PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Familja e së ardhmes

Të gjithë studimet që bëhen në kuadër të familjes, fokusohen kryesisht në problemet e këtij institucioni social të rëndësishëm. Pra, gjithmonë kur i qasen familjes, i qasen nga aspekti dhe këndvështrimi i problemeve dhe gjërave që çalojnë. Aq shumë janë marrë me problemet e familjes, saqë kur e përkufizojnë një familje të lumtur, thonë se ajo është familja që nuk i ka këto probleme. Pra, edhe vetë përkufizimi vjen në një kuadër negativ.

Por, si mund të jetë një familje e lumtur dhe ideale? Si mund të jetë një familje myslimane, e cila do kënaqte Zotin dhe të dërguarin e Tij, nëse do na vinte për vizitë? Përse duhet ta përkufizojmë familjen nga këndvështrimi i problemeve, ndërkohë që mund ta përkufizojmë nga këndvështrimi i aspekteve pozitive?

Për këtë, ne menduam që familjen e lumtur dhe ideale ta përshkruajmë në formën e një ëndrre të bukur, por reale. Vallë si ëndërron të jetë familja jote dy vite më vonë? Vallë a të shkon në mendje ty o baba, si duhet të jesh dhe si të sillesh në familje? Po ti o nënë, a mendon ndonjëherë si duhet të sillesh në familje?

Shpesh herë, ne ëndërrojmë për të ardhmen, planifikojmë, vendosim strategji dhe kërkojmë partnerë në projektet fitimprurëse. Përse të mos e bëjmë të njëjtën gjë edhe për familjen? Përse të mos i bëjmë familjarët e tjerë partnerët tanë në projekt kaq të rëndësishëm?

Dikush mund ti shohë këto ëndrra si të parëndësishme dhe të parealizueshme. Këtyre njerëzve unë dua t’ju sjell ndërmend një thënie që thotë:”Ëndrrat e së djeshmes, janë realitet i të sotmes. Ëndrrat e sotme janë realitet i së nesërmes.”

Vetë ne jemi rezultati i prekshëm i ëndrrave të baballarëve dhe gjyshërve tanë. Ata kanë ëndërruar të kenë fëmijë apo nipër dhe ja ku jemi ne sot.

Kjo temë, do të vendosë linjat e përgjithshme të temave të cilat do të vijojnë.

Në ëndrrat e mia, unë shoh një baba i cili punon natë e ditë, për arsye se jeta është e vështirë. Ai ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, Ahmedin dhe Selmën. Njëri është katër vjeç, kurse tjetri gjashtë. Për shkak se jetesa është e vështirë, babai i këtyre dy fëmijëve punon shumë. Ai punon në një qytet tjetër, larg qytetit ku jeton familje e tij. Fëmijëve të tij nuk i kanë munguar kurrë të hollat dhe jetesa normale. Por atyre u ka munguar diçka më e shtrenjtë se të hollat. Atyre u ka munguar dashuria dhe dhembshuria.

Një prind i tillë, më tregoi një ditë dhe më tha:”Unë isha në ngritjen e strukturës së një kompanie dhe aktiviteti të ri, gjë e cila kërkonte shumë punë dhe mund. Punoja natë e ditë për realizimin e këtij projekti. Udhëtoja jashtë vendit dhe qëndroja larg familjes për javë të tëra. Sa herë që kthehesha në shtëpi, fëmijët i gjeja duke fjetur. Po ashtu, i lija duke fjetur në mëngjes, kur largohesha për në punë.

Një herë, nën presionin e bashkëshortes, pranova të dal një xhiro me vajzën time Selma. Teksa ishim duke u kthyer nga shëtitja, me makinë kisha hyrë në disa rrugë lagjesh, për të mbërritur më shkurt në shtëpi. Në një moment, Selma më thotë:”Babi! Në cilën rrugë ndodhet shtëpia jote?!” Unë e pyeta i habitur, sikur nuk kisha dëgjuar gjë:”Si the o Selma?!” Ajo përsëriti pyetjen:”Në cilën rrugë banon ti babi?”

Një pyetje e tillë më la pa mend. Unë e pyeta për të dytën herë:”Çfarë do të thuash bija ime?” Ajo shtoi:”Thjesht dua ta di ku banon.”

Unë e kisha të vështirë ta bind se jetoj me ta në të njëjtën shtëpi, pasi nuk ishte ashtu.  Pyetja e saj më tronditi shpirtërisht shumë, gjë e  cila vazhdoi për një javë rresht.

