PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Drejtuar burrit mysliman

Me martesë ti nuk fiton vetëm bashkëshorte, por tërë botën. Prej atij momenti e deri në fund të jetës tënde, bashkëshortja jote do të jetë bashkudhëtari yt, partneri dhe shoku më i mirë. Bashkë me ty, ajo do t’i ndajë momentet e tua, ditët dhe vitet. Ajo do ta ndajë gëzimin dhe pikëllimin tënd, sukseset dhe dështimet e tua, ëndrrat dhe frikët e tua. Kur je i sëmurë, ajo do ta ofrojë kujdesin më të mirë, ndërsa kur ke nevojë, ajo do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj me qëllim që të ndihmojë. Kur ke ndonjë sekret, ajo do ta ruaj, kur ke nevojë për këshillë, ajo do ta japë. Ajo gjithmonë do të jetë me ty. Kur të zgjohesh në mëngjes, gjëja e parë që do të shohin sytë, do të jetë ajo. Madje edhe gjatë ditës kur ajo nuk është fizikisht prezente, ajo do të jetë me ty, sepse ti do të jesh në mendjen e saj, në duanë e saj, në zemrën e saj... Kur shkon për të fjetur, gjëja e fundit që do ta shikosh, do të jetë ajo. Shkurt, ajo do të jetë bota jote e tërë dhe ti do të jesh bota e saj e tërë. Përshkrimi më i mirë i afërsisë ndërmjet bashkëshortëve të cilin ndonjëherë e kam lexuar, është ajeti në Kuran, në të cilin Allahu subhanehu ve te’ala thotë: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” (El-Bekare, 187) Me të vërtetë bashkëshortët janë sikurse petkat për njëri tjetrin, sepse ata njëri tjetrit i ofrojnë mbrojtje, rehati, përkrahje dhe stoli, pikërisht sikurse petkat që e zbukurojnë njeriun. Paramendojeni udhëtimin në Alaskë gjatë dimrit, pa rroba adekuate. Bashkëshortët tanë na japin mbrojtje, rehati dhe përkrahje të ngjashme në rrugëtimin e jetës në planetin Tokë, ashtu siç e bëjnë këtë rrobat gjatë udhëtimit nëpër Alaskë. Prej të gjitha relacioneve njerëzore, relacioni ndërmjet burrit dhe gruas është e veçantë dhe unikate; dashuria dhe kujdesi, intimiteti dhe afërsia, mëshira dhe përdëllimi si dhe paqja dhe qetësia që i mbushin zemrat e bashkëshortëve janë thjesht të papërshkrueshme. Shpjegimi i vetëm racional që mund t’i sqarojë këto ndjenja të jashtëzakonshme të njeriut është ajo se ky është caktim i Allahut subhanehu ve te’ala. Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: '' Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut.” (En-Nahl, 72) Vetëm Allahu i Gjithëfuqishëm, i Cili posedon fuqi të pafundme dhe mëshirë, mund të krijojë dhe të gdhend këso ndjenja të jashtëzakonshme dhe të bekuara në zemrat e bashkëshortëve. Madje, Allahu subhanehu ve te’ala i përkujton ata që i kërkojnë shenjat e Allahut në univers, se ndjenjat që i ka mbjellë në zemrat e bashkëshortëve në të vërtetë janë një prej shenjave të Tij që duhet t’i nxit njerëzit që të besojnë në ekzistencën e Tij. Pikërisht ashtu siç thotë Allahu në Kuran: '' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë." (Rum, 21) Allahu xh.sh. e di se zemra e njeriut është organ dinamik, nganjëherë është e dobët ndërsa nganjëherë e fortë. Është e vërtetë se ndjenjat mund të ndryshojnë, posaçërisht pas një kohe të caktuar. Po ashtu, dashuria mund të thahet dhe të zbehet me kalimin e kohës. Kjo do të thotë se lidhja bashkëshortore mund të dobësohet nëse nuk është kultivuar drejtë. Lumturia martesore nuk merret hë për hë, dashuria e vazhdueshme kërkon dhënie të pandërprerë nga të dyja anët. Që të mbetet e gjallë pema e dashurisë dhe që të vazhdojë të rritet edhe më tej, nevojitet që ta kultivojmë, ta ujisim dhe ta ushqejmë tokën e saj. Përkujtoju se edhe Pejgamberi ynë s.a.v.s. ka gjetur kohë që të dalë në shkretëtirë dhe të garojë me bashkëshorten e tij Aishen r.a. Ajo nganjëherë e kalonte në fillim e që më pastaj ai ta kalonte atë. Po ashtu, dije se Pejgamberi s.a.v.s. e kishte dërguar bashkëshorten e tij që t’i shikojë abisinasit e rinj se si i lozin lojërat e tyre popullore me shtiza. Shprehja e emocioneve është e patjetërsueshme me qëllim që lidhja martesore mos të shkatërrohet dhe të ndryshket. Dije se Allahu xh.sh. inshallah do të shpërblejë për çdo emocion dhe për çdo ndjenjë të shprehur ndaj bashkëshortes tënde, ashtu siç ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: “Njeriu do të shpërblehet për çdo vepër, nëse e bën me qëllim që ta arrijë kënaqësinë e Allahut, madje edhe për vënien e kafshatës së bukës në gojën e bashkëshortes së tij.” Kurrë mos e nënçmo vlerën e gjërave të vogla, siç është për shembull të ushqyerit e gruas, t’i hapet asaj dera e veturës etj. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte zakon që ta vendoste gjurin e tij, me qëllim që ta ndihmojë bashkëshorten e tij që të hipë mbi deve. Gjithmonë gjej kohë që të faleni bashkërisht. Përforcimi i lidhjeve me Allahun xh.sh. do të thotë përforcim i lidhjes ndërmjet juve dyve. Kjo është garancia më e mirë që lidhja juaj martesore të mbetet e fortë. Po ashtu duhet ta përmendim se Pejgamberi s.a.v.s. i ka përgëzuar me lajme të mira ato çifte që zgjohen dhe ngrihen natën dhe të cilët falen bashkërisht. Pejgamberi s.a.v.s. madje i nxiste bashkëshortët se cili do të ngrihet i pari për ta zgjuar tjetrin, madje edhe duke i hedhur ujë të ftohtë në fytyrë. Përpiqu që gjithmonë që me gjithë fuqinë tënde të jesh i mirë për bashkëshorten tënde, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Bisedo me të, buzëqeshi asaj, kërkoje mendimin e saj, pyete për këshillë, rehatohuni bashkërisht me të dhe gjithmonë dije se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Më të mirët në mesin tuaj janë ata që janë më të mirë me gratë e tyre.” (Sahihu Et-Tirmizi, ibn Madxhe). Në fund, është e zakonshme që bashkëshortët të betohen se do ta duan dhe do ta respektojnë njëri tjetrin deri në vdekje. Unë nuk mendoj se ky betim nuk është i mirë, por nuk mendoj se edhe mjafton. Nuk mjafton vetëm ta duash bashkëshorten tënde. Duhet ta duash edhe atë që ajo e do, si p.sh. familjen e saj. Mos u bën sikurse kolegu im i cili e ndjente veten keq që prindërit e bashkëshortes së tij vinin te ai për disa javë, edhe pse ai në mënyrë të qetë i kishte thënë: “Unë nuk i dua prindërit e tu” dhe normal se edhe ajo e hidhëruar iu kishte përgjigjur: “Edhe unë nuk i dua prindërit e tu.” Gjithashtu, nuk mjafton që ta dojë deri në vdekje. Dashurisë kurrë nuk duhet t’i vijë fundi, sepse ne muslimanët besojmë në jetën pas vdekjes, në ahiret, ku ata të cilët kanë bërë vepra të mira dhe të cilët kanë qenë bamirës, do të bashkohen me bashkëshortët e tyre dhe me pasardhësit e tyre. Allahu subhanehu ve te’ala në Kuran ka thënë: '' hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja''. (Ez-Zuhruf, 70) Shembulli më i mirë me këtë rast është Pejgamberi s.a.v.s., dashuria e të cilit ndaj Hatixhes e cila ishte bashkëshortja e tij për 25 vjet, është përhapur te të gjithë ata të cilët ajo i kishte dashur dhe kishte mbetur e tillë, edhe pas vdekjes së saj. Madje, edhe shumë vjet pas vdekjes së saj, sa herë që e therte ndonjë cjap në shtëpinë e vet, Pejgamberi s.a.v.s. ia dërgonte një pjesë të cjapit familjes dhe miqve të Hatixhes. Po ashtu, sa herë kur mendonte se vizitori para dyerve të tij do të mund të ishte motra e Hatixhes, Hala, ai e luste Allahun: ''O Allah, le të jetë ajo Hala.”

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an)