të më drejtosh me diturinë Tënde. Kërkoj fuqi nga fuqia Jote dhe kërkoj të më japësh nga mirësitë e Tua, pasi Ti ke mundësi, kurse unë nuk kam. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di dhe Ti e di çdo të fshehtë.

O Zot, nëse e din që kjo që po bëj (martesa ime me filanin/filanen) është e dobishme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet dhe me jep bekime në të.
E nëse kjo është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, largoje atë nga unë dhe më largo mua prej saj. Ma cakto të mirën kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”

Pasi të falësh këtë namaz dhe të lutesh me këtë lutje, të jesh i/e bindur që do të ndodhë ajo që është më e dobishme për ty. Me të përfunduar namazin dhe lutjen, vazhdo proçedurat e tjera dhe mos prit të shohish ëndërr që të urdhëron të martohesh apo jo.

Këshillimi dhe mbledhja e informacionit.

 

 Në ditët e sotme, ndodh shpesh që bashkëshortët dhe familjet e tyre të zbulojnë fakte dhe të vërteta që nuk i dinin më parë mbi palën tjetër. Ata nuk kanë kërkuar informacion mbi gjendjen dhe formimin e pretendentit tjetër. Shumë familje nxitohen në vendim marrje, sidomos kur djali që ka kërkuar dorën e vajzës duket djalë i mirë dhe nga një familje e mirë. Në raste të tilla, ata nuk pyesin, nuk kërkojnë informacionin e duhur, nuk interesohen për formimin e tij, arsimin, karakterin, veset etj... Kështu, për një javë fejohen, për një javë tjetër martohen dhe pas dy javësh divorcohen.Vallë ku është babai shok dhe që i gjendet pranë vajzës së tij në të tilla raste? Ku është vëllai mik, i cili interesohet, pyet dhe informohet mbi personin që ka kërkuar dorën e motrës së tij të shtrenjtë?

Thotë profeti Muhamed a.s mbi rëndësinë e namazit të istihares dhe të mbledhjes së informacionit:”Nuk zhgënjehet dikush që fal istiharen dhe nuk pendohet kush këshillohet.”
Ti o baba, o nënë dhe o vëlla e keni detyrë të mblidhni informacion dhe të interesoheni mbi personin që ka kërkuar dorën e vajzës dhe motrës tuaj. Personat me të cilët duhet të këshilloheni, duhet të jenë të pjekur, të besueshëm dhe jo çdo lloj njeriu.

 

Një pyetje që lind është:”Cilat janë ato gjëra të cilat duhet t’i zbuloj tek personi që ka kërkuar dorën e vajzës dhe anasjelltas?”
Gjërat mbi të cilat duhet të informohesh o baba dhe o nënë, janë të shumta por më kryesorja është që të dish sesi e fiton pasurinë ai dhe familja e tij. Ruaje vajzën tënde nga furnizimi dhe të ushqyerit me haram.
Është për të ardhur keq, që sot ndodh e kundërta. Shumë prindër dhe familje, fillimisht pyesin mbi gjendjen e tyre ekonomike, sa shtëpi kanë, sa makina, sa prona, sa të ardhura mujore etj... Atyre nuk u intereson mënyra si i kanë vënë ato pasuri, por u intereson vetë pasuria.

Si pranon që vajza jote të ushqehet me haram në shtëpinë e të shoqit? Ti do të pyetesh mbi këtë fakt Ditën e Kijametit. Thotë Profeti a.s:”Çdo organ që është zhvilluar duke u ushqyer me haram, merriton të digjet në zjarr.”

Përse duhet të komandohesh dhe të orientohesh vetëm nga të ardhurat dhe pasuritë? A nuk jemi dëshmitarë të rrënimit të familjes këto dyqind vitet e fundit, gjë e cila po ndodh për shkak të materializmit, egoizimit dhe individualizmit?

Pëlqimi i familjes.
A është e mundur që një vajzë dhe një djalë të martohet pa pëlqimin e familjes? Çfarë duhet të bëjë një vajzë, në rast se familja e saj kundërshton pa arsye?

Rregulli i përgjithshëm, si për djalin dhe për vajzën është:”Kurrë mos prano të martohesh pa pëlqimin e familjes, edhe pse nuk kanë të drejtë.” Si mund t’a bekojë Zoti një martesë, për të cilën prindërit janë indinjuar dhe nuk janë të kënaqur?!

Dijetarët bëjnë prejashtim vetëm në një rast, ku një vajzë mund të martohen pa lejen e prindërve dhe ky rast është kur babai është njeri i degjeneruar dhe nuk ka sjellje normale, konsumon vazhdimisht alkol, nuk është i vetëdijshëm etj...

Kriteri i pëlqimit të familjes, vlen edhe nëse prindërit nuk janë fetarë. Si mund të ndihesh e lumtur o motër, ndërkohë që nëna jote vlon nga pakënaqësia dhe zhgënjimi?

Cilat janë ato gjëra ku prindërve u lejohet ndërhyrja në përzgjedhjen e shokutshoqes të jetës?

Atyre u lejohet të ndërhyjnë dhe të refuzojnë familjen, nivelin dhe dallimet e thella shoqërore si dhe përkushtimin fetar. Atyre nuk u lejohet të ndërhyjnë në pamjen e kandidatit, nëse ajo është e pranueshme për palën tjetër. Nëna dhe babai nuk u lejohet të ndërhyjnë për ngjyrën e lëkurës, gjatësinë, flokët, apo banesën. Prindi ka të drejtë të shprehë pakënaqësi për prindërit e djalitvajzës. Kjo, pasi në rast martese, nuk kemi një djalë që martohet me një vajzë, por kemi një familje që do të martohet me një familje tjetër.

Vetë formimi i krushqisë (në arabisht) shprehet me foljen “sahere” që do të thotë të shkrihesh dhe të bëhesh një me tjetrin. Duke pasur parasysh këtë, është e drejtë e prindërve të secilit të shprehin pakënaqësitë e tyre përsa i përket palës tjetër.
Po nëse familja këmbëngul dhe refuzon pa asnjë arsye dhe justifikim? Mos vallë duhet t’a anullojë fejesën, apo martesën?

 

Unë them jo. Si djali dhe vajza duhet të këmbëngulin, por duke i respektuar prindërit. Ata duhet t’ua bëjnë atyre të qartë se nuk do të martohen me dikë tjetër, përveç asaj vajzedjali. Kjo nuk do të thotë që të kthejmë botën përmbys, të braktisim shtëpinë, të zihemi me prindërit dhe të bërtasim me sa forcë kemi.

Nëse ata vazhdojnë të refuzojnë, atëherë gjej një ndërmjetës të tretë mes teje dhe prindërve, i cili duhet të jetë njeri i besueshëm për prindërit e tu.

Nëse përsëri refuzojnë, gjej një moment të përshtatshëm dhe u thuaj prindërve:”Mirë, le të ndryshojmë rolet, ju vendosuni në rolin tim dhe unë në rolin tuaj dhe të gjykojmë nga këndvështrimi i secilit prej nesh.” Këtë e kanë përdorur shumë të rinj dhe të reja dhe ka pasur rezultat.

Nëse dëshiron që prindërit e tu t’a respektojnë vullnetin dhe zgjedhjen tënde, duhet të pregatitesh që herët për këtë. Kjo do të thotë që në marrëdhëniet e tua me prindërit dhe me të tjerët, duhet të tregosh njëfarë pjekurie. Ti o vëlla dhe o motër duhet të mësoheni me përgjegjësi të ndryshme. Nëse gjatë viteve të kaluara keni qenë të nxituar, të rrëmbyer, të papërgjegjshëm etj... prindërit e kanë të vështirë të pranojnë vendime kaq të rëndësishme tuajat.

Të rinjtë duhet të kenë qëndrime burrërore të mëparshme, të cilat janë ndërmjetësi më i fortë për t’u mbushur mendjen prindërve që fëmijët e tyre janë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për hapin që po ndërmarrin.

Nëse prindërit vazhdojnë në të tyren dhe refuzojnë, unë të këshilloj ty o motër që të ulesh me veten dhe të mendohesh mirë. Mos vallë prindërit kanë të drejtë? Mos je nxituar në vendimin tënd? Fakti që Zoti e ka lidhur pëlqimin tënd me pëlqimin e babait tënd, ka urtësinë e tij. Me pëlqimin e vajzës, konstatohen ndjenjat, kurse me pëlqimin e prindërit, konstatohet gjykimi dhe llogjika e shëndoshë.

Nëse i ke ndërmarrë të gjithë këto hapa, ke falur dhe namazin e istihares dhe akoma je e bindur për këtë lidhje, të jesh e sigurtë që Zoti nuk ka vendosur për ty veçse atë që është e dobishme për ty. Sido që të ndodhë, të realizohet kjo lidhje apo të prishet, dije se do të jetë në dobinë tënde. Vetëm pas disa kohësh do e zbulosh që ka qenë në të mirën tënde.

Pasi t’i kesh kryer të gjithë hapat e mësipërm dhe të kesh falur istiharen, lëri vetes dhe familjes një periudhë të logjikshme kohe. Kjo periudhë mund të jetë disa muaj, një vit, më shumë ose më pak, sipas rrethanave.

Një prind vajti tek i dërguari i Zotit dhe i tha:”O i dërguari i Zotit! Dy veta kanë kërkuar dorën e vajzës time. Njëri prej tyre është i pasur, kurse tjetri i varfër. Ne duam që vajzën tona t’a martojmë me të pasurin. Çfarë më këshillon ti?”

 

 Profeti a.s e pyeti:”Po vajza, me kë pëlqen të martohet?”Prindi i tha:”Me të varfërin.”

Atëherë Profeti a.s i tha:”Për dy të dashuruar, nuk ka gjë më të mirë se martesa.”

Ai ishte i dërguari i Zotit, megjithatë i respektonte ndjenjat e të rinjve.

 

 E lusim Zotin që t’i ruajë të rinjtë tanë nga grackat e shejtanit, t’i pajisë me dritën e besimit dhe të udhëzimit dhe t’ju japë begati dhe bereqet në jetë.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free