Këtë tronditje e plotësoi fëmija i dytë, djali. Një ditë, unë po kërkoja një letër me një listë emrash të rëndësishme për mua. Teksa isha zhytur kokë e këmbë në kërkim, hyn në dhomë djali im Ahmedi, i cili më pyet:”Çfarë po kërkon babi?” Unë i përgjigjem:”Po kërkoj një letër me emrat e disa njerëzve shumë të rëndësishëm, me të cilët duhet të takohem këtë javë.”

Djali më pyeti:”Po emri im, a është në atë letër o babi?!”

Pyetja e tij më shkatërroi fare dhe më bëri të reflektoj. Që atë ditë, vendosa që familja dhe fëmijët të jenë numri një në listën e prioriteteve të mia. Ata nuk kanë nevojë për para, aq sa kanë për pak kohë për të kaluar me mua dhe për dashuri e dhembshuri. Kështu, fillova të ndryshoj mënyrën e komunikimit me fëmijët e mi, fillova t’u kushtoj më shumë kohë dhe vëmendje. Që atëherë, vendosa që ditën e pushimit do e kaloj me fëmijët e mi.

Një ditë pushimi, i mora të gjithë me vete, morëm me qira një varkë dhe shëtitëm në rrjedhën e lumit. Sytë e Selmës shkëlqenin nga gëzimi dhe sikur më thoshin:”Faleminderit babi!” Asokohe e ndjeva thellë në zemër se isha njeri i lumtur. Më vonë, u detyrova ti braktis për arsye pune, por çdo ditë flas me ta në telefon. Sa herë që u flisja në telefon, përgatisja diçka për të diskutuar, ndonjëherë edhe një anekdotë për të qeshur.

Ditën që do të kthehesha në shtëpi, gruaja më telefonoi dhe më tha se djali nuk pranon të flejë derisa të vish ti. Kurrë më parë nuk kishte kërkuar diçka të tillë. Atë ditë, mezi prita ta përfundoj punën që kisha në dorë dhe më duket sikur fluturoja që të arrij sa më shpejt në shtëpi dhe ta vë në gjumë djalin. Gjatë rrugës, e lusja Zotin që të arrij shpejt para se ti zërë gjumi. Me të mbërritur, e mora në krahë, u shtriva bashkë me të dhe i tregova përrallën para gjumit. Bashkë me përrallat dhe tregimet para gjumit, unë i përcillja vlera morale.”

Kurrë mos harroni se fjalët që ia thoni fëmijëve tuaj në vesh, para se të flenë, ato fjalë do u transmetohen dhe përcillen edhe nipërve dhe mbesave të tua. Do të jenë vetë fëmijët e tu që do i përcjellin ato vlera tek brezat e ardhshme.

Profeti Muhamed a.s është modeli më i mirë që mund të kemi, lidhur me trajtimin dhe komunikimin me fëmijët dhe nipërit e mbesat tanë. Ai shpesh herë i përqafonte, luante dhe i merrte në prehër Hasanin dhe Husejnin. Ata i hipnin në shpinë e në qafë dhe ai kënaqej kur ishte me ta. Dikush, një ditë e pyeti:”A kaq shumë i do o i dërguar i Allahut?!” Ai u përgjigj:”E si të mos i dua. Ata janë borzilokët e kësaj bote.” Ata janë lumturia dhe kënaqësia ime në këtë botë.

Në ëndrrën time, unë dalloj një prind shembullor, i cili e merr djalin e tij gjashtëmbëdhjetë vjeçar dhe të dy dalin shëtitje. Unë i shoh duke biseduar me njëri-tjetrin, duke qeshur dhe duke u argëtuar sikur të ishin shokë të ngushtë. Unë shoh që djali nuk i tregoi të atit se shokët i kishin sugjeruar të provojë drogën. Unë shoh se që atë natë ai i braktisi këta shokë, pasi i ati ia plotësoi nevojën për tu ndjerë i vlerësuar dhe i respektuar.

Unë shoh në ëndrrën time një baba, i cili ka dalë xhiro me të bijën. Të dy ecin, bisedojnë, qeshin dhe argëtohen, gjë e cila u bën përshtypje kalimtarëve. Si është e mundur që një baba të bisedojë kaq lirshëm me të bijën dhe anasjelltas. Unë i shoh që kur vjen koha të ndahen, vajza i thotë të atit:”Faleminderit babi!” Ajo nuk i thotë asgjë më shumë, pasi thellë në vete ka vendosur të mos shoqërohet me asnjë djalë pas krahëve të prindërve.

Në ëndrrën time, unë shoh dhe një nënