PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Dhurata e kurores (Mehri)

Feja islame i ka kushtuar rëndësi përkujdesjes ndaj gruas dhe respektimit të saj duke i dhënë të drejtën e posedimit të pasurisë. Në periudhën e injorancës paraislame gruas i janë mohuar të drejtat dhe kujdestari i saj ka zotëruar gjithë pasurinë e saj duke mos i dhënë mundësi që të posedojë pasuri dhe të menaxhajë pasurinë e saj.

Feja islame e ka çliruar gruan nga kjo padrejtësi duke e obliguar mehrin mbi burrin dhe duke e bërë atë të drejtë të gruas dhe jo të babait të saj. Asnjëri prej të afërmëve të saj nuk ka të drejtë të marrë diçka nga pasuria e saj përveç me lejen dhe pëlqimin e saj.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“Jepuani grave dhuratën e kurorës së tyre (mehrin) më të mirë. Në qoftë se ato me dëshirën e tyre ju dhurojnë diçka nga pasuria e tyre, atëherë hajeni atë pasi ajo është e mirë dhe e lejuar për ju.”[1]

Dhënia e mehrit për gratë është obligim që nuk mund të kompensohet. Nëse ato i dhurojnë burrit diçka nga mehri i tyre pasi e kanë zotëruar atë pa detyrim jo nga turpi ose mashtrim, atëherë ai mund ta marrë atë dhe kjo nuk konsiderohet mëkat.

Nëse gruaja i dhuron burrit diçka prej pasurisë së saj nga turpi, frika ose mashtrimi, atëherë ajo nuk lejohet të merret.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

“Në qoftë se dëshironi të merrni një grua në vend të një gruaje tjetër dhe njërës prej tyre i keni dhuruar më përpara një shumë të madhe, mos merrni prej saj asgjë. A do t’ia merrni atë pa të drejtë dhe në mënyrë mizore? Si mund t’ia merrni atë kur ju keni qënë të bashkuar me njëri-tjetrin (në një shtrat) dhe ato kanë marrë prej jush një premtim të fortë?”[2]

Mehri është i obliguar t’i jepet gruas nga burri për ta kënaqur atë pasi burri konsiderohet përgjegjës për gruan e tij.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

“Burrat janë përgjegjës për gratë sepse Allahu i ka preferuar disa mbi disa të tjerë dhe sepse ata kanë shpenzuar nga pasuritë e tyre.”[3]

Përveç kësaj, mehri është mjet për forcimin e lidhjes martesore dhe për realizimin e dashurisë dhe mëshirës në mes të bashkëshortëve.

 

 

Vlera e mehrit

 

Juriprudenca islame nuk ka përcaktuar kufinj minimalë ose maksimalë për vlerën e mehrit. Njerëzit ndryshojnë në aspektin e pasurisë dhe varfërisë dhe secili vend ka traditat dhe zakonet e tij. Vlera e mehrit është lënë e lirë për t’u përcaktuar nga secili sipas mundësisë së tij, gjëndjes financiare dhe traditave të familjes. Të gjitha argumentet tregojnë se kushti i vetëm i mehrit është që ai të jetë diçka me vlerë pa marrë parasysh nëse është në sasi të vogël apo të madhe. Lejohet që mehri të jetë një unazë hekuri, një enë e vogël me hurma, mësimi i Kuranit, etj. nëse të dy palët bien dakord për këtë.

1.      Amir Bin Rebia tregon se një grua nga fisi Benu Fezare është martuar dhe mehri ka qënë një palë sandale. Profeti (s.a.u.s.) e ka pyetur: “A ke qënë dakord që të marrësh për mehr një palë sandale?” Gruaja tha: “Po”. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) e lejoi këtë martesë."[4] Transmetuar nga Ahmedi, Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu i cili e konsideron hadithin të saktë.

 

2. Sehl Bin Sa’di tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë ta dhuroj ty veten time.” Ajo qëndroi gjatë duke pritur përgjigjen dhe pastaj një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, a mund të martohem unë me të nëse ti nuk e do për vete?” Profeti (s.a.u.s.) e pyeti: “A ke ndonjë pasuri për t’i dhënë asaj për mehr?” Ai tha: “Nuk kam asgjë tjetër përveç këtij izari.” *

Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Nëse ia dhuron asaj këtë mbulojë nuk do të mbetet ty asgjë për t’u mbuluar prandaj gjej diçka tjetër.” Burri tha: “Nuk gjej asgjë për t’i dhënë.” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Kërko të gjesh qoftë edhe një unazë prej hekuri.” Burri kërkoi por nuk gjeti asgjë. Profeti (s.a.u.s.) e pyeti: “A ke mësuar përmendësh ndonjë pjesë nga Kurani?” Burri i tregoi atij suret që dinte dhe pastaj Profeti (s.a.u.s.) tha: “U martoj juve me çfarë ti ke mësuar nga Kurani.”[5] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

Në disa transmetime të tjera të sakta thuhet: “Mësoi asaj çfarë ti di nga Kurani.”[6] Sipas transmetimit të Ebu Hurejres burri ka ditur rreth njëzet ajete kuranore.[7]

3. Enesi tregon se Ebu Talha kërkoi të fejohet me Ummu Sulejmin dhe ajo i tha: “Një burrë si ti nuk mund të refuzohet por ti je jobesimtar dhe unë jam muslimane. Mua nuk më lejohet që të martohem me ty. Nëse bëhesh musliman, atëherë ky është mehri im dhe nuk do të kërkoj gjë tjetër.” Me të vërtetë ajo u martua me të dhe Islami i tij ishte mehri i saj."[8]

Këto hadithe argumentojnë lejimin e mehrit në vlerë të vogël si edhe lejimin e konsiderimit të diçkaje të dobishme për mehr. Mësimi i Kuranit dhe pranimi i Islamit janë gjëra të dobishme.

