PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Drejt nje fejese te suksesshme 1

Para se të zgjedhësh shokun e jetës, fillimisht njih veten.
 
Të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që janë në prag të martesës dhe krijimit të jetës bashkëshortore, kanë shumë pikëpyetje mbi periudhën e fejesës dhe rëndësinë e saj. Pyetjet me natyrë të pastër fetare dhe këshilluese mbi problemet kryesore, që hasen gjatë fejesës, janë të shumta. Gjithmonë pyetet, nëse këto probleme ndikojnë në prishjen e kësaj lidhjeje apo jo.
Vihet re që këto pyetje janë bërë më të shpeshta me rritjen e përqindjes së beqarisë tek vajzat dhe zvarritjes së martesës tek djemtë. Kështu, vendimi për prishjen e fejesës është një vendim shumë i vështirë, sidomos për vajzat, pasi kanë ndjerë një farë qetësie në zgjedhjen e të fejuarit.
Faktorët, që e bëjnë prishjen e fejesës të vështirë, mund të jenë familjarë, socialë dhe psikologjikë. Megjithatë, besoj se është më mirë, që të bëhet një reflektim dhe tërheqje në këtë periudhë, sesa të bëhet pas martese dhe lindjes së fëmijëve.
Njih veten
Të rinjtë duhet ta kuptojnë, se fejesa është një periudhë për thellimin e njohjes dhe prezantimit më në detaje me palën tjetër. Ajo është një etapë, ku secili heton aftësinë e tjetrit, për të qenë shok jete dhe ky është objektivi i vetëm i kësaj etape. Shumë të rinj e konceptojnë fejesën si premtim për martesë, premtim i cili vështirë të shkelet. Disa të tjerë e konceptojnë si një periudhë e zhvillimit të ndjenjave dhe dashurisë, pa u bazuar tek logjika dhe arsyeja.
Këtu del në pah dhe urtësia e fesë, sipas së cilës fejesa është mirë të mbahet e fshehtë dhe të mos publikohet, sepse është periudha e testimit të mirëkuptimit mes dy palëve, periudhë e cila mund të kurorëzohet me martesë ose jo. Prandaj mbajtja fshehtë shmang sikletin tek të dy palët, pasi u jep shansin që ta prishin fejesën, nëse konstatojnë se nuk ekzistojnë ura lidhëse mes të dyve.
Që të realizohet objektivi dhe qëllimi i plotë i fejesës, duhet të kemi parasysh disa hapa, të cilët duhen marrë në konsideratë nga të rinjtë e të dy gjinive, para se të marrin vendimin e martesës. Ato janë mekanizma të rëndësishëm për të finalizuar objektivin real të fejesës, që është “njohja”.
Besoj se hapi i parë drejt një fejese të suksesshme është “Njih veten”.
Gjatë këtij hapi, i cili i paraprin fejesës, secili duhet të prezantohet qartë me veten e tij, të njohë botën e tij të brendshme, psikologjinë, mendjen, ndjenjat, vlerat, objektivat dhe planet. Bazuar në këtë, secili e ka të qartë pastaj se çfarë kërkon nga pala tjetër, si duhet të jetë dhe çfarë kriteresh duhet të plotësojë.
1 – Aspekti shpirtëror
Me këtë dua të them, sa i përkushtuar je në fe, sa hapësirë zë feja në jetën tënde. Ky aspekt përbën një pjesë të madhe të motiveve të tua, vlerave dhe sjelljeve. Lidhur me këtë, njerëzit kanë diferenca, sipas vlerësimit të ritualeve, praktikumit të veprave vullnetare, afrimit me Zotin, veprimit të gjynaheve të rënda apo të lehta.
A ndjen se ke shumë mangësi lidhur me përkushtimin fetar? A je i kënaqur me marrëdhëniet që ke krijuar me Krijuesin tënd? Nëse jo, ku e sheh se çalon puna, në ritualet e përditshme, moralet apo marrëdhëniet me njerëzit? Përcaktoje qartësisht ku ndodhesh, që pastaj ta kesh të lehtë zgjedhjen e shokut të jetës. Problemet mes jush do të jenë të mëdha, nëse vihet re një dallim i madh në përkushtimin tuaj fetar.