Hanefijtë e kanë vlerësuar mehrin minimal dhjetë derhem, ndërsa Malikijtë e kanë vlerësuar atë tre derhem. Këto vlerësime nuk bazohen në ndonjë argument të qëndrueshëm prandaj nuk mund të merren për bazë.

Hafidhi ka thënë: “Janë transmetuar disa hadithe që flasin për vlerën minimale të mehrit por asnjeri prej tyre nuk është i saktë.”

Ibn Kajjimi i ka analizuar hadithet e sipërpërmendura duke thënë: “Ummu Sulejm ka zgjedhur që të përfitojë nga Islami i Ebu Talhas dhe ia ka dhuruar veten atij nëse përqafon Islamin. Ajo ka parapëlqyer këtë në vend të pasurisë që mund t’i jepte burri për mehr. Mehri është legjitimuar si e drejtë e gruas që ajo të përfitojë prej tij. Nëse gruaja preferon për mehr diturinë, besimin, të mësuarit e Kuranit ose pranimin e Islamit nga burrit, atëherë ky konsiderohet mehri më i dobishëm dhe më i preferuar. Në këtë rast nuk mund të themi se akti i martesës është bërë pa mehr. Ku bazohet gjykimi për vlerësimin e mehrit me tre apo dhjetë derhem duke përdorur analogjinë e vlefshmërisë së mehrit sipas rasteve të përmendura në argumentet e mësipërme? Gruaja në këtë rast nuk i ngjason gruas e cila ia ka dhuruar veten e saj Profetit (s.a.u.s.) sepse kjo gjë është lejuar vetëm për Profetin (s.a.u.s.) dhe jo për besimtarët. Gruaja në rastin e dytë ia dhuron veten Profetit (s.a.u.s.) pa pasur nevojën e miratimit të kujdestarit dhe pa kërkuar vlerën e mehrit. Ndërsa për njerëzit e tjerë martesa duhet të plotësohet me pëlqimin e kujdestarit dhe me pranimin e mehrit. Nëse mehri nuk është diçka materiale kjo do të thotë se gruaja e ka kompensuar atë me diçka të dobishme dhe nuk ia ka dhuruar veten burrit pa asnjë shpërblim. Allahu (xh.sh.) e ka specifikuar vetëm për Profetin (s.a.u.s.) që gruaja t’ia dhurojë veten atij pa kërkuar mehr.

Këto hadithe nuk përputhen me thëniet e disa dijetarëve si Ebu Hanifja dhe Ahmedi sipas një transmetimi, se mehri duhet të jetë vetëm në vlerë materiale dhe nuk lejohet që të jetë diçka e dobishme si p.sh. dituria, mësimi i Kuranit, etj.

Mendimi i Malikut se mehri minimal është tre derhem dhe mendimi i Ebu Hanifes se mehri minimal është dhjetë derhem nuk bazohen në argumente të qëndrueshme.

Në lidhje me mehrin ka edhe disa mendime të tjera që devijojnë nga e vërteta dhe nuk bazohen në asnjë argument nga Kurani, Tradita Profetike, mendimi unanim i dijetarëve islamë, analogjia apo thënia e ndonjë shoku të Profetit (s.a.u.s.).

Pretendimi i disave se hadithet e përmendura më sipër janë të specifikuara vetëm për Profetin (s.a.u.s.), të anulluara ose banorët e Medines nuk kanë vepruar sipas tyre është pretendim i pabazuar në ndonjë argument dhe si i tillë nuk merret në konsideratë.

Transmetohet se njëri ndër banorët më të njohur të Medines, Sejid Bin Musejebi e ka martuar vajzën e tij duke e përcaktuar mehrin vetëm dy derhem dhe askush nuk e ka kundërshtuar këtë. Përkundrazi kjo gjë është konsideruar shprehje e virtyteve të tij të larta. Abdurrahman Bin Aufi është martuar duke dhënë për mehr vetëm pesë derhem dhe Profeti (s.a.u.s.) e ka miratuar këtë martesë. Askush tjetër përveç Allahut (xh.sh.) nuk ka të drejtë të përcaktojë kufinjtë e vlerës së mehrit.”

Përsa i përket vlerës maksimale të mehrit mund të themi se ai nuk është i kufizuar.

Omeri (r.a.), duke folur në minber e ka ndaluar që mehri të jetë në vlerë më të madhe se 400 derhem. Pasi ka zbritur nga minberi një grua nga fisi Kurejsh e ka kundërshtuar duke i thënë: “A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut të Madhëruar:

??????????? ????????? ??????

“Dhe njërës prej tyre i keni dhuruar më përpara një shumë të madhe” [9]

Atëherë Omeri (r.a.) tha: “O Zot më fal, ka njerëz që janë më të ditur se Omeri.” Pastaj u ngjit përsëri në minber dhe tha: “Më parë ua ndalova që vlera e mehrit të më e lartë se 400 derhem. Tani po u them se kush dëshiron mund të japë sa të dëshirojë nga pasuria e tij.”[10] Transmetuar nga Said Bin Mensuri dhe Ebu Ja’la sipas një vargu të mirë transmetimi.

Abdullah Bin Mus’abi tregon se Omeri (r.a.) ka thënë: “Mos u jepni grave mehr më të lartë se 40 ons[11] argjend. Kush jep më shumë, do ta kaloj shtesën në arkën e shtetit.” Një grua i tha: “Nuk ke të drejtë ta bësh këtë.” Omeri (r.a.) e pyeti: “Përse?” Gruaja i tha: “Sepse Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Dhe njërës prej tyre i keni dhuruar më përpara një shumë të madhe” [12]

Atëherë Omeri (r.a.) tha: “Kjo grua thotë të vërtetën ndërsa unë gabova.”[13]

 

Mospreferimi i teprimit në rritjen e vlerës së mehrit

 

Feja islame i ka kushtuar rëndësi që t’i japë mundësinë për t’u martuar dhe për të shijuar kënaqësitë bashkëshortore një numri sa më të madh burrash dhe grash. Ky qëllim mund të realizohet vetëm me anë të lehtësimit të mjeteve të martesës në mënyrë të tillë që kjo të mundësohet edhe për të varfërit të cilët nuk kanë mundësi të japin shumë pasuri.

Meqënëse të varfërit përbëjnë shumicën, Islami nuk e pëlqen rritjen e vlerës së mehrit në mënyrë të tepruar. Ai na mëson se sa më i vogël të jetë mehri aq më e bekuar dhe e lumtur do të jetë martesa.

Aishja (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Martesa më e bekuar është ajo që që ka më pak shpenzime.”[14]

Profeti (s.a.u.s.) gjithashtu ka thënë: “ Lumturia e gruas konsiston në vlerën e vogël të mehrit, lehtësimin e martesës dhe në moralin e saj të mirë. Fatkeqësia e saj konsiston në vlerën e madhe të mehrit, vështirësimin e martesës dhe në moralin e saj të keq.”[15]

Shumë njerëz i neglizhojnë këto mësime të larta dhe ndjekin zakonet e vjetra të periudhës paraislame për rritjen e vlerës së mehrit në mënyrë të tepruar. Ata nuk pranojnë të martojnë vajzat e tyre nëse burri nuk është i aftë të paguajë një vlerë të madhe pasurie për mehr. Kjo gjë ia vështirëson martesën burrit dhe e kthen gruan në një plaçkë që shitet dhe blihet. Shumë të rinj ankohen për këtë gjë sepse ajo ka shkaktuar shfaqjen e krizës së martesës e cila i dëmton burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë. Nga ana tjetër, kjo ka shkaktuar shfaqjen e degjenerimit dhe degradimit moral pasi e ndaluara është bërë më e lehtë për t’u arritur sesa e lejuara.

 

 

Përshpejtimi i pagimit të mehrit dhe shtyrja e tij

 

Lejohet përshpejtimi i pagimit të mehrit dhe shtyrja e tij ose përshpejtimi i pagimit të një pjese të mehrit dhe shtyrja e pagimit të pjesës së mbetur sipas traditave dhe zakoneve të njerëzve.

Preferohet përshpejtimi i pagimit të një pjese të mehrit duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ibn Abbasi (r.a.) i cili tregon se Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar Aliun (r.a.) që të kryejë marrëdhënie intime me Fatimen derisa t’i japë asaj një pjesë të mehrit. Aliu ka thënë: “Nuk posedoj asgjë për t’i dhënë asaj.” Profeti (s.a.u.s.) e ka pyetur: “Ku e ke mburojën tënde?” Atëherë Aliu i dha asaj mburojën e tij."[16] Transmetuar nga Ebu Daudi, Nesaiu dhe Hakimi i cili e konsideron hadithin të saktë.

Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh transmetojnë se Aishja (r.a.) ka thënë: “Më ka urdhëruar Profeti (s.a.u.s.) që ta lejoj një grua të kryejë marrëdhënie intime me burrin e saj para se ai t’i japë asaj diçka nga mehri.”[17]

Ky hadith tregon se lejohet që bashkëshortët të kryejnë marrëdhënie intime para se burri t’i japë diçka nga mehri gruas. Ndërsa hadithi i transmetuar nga Ibn Abbasi (r.a.) tregon se ndalimi i kryerjes së marrëdhënieve intime para se burri t’i japë gruas diçka nga mehri është i preferuar.

Euzaiu ka thënë: “Muslimanët e parë e kanë preferuar moskryerjen e marrëdhënieve intime në mes bashkëshortëve para dhënies së një pjese të mehrit.”

Zuhriu ka thënë: “Tradita Profetike na mëson se bashkëshortët nuk duhet të kryejnë marrëdhënie intime para se burri t’i japë gruas diçka nga mehri ose ndonjë rrobë. Kështu kanë vepruar dhe muslimanët e parë.”

Burri ka të drejtë të kryejë marrëdhënie me gruan e tij dhe ajo duhet t’i dorëzohet atij dhe të mos e refuzojë edhe nëse nuk i ka dhënë ende mehrin e përshpejtuar për të cilin kanë rënë dakort edhe pse ky mehr është haku (e drejtë) i, e saj.

Ibn Hazmi ka thënë: “Kur dikush martohet, pa marrë parasysh nëse e ka përcaktuar shumën që do t’i japë gruas ose jo, ai ka të drejtë të kryejë marrëdhënie intime me gruan e tij me ose pa dëshirën e saj. Burri është i obliguar që t’i japë më vonë gruas vlerën e mehrit me ose pa dëshirën e tij. Mosdhënia e një pjese të mehrit nuk është shkak për ndalimin e marrëdhënieve bashkëshortore.Burrit i jepet e drejta që të kryej marrëdhënie me të edhe para dhënies së mehrit, ndërsa gruas i jepet e drejta të përfitojë mehrin prej burrit të saj sipas mehrit që ai ka (i gjendet). Nëse nuk e kanë përcaktuar vlerën e mehrit, atëherë ai duhet t’i japë gruas vlerën e mehrit mesatar ose një vlerë tjetër më të vogël apo më të madhe nëse bien dakord për këtë.”

Ebu Hanifja ka thënë: “Burri ka të drejtë të kryejë marrëdhënie intime me gruan e tij me ose pa dëshirën e saj nëse ata kanë rënë dakord për shtyrjen e dhënies së mehrit sepse ajo vetë ka rënë dakort për shtytjen e mehrit dhe kjo nuk e rrëzon të drejtën e tij (burrit). Nëse ata kanë rënë dakord për parapagimin e mehrit ose të një pjese të tij, atëherë burrit i lejohet të kryejë marrëdhënie intime me gruan e tij derisa t’i japë asaj vlerën e mehrit për të cilën ata kanë rënë dakord. Gruaja ka të drejtë të refuzojë kryerjen e marrëdhënieve intime derisa burri të parapaguajë vlerën e mehrit për të cilën ata kanë rënë dakord.”

Ibn Mundhiri ka thënë: “Të gjithë dijetarët që dimë kanë rënë dakord se gruaja ka të drejtë të refuzojë kryerjen e marrëdhënieve intime derisa burri t’i japë asaj mehrin.”

Autori i librit “El- Muhal-la” e ka debatuar(diskutuar) këtë mendim(mendimin e Ibn Mundhirit) dhe ka thënë: “Të gjithë dijetarët islamë janë dakord se me lidhjen e aktit të martesës ajo bëhet bashkëshortja e tij. Gruaja konsiderohet e lejuar për burrin dhe burri konsiderohet i lejuar për gruan. Ata që mendojnë se gruaja ka të drejtë të refuzojë kryerjen e marrëdhënieve intime derisa burri t’i japë asaj mehrin ose një pjesë të tij kanë ndarë burrin nga gruaja e tij pa pasur ndonjë argument nga Kurani ose Tradita Profetike për këtë.”

E vërteta është ajo që kemi thënë më sipër se burrit nuk i mohohet e drejta e tij dhe gruas e drejta e saj e mehrit. Burri ka të drejtë të kryejë marrëdhënie intime me gruan e tij me ose pa dëshirën e saj dhe ai është i obliguar t’i japë asaj nga pasuria që ka vlerën e mehrit me ose pa dëshirën e tij. Profeti (s.a.u.s.) e ka konfirmuar vërtetësinë e thënies: “Secilit jepi të drejtën e tij.”[18]

 

Kur obligohet dhënia e mehrit të caktuar plotësisht

 

Mehri i caktuar duhet të jepet i plotë në rastet e mëposhtme:

1-        Kur ndodh kryerja e marrëdhënieve intime duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

“Në qoftë se dëshironi të merrni një grua në vend të një gruaje tjetër dhe njërës prej tyre i keni dhuruar më përpara një shumë të madhe, mos merrni prej saj asgjë. A do t’ia merrni atë pa të drejtë dhe në mënyrë mizore? Si mund t’ia merrni atë kur ju keni qënë të bashkuar me njëri-tjetrin (në një shtrat) dhe ato kanë marrë prej jush një premtim të fortë?”[19]

2-        Kur njëri prej bashkëshortëve vdes para kryerjes së marrëdhënieve intime.Ky është mendimi unanim i gjithë dijetarëve.

3-        Ebu Hanifja mendon se në qoftë se bashkëshortët qëndrojnë vetëm, atëherë gruaja ka të drejtën e mehrit të plotë. Kjo është e vlefshme për rastin kur burri dhe gruaja qëndrojnë në një vend vetëm dhe janë të sigurtë se nuk i sheh kush dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore për kryerjen e marrëdhënieve intime si p.sh. njëri prej tyre të jetë duke plotësuar një agjërim të detyrueshëm ose gruaja të jetë me menstruacione. E njëjta gjë vlen edhe në rastin kur ata rrinë vetëm dhe nuk ka asnjë pengesë fizike ose natyrore për kryerjen e marrëdhënieve intime si p.sh. njëri prej tyre të mos jetë i aftë për kryerjen e marrëdhënieve intime për shkak të ndonjë sëmundjeje ose me ta ndodhet një person i tretë.

 

Ebu Hanifja e argumenton mendimin e tij me transmetimin e Ebu Ubejdes nga Zaide Bin Ebu Eufa i cili thotë: “Katër prijësit e parë të udhëzuar e të drejtë të muslimanëve kanë gjykuar se kur mbyllet dera dhe ulen perdet atëherë obligohet dhënia e mehrit.”[20]

Vekiu transmeton se Nafi Bin Xhubejri ka thënë: “Shokët e Profetit (s.a.u.s.) kanë thënë se kur ulen perdet dhe mbyllet dera atëherë obligohet dhënia e mehrit.” Sepse ajo e ka plotësuar detyrimin e saj duke ia dorëzuar veten e saj bashkëshortit dhe për rrjedhojë asaj i takon mehri.

Shafiu, Maliku dhe Daudi e kanë kundërshtuar këtë mendim duke thënë: “Mehri i plotë duhet të jepet vetëm kur bashkëshortët kryejnë marrëdhënie intime.[21] Kur bashkëshortët qëndrojnë në një vend vetëm, atëherë obligohet dhënia e gjysmës së mehrit duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Nëse i divorconi ato para kryerjes së marrëdhënieve intime, dhe më parë u keni caktuar atyre një dhuratë martese (mehr) të caktuar, atëherë duhet t’u jepni atyre gjysmën e asaj që keni caktuar.”[22]

Obligohet dhënia e gjysmës së mehrit kur divorci ndodh para se burri ta prekë gruan me të cilën nënkuptohet kryerja e marrëdhënieve intime. Në rastin e të ndenjurit të bashkëshortëve vetëm nuk ndodh prekja dhe si rrjedhim, nuk obligohet dhënia e mehrit të plotë. Shurejhu ka thënë: “Nuk kam dëgjuar që Allahu të ketë përmendur në Kuran derë ose perde. Nëse burri pretendon se ai nuk e ka prekur gruan, atëherë ai duhet të japë vetëm gjysmen e mehrit.”

Said Bin Mensuri transmeton se Ibn Abbasi ka thënë në lidhje me një burrë që ka ndenjur vetëm me gruan e tij dhe më pas e ka divorcuar atë duke pretenduar se nuk e ka prekur: “Ai duhet të japë gjysmën e mehrit.”[23]

Abdurrezaku transmeton se Ibn Abbasi ka thënë: “Mehri i plotë obligohet vetëm kur burri kryen marrëdhënie intime me gruan.”

 

Obligimi i dhënies së mehrit të përcaktuar në një martesë të parregullt

pas kryerjes së marrëdhënieve intime

 

Në qoftë se një burrë martohet me një grua, kryejnë marrëdhënie intime së bashku dhe më vonë rezulton se akti i martesës nuk ka qënë i rregullt për ndonjë arsye, atëherë obligohet që burri t’i japë gruas mehrin e caktuar plotësisht. Ebu Daudi transmeton se Basra Bin Ekthemi është martuar me një grua të pamartuar më parë dhe pasi ka kryer marrëdhënie me të ka rezultuar se ajo është shtatzënë nga një burrë tjetër. Kur i ka treguar Profetit (s.a.u.s.) për këtë, ai ka thënë: “Gruas i jepet mehri i plotë sepse ke kryer marrëdhënie me të. Fëmija i saj do të jetë skllavi yt dhe kur ajo të lindë, fshikullojeni me kamxhik.”[24]

Ky hadith tregon se obligohet dhënia e mehrit të plotë në një martesë të parregullt nëse bashkëshortët kryejnë marrëdhënie intime. Nga ana tjetër, ky hadith argumenton pavlefshmërinë dhe prishjen e martesës me një grua shtatzënë nga marrëdhëniet jashtë kurore.

 

Martesa pa përmendjen e mehrit

 

Martesa pa përmendjen e mehrit është e vlefshme sipas mendimit të shumicës së dijetarëve duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Nuk është mëkat për ju nëse i divorconi gratë para kryerjes së marrëdhënieve intime me to dhe para se t’u caktoni atyre vlerën e mehrit.”[25]

Ky ajet do të thotë se nuk është mëkat ndarja e gruas para kryerjes së marrëdhënieve intime dhe para caktimit të mehrit.

Nëse dikush martohet pa e caktuar mehrin duke e kushtëzuar mosdhënien e tij, atëherë martesa nuk është e vlefshme. Ky është mendimi i Malikijve dhe Ibn Hazmit i cili ka thënë: “ Nëse burri kushtëzon mosdhënien e mehrit, atëherë martesa është e parregullt duke u bazuar në fjalën e Profetit (s.a.u.s.): “Çdo kusht që nuk është përmendur në librin e Allahut (xh.sh.) është i pavlefshëm.”[26] Kushtëzimi i mosdhënies së mehrit nuk është i përmendur në librin e Allahut, prandaj ai është i pavlefshëm. Përkundrazi, Allahu (xh.sh.) përmend në librin e Tij atë çka e hedh poshtë këtë kusht. Ai thotë në Kuran:

“Jepuani grave dhuratën e kurorës së tyre (mehrin) më të mirë.”[27]

Pra është e qartë që ai është një kusht i pavlefshëm dhe martesa e përmendur më sipër (me vënien kusht mos dhënien e mehrit) nuk është lidhur veçse duke e konsideruar  të saktë atë çka në të vërtetë është e gabuar .Përfundimisht kjo martesë nuk është e saktë.

Hanefijtë mendojnë se martesa është e rregullt sepse mehri sipas tyre nuk është prej kushteve dhe bazave të aktit të martesës.

 

 

Obligimi i dhënies së mehrit mesatar pas kryerjes së marrëdhënieve intime

ose vdekjes së burrit para kryerjes së marrëdhënieve intime

 

Nëse burri kryen marrëdhënie intime me gruan ose vdes para kryerjes së marrëdhënieve intime, atëherë gruaja ka të drejtën e mehrit mesatar dhe trashëgimisë. Ebu Daudi transmeton se Abdullah Bin Mes’udi ka thënë në lidhje me këtë çështje: “Po them mendimin tim në lidhje me këtë çështje, nëse është i saktë, ai është prej Allahut (xh.sh.) dhe nëse nuk është i saktë, ai është prej meje. Në këtë rast gruaja ka të drejtën e mehrit që u jepet grave të tjera të ngjashme me të pa i shtuar apo hequr diçka. Gruaja duhet të respektojë periudhën e pritjes dhe ajo ka të drejtë në trashëgimi.” Makil Bin Jesari është ngritur dhe ka thënë: “Vërtetoj se ke gjykuar sipas gjykimit të Profetit (s.a.u.s.) në rastin e Berva Bint Vashik.”[28]

Të këtij mendimi janë edhe Ebu Hanifja, Ahmedi, Daudi dhe Shafiu sipas thënies së tij më të saktë

 

Mehri mesatar

 

Mehri mesatar është mehri të cilin e meriton gruaja dhe i cili u jepet grave të ngjashme me të gjatë kohës së lidhjes së aktit të martesës në moshë, bukuri, pasuri, zgjuarsi, besim, virgjëri, ka qenë e martuar më parë, vendi dhe gjithçka që është shkak për ndryshimin e sasisë së mehrit. Kjo ngjashmëri merret parasysh në kohën dhe vendin e nënshkrimit të aktit. Ngjashmëria merret në konsideratë edhe në aspektin e të pasurit fëmijë apo jo sepse vlera e mehrit të një gruaje ndryshon në varësi të këtyre cilësive.

Gruaja duhet të krahasohet me gratë e afërta me të nga ana e babait si motra, halla dhe vajzat e xhaxhallarëve. Ndërsa Ahmedi ka thënë: “Gruaja mund të krahasohet me gratë e afërta me të si nga ana e babait ashtu dhe nga ana e nënës.”

Nëse gruaja nuk ka ndonjë grua të afërt nga ana e babait që mund të krahasohet me të për të caktuar vlerën e mehrit, atëherë gruaja mund të krahasohet me një grua jo të afërt familja e së cilës i ngjason familjes së saj.

 

Martesa e vajzës që nuk e ka arritur moshën madhore me një vlerë mehri më të vogël se mesatarja

 

Shafiu, Daudi, Ibn Hazmi dhe dy shokët e Ebu Hanifes mendojnë se babait nuk i lejohet  që ta martojë vajzën e tij që nuk e ka arritur moshën madhore me një vlerë mehri më të vogël se mesatarja. Vajza nuk është e detyruar ta pranojë gjykimin e babait sepse mehri mesatar është e drejtë e saj dhe babai nuk ka të drejtë të ndërhyjë në pasurinë e saj.

Ebu Hanifja ka thënë: “Nëse babai e marton vajzën e tij që nuk e ka arritur moshën madhore me një vlerë mehri më të vogël se mesatarja, kjo është e lejuar. Kjo gjë lejohet kur martesa bëhet vetëm nga babai ose gjyshi i vajzës.”

 

Përgjysmimi i mehrit

 

Burri është i obliguar t’i japë gjysmën e vlerës së mehrit gruas të cilën e divorcon para kryerjes së marrëdhënieve intime nëse ata e kanë caktuar vlerën e mehrit para martesës. Allahu i Lartësuar thotë:

“Nëse i divorconi ato para kryerjes së marrëdhënieve intime, dhe më parë u keni caktuar atyre një dhuratë martese (mehr) të caktuar, atëherë duhet t’u jepni atyre gjysmën e asaj që keni caktuar përveç nëse ato ju falin ose ju fal ai në dorën e të cilit është lidhja e kurorës. Me të vërtetë falja është më afër devotshmërisë. Mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush. Vërtet Allahu shikon çfarë veproni.”[29]

 

Domosdoshmëria e kompensimit të mehrit

 

Nëse burri e divorcon gruan para kryerjes së marrëdhënieve intime dhe ata nuk e kanë përcaktuar vlerën e mehrit në kohën e nënshkrimit të aktit, atëherë ai duhet t’i japë gruas një vlerë kompensimi të mehrit. Ky është njëri prej llojeve të lirimit me mirësi për të cilin Allahu i Lartësuar flet në ajetin e mëposhtëm:

 



“Ose mbajini ato me dashamirësi ose lirojini me mirësi.”[30]

Të gjithë dijetarët islamë janë të mendimit se gruas së cilës nuk i është caktuar mehri më përpara dhe që ndahet para kryerjes së marrëdhënieve intime, nuk i jepet gjë tjetër përveç kompensimit. Vlera e kompensimit ndryshon në varësi të pasurisë së burrit. Ai nuk ka kufinj të caktuar duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

“Nuk është mëkat për ju nëse i divorconi gratë para kryerjes së marrëdhënieve intime me to dhe para se t’u caktoni atyre vlerën e mehrit, por kompensoni ato; i pasuri sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij. Kompensimi me dashamirësi është obligim për besimtarët e devotshëm.”[31

 

Anullimi i mehrit

 

Burri nuk është i obliguar t’i japë gruas mehrin kur ndarja ndodh nga ana e gruas para kryerjes së marrëdhënieve intime. Kështu nëse gruaja e braktis fenë islame ose e prish aktin e martesës për shkak të pamundësisë së burrit për të përballuar shpenzimet financiare ose për shkak të të metave të tij, atëherë ajo nuk ka të drejtë mehri. E njëjta gjë vlen edhe kur burri e prish aktin e martesës për shkak të të metave të gruas ose kur gruaja bën zgjedhjen e prishjes së martesës pas arritjes së moshës madhore.

Gruaja në këto raste nuk përfiton kompensim mehri sepse prishja e martesës është bërë nga ana e saj.

Mehri anullohet gjithashtu edhe në rastin kur gruaja vetë kërkon që burri mos t’ia japë mehrin para kryerjes së marrëdhënieve intime ose kur ajo i’a dhuron mehrin burrit të saj. Në këtë rast mehri anullohet nga gruaja dhe është e drejta e saj të veprojë si të dëshirojë me të.

 

Rritja e vlerës së mehrit pas nënshkrimit të aktit të martesës

 

Ebu Hanifja ka thënë: “Rritja e vlerës së mehrit pas nënshkrimit të aktit të martesës është e pranueshme nëse bashkëshortët kryejnë marrëdhënie intime ose kur burri vdes. Nëse burri e divorcon gruan para kryerjes së marrëdhënieve intime, atëherë rritja e vlerës së mehrit nuk është e pranueshme dhe gruaja ka të drejtë që të marrë vetëm gjysmën e mehrit të caktuar.” *

Maliku ka thënë: “Rritja e vlerës së mehrit është e pranueshme nëse bashkëshortët kryejnë marrëdhënie intime. Nëse burri e divorcon gruan para kryerjes së marrëdhënieve intime, atëherë ajo ka të drejtë të marrë gjysmën e shtesës dhe gjysmën e mehrit të caktuar. Nëse burri vdes para kryerjes së marrëdhënieve intime dhe para dhënies së shtesës së mehrit, atëherë rritja e vlerës së mehrit nuk është e vlefshme dhe gruaja ka të drejtë të marrë vetëm mehrin e caktuar.”

Shafiu ka thënë: “Rritja e vlerës së mehrit konsiderohet dhuratë. Nëse burri ia ka dhënë atë gruas, ajo lejohet. Nëse jo, ajo nuk është e vlefshme.”

Ahmedi ka thënë: “Rritja e vlerës së mehrit ka të njëjtin gjykim sikurse mehri i caktuar.”

 

 

Mehri i mbajtur sekret dhe mehri i shpallur

 

Nëse dy palët e martesës bien dakord për mbajtjen sekret të vlerës së mehrit dhe shpallin para njerëzve një vlerë më të madhe, lind pyetja: Nëse lindin mosmarrveshje në mes palëve, si mund të veprojë gjykatësi?

Ebu Jusufi ka thënë: “Gjykatësi duhet të gjykojë sipas vlerës së mbajtur sekret sepse ajo përfaqëson vullnetin dhë qëllimin e vërtetë të palëve.”

Disa dijetarë të tjerë mendojnë se gjykatësi duhet të marrë në konsideratë vlerën e mehrit të shpallur gjatë aktit të martesës. Çfarë ka qënë sekret e di vetëm Allahu (xh.sh.) dhe gjykimi duhet të bazohet në atë që dihet. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Muhamedit, Ahmedit (sipas thënies së transmetuar nga Ethremi), Shabiut, Ibn Ebu Lejlës dhe Ebu Ubejdit.

 

 

Marrja e mehrit

 

Nëse gruaja nuk e ka arritur moshën madhore, atëherë babai i saj ka të drejtë ta marrë mehrin sepse ai është kujdestari i pasurisë së saj prandaj atij i takon ta marrë këtë mehr njëlloj siç i takon të marrë vleftën e mallit të saj pas shitjes së tij. Nëse gruaja nuk ka baba ose gjysh, atëherë kujdestari i saj financiar e merr mehrin e saj dhe e lë atë në ruajtje të  por ai nuk ka të drejtë ta përdorë atë pa lejen e gjykatës përkatëse. Përsa i përket mehrit të gruas së rritur që ka qënë e martuar më përpara, askush nuk ka të drejtë ta marrë atë pa lejen e saj nëse është e pjekur sepse vetëm ajo mund të veprojë me pasurinë e saj. Nëse babai e merr mehrin në praninë e saj, kjo nënkupton se ajo e lejon atë që të veprojë në këtë mënyrë pasi heshtja e saj konsiderohet aprovim i veprimit të babait.

Ndërsa mehri i vajzës që nuk ka qënë e martuar më përpara por që është në moshë madhore dhe e shëndoshë nga ana mendore, nuk mund të merret nga babai pa miratimin e saj nëse e ka arritur moshën juridike[32] sikurse gruaja që ka qënë e martuar më përpara, ndërsa burri konsiderohet se ka dalë nga kjo përgjegjësi pasi leja e saj për marrjen e mehrit nga babai i saj i ngjason rastit kur babai merr vleftën e mallit të saj pas shitjes së tij.

Disa dijetarë mendojnë se babai ka të drejtë ta marrë mehrin pa miratimin e saj sepse ajo i ngjason vajzës së vogël në moshë dhe sepse kjo është në traditën e njerëzve.

 

Paja e nuses

 

Paja përfshin orenditë shtëpiake dhe rrobat që gruaja dhe familja e saj përgatisin që ajo t’i marrë me vete tek shtëpia e burrit pas martesës. Eshtë bërë traditë që gruaja dhe familja e saj të pajisin shtëpinë bashkëshortore me orendi të ndryshme dhe ky është një mjet për ta bërë gruan të lumtur me rastin e dasmës së saj.

Nesaiu trensmeton se Aliu (r.a.) ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) e ka përgatitur Fatimen me rastin e martesës duke i dhënë asaj një rrobë kadifeje, një shakull dhe një jastek të mbushur me bimë me aromë të mirë.”[33]

Kjo nuk është gjë tjetër veçse traditë e njerëzve.

Në aspektin fetar përgjegjësi i vetëm për mbushjen e shtëpisë me orendi dhe gjëra të tjera të nevojshme është burri. Gruaja nuk është përgjegjëse për ta bërë këtë pa marrë parasysh vlerën e mehrit që i është dhënë, edhe nëse vlera e mehrit është shtuar me qëllim përgatitjen e pajës. Mehri i jepet gruas në këmbim të kënaqësive bashkëshortore dhe jo për mbushjen e shtëpisë bashkëshortore me orendi dhe gjëra të tjera. Mehri është e drejtë vetëm e gruas dhe babai, burri apo dikush tjetër nuk kanë të drejtë ta përdorin atë.

Malikijtë mendojnë se mehri nuk është e drejtë vetëm e gruas dhe për pasojë, ajo nuk mund ta përdorë atë për të mbuluar shpenzimet e saj apo për të paguar ndonjë borxh që ajo ka. Gjithsesi, lejohet që mehri të përdoret për shpenzimet e saj nëse gruaja është nevojtare dhe për të paguar ndonjë borxh të vogël nëse vlera e mehrit është e madhe.

Gruaja nuk ka të drejtë të bëjë gjërat e sipërpërmendura sepse ajo është e obliguar që të përgatisë pajën e saj dhe të mbushë shtëpinë bashkëshortore me orendi. Sipas traditave të njerëzve, gruaja e përgatit pajën me vlerën e mehrit që ka marrë nga burri para kryerjes së marrëdhënieve intime ose me vlerën e mehrit që ajo do të marrë nga burri nëse dhënia e mehrit është shtyrë. Nëse dhënia e një pjese të mehrit është shtyrë pas kryerjes së marrëdhënieve intime, atëherë gruaja nuk është e obliguar ta përdorë shumën që do të marrë më vonë për pajisjen e shtëpisë përveç rastit kur kjo është kushtëzuar apo është traditë.

Ligjëvënësit janë mbështetur mbi shkollën juridike malikije kur kanë përgatitur projektligjin e gjëndjes civile në lidhje me këtë çështje. Artikulli 66 i këtij projektligji thotë: “Gruaja është e obliguar të përgatisë pajën e saj me vlerën e mehrit që i është dhënë paraprakisht para kryerjes së marrëdhënieve intime nëse palët nuk kanë rënë dakord ndryshe. Nëse burri nuk i ka dhënë gruas paraprakisht asnjë vlerë nga mehri, atëherë ajo nuk është e obliguar të përgatisë pajën përveç nëse ata kanë rënë dakord për këtë apo kjo është traditë e njerëzve.” [34]

Ndërsa paja të cilën gruaja e përgatit nga pasuria e saj ose e babait të saj, ajo konsiderohet pronë e gruas dhe burri apo dikush tjetër nuk kanë të drejtë mbi të. Gruaja mund ta lejojë burrin dhe musafirët e tij që të përfitojnë prej saj. Gjithsesi, nëse ajo nuk dëshiron ajo ka të drejtë ta ndalojë burrin që të përfitojë prej pajës së saj dhe burri nuk mund ta detyrojë atë që të veprojë ndryshe.

Maliku ka thënë: “Burri ka të drejtë që të përfitojë nga paja e gruas së tij në përputhje me traditat e njerëzve.”

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free