2 – Identiteti.
Kur dikush na pyet:”Kush je ti?” Zakonisht përgjigjemi:”Unë jam filani”. Prandaj identiteti përcakton mënyrën si e sheh ti veten, negativisht apo pozitivisht.
Ka njerëz që përgjigjen:”Unë jam mysliman”. Ka të tjerë që përgjigjen: ”Unë jam doktor”. Të tjerë përgjigjen: ”Unë jam një dështak” “Unë jam i turpshëm”, “Unë jam ambicioz”, “Unë jam i pashpresë” etj... Prandaj kur dikush të pyet: ”Kush je ti”, përgjigja duhet të jetë e qartë, sepse ofron shumë informacion mbi identitetin tënd.
Të thuash se “Unë jam mysliman”, do të thotë se bindjet, sjelljet dhe vlerat e tua burojnë nga fakti, që ti i përket kësaj feje. Kur dikush tjetër përgjigjet: ”Unë jam doktor”, do të thotë se orientimi i tij në jetë është i lidhur ngushtë me këtë profesion. Kur dikush thotë: ”Unë jam i turpshëm”, do të thotë se ai nuk ka një komunikim social në nivel të kënaqshëm. Ai mund të ketë probleme bashkëshortore në të ardhmen për këtë shkak, pasi martesa nuk është gjë tjetër, veçse një lidhje sociale mes dy palëve, madje mes dy familjeve.
Prandaj mënyra si e sheh dhe e njeh veten, vlerësimi yt objektiv për veten me të mirat dhe të këqijat e saj, do të përcaktojnë edhe mënyrën si i sheh të tjerët dhe si të shohin ata.
3 – Bindjet.
Ato janë idetë, mendimet dhe opinionet që kemi magazinuar në mendjen tonë për njerëzit, shoqërinë dhe të gjithë botën, negative qofshin apo pozitive. Gjëja që ndikon më së shumti në jetën bashkëshortore, janë bindjet dhe koncepti yt për martesën dhe për seksin tjetër.
Prandaj, kur dikush pyetet: ”Çfarë është martesa për ty?”, dikush mund të përgjigjet:”Dashuri”. Dikush tjetër mund të përgjigjet:”Seks”, një tjetër thotë: ”Të bëhesh prind”. “Të çlirohesh nga prangat e prindërve dhe familjes” - thotë një tjetër. Dikush e sheh martesën si stabilitet dhe prehje. E njëjta gjë vlen dhe për konceptin dhe bindjen që ke krijuar për seksin tjetër. Le të shohim disa opinione dhe bindje të burrave për gratë dhe anasjelltas:
Të gjithë femrat janë idiote dhe mendjelehta. Në këtë rast, ti e sheh veten superior ndaj femrës.
Ato kanë mangësi në gjykim, por dhe në fe.
Eh, janë krijuar nga një brinjë e shtrembër.
Me gratë vlen vetëm dajaku.
Kur them femër, më shkon mendja tek bukuria.
Femër do të thotë arsye.
Femra është simbol i brishtësisë dhe butësisë.
Të gjithë burrat e kanë mendjen tek femrat.
Burrave u duhet treguar kufiri. .
Burrat janë të padrejtë.
Burrëri do të thotë morale.
Burrëri do të thotë hijeshi.
Burrëri do të thotë energji dhe forcë.
Burrëri do të thotë pasuri.
Bindjet dhe koncepti i njerëzve rreth martesës dhe seksit tjetër janë të ndryshme. Prandaj, duhet përcaktuar qartë koncepti që ke për martesën dhe si e sheh seksin tjetër. Kur dikush e koncepton femrën si simbol të bukurisë, ai kërkon të bukurat për t`u martuar. Nëse heq dorë nga ky kriter, martesa nuk do të jetë e suksesshme. Ajo që ka bindjen, se burrat e kanë mendjen tek femrat, mund ta mbyllë njërin sy përsa i përket lidhjeve të mëparshme të djalit, që ka kërkuar dorën e saj.
4 – Kapacitetet.
Ato janë aftësitë, që e dallojnë dikë nga të tjerët. Aftësitë dhe kapacitetet që të mungojnë, shkaktojnë probleme në jetën tënde. Gjëja që ndikon më së shumti në jetën bashkëshortore, është aftësia jote për kontakte dhe komunikim me njerëzit. Prandaj, a ke probleme në komunikimin tënd me motrat e tua, shokët, familjet etj..., apo je person i lehtë në komunikim dhe pa komplekse.
Bazuar në aftësitë e tua për komunikim me të tjerët, do të bazohet edhe aftësia për mirëkuptim me palën tjetër dhe shokun e jetës. Sa më i sinqertë dhe i qartë të jesh me veten, në përcaktimin dhe identifikimin e aftësive që të mungojnë, aq më i suksesshëm do të jesh në zgjedhjen e shokut të jetës. Por kjo ndodh, nëse ke në plan t`i zhvillosh aftësitë e tua dhe t`i plotësosh mangësitë.
5 – Sjelljet.
Cilat janë sjelljet e tua pozitive, të cilat u bëjnë përshtypje njerëzve dhe i bëjnë objekt bisede? Cilat janë sjelljet e tua negative, prej të cilave vuajnë njerëzit që të rrethojnë, shokët dhe të afërmit? Përgjigja e saktë të ndihmon në vlerësimin e vetes dhe pastaj në përcaktimin e pikave të dobëta tek vetja.
6 – Ambienti.
Këtu kam për qëllim rrethin, ku jeton ti, familja, shokët dhe komuniteti yt, si dhe shkallën e ndikimit të tyre tek ti.
Për shembull, niveli ekonomik dhe rangu shoqëror i familjes tënde. A është familja jote e hapur, apo është fanatike dhe e mbyllur? A është familja jote fetare dhe besimtare apo jo? Cilat janë zakonet dhe traditat e ambientit ku jeton dhe sa ndikojnë ato në formimin e bindjeve të tua? A është familja jote një familje e shëndoshë dhe e stabilizuar, apo është një familje e denigruar dhe e shpërbërë? A kanë prindërit e tu, nëna dhe babai, personalitet tirani dhe diktatori?
Këto që cekëm, përcaktojnë qartë tipin e personalitetit tënd, të cilin lipset ta njohësh mirë. Duhet të njohësh pikat e forcës dhe të dobësisë tek vetja, me qëllim që kur të marrësh vendimin e martesës, ta kesh të qartë se çfarë dëshiron nga pala tjetër dhe si ta shtosh mirëkuptimin me të.
Kështu, nëse je i turpshëm dhe jo social, mund të preferosh një ekuivalent të kësaj natyre në zgjedhjen e shokut të jetës, gjithmonë nëse je i kënaqur me këtë natyrë. Ose mund të kërkosh një tip social, i cili do të ndihmojë ta ndryshosh natyrën tënde të turpshme dhe jo sociale. Në këtë rast duhet të jesh i qartë me palën tjetër, lidhur me këtë pikë dhe t`i kërkosh ndihmë në përmirësimin dhe kapërcimin e kësaj “pengese” të natyrës dhe personalitetit tënd. Kështu, pala tjetër e ka më të lehtë durimin dhe rezistencën, që i duhet të përballojë për këtë çështje.
Duke ditur pikat e fuqisë tek vetja, ti do kesh aftësi t`i përdorësh ato në mënyrë ideale, për të forcuar marrëdhëniet me shokun tënd të jetës. Duke i ditur pikat e tua të dobëta, ti sapo ke hedhur hapin e parë drejt zhvillimit dhe ngritjes tënde në nivel të kënaqshëm, gjithmonë nëse ekziston vullneti dhe dëshira e mirë për ndryshim. Bazuar në këtë që thamë, do të bëjmë zgjedhjen e duhur të shokut të jetës, do të jemi të hapur dhe të qartë me të dhe do të na duhet të përcaktojmë rolin e pritur prej tij, me qëllim që të garantojmë ndihmën e tij në ndryshimin e kësaj natyre. Kështu, ai ose ajo, do të mirëkuptojnë më shumë, lidhur me këtë pikë dobësie, duke i shmangur faktorët, që i acarojnë marrëdhëniet bashkëshortore në të ardhmen.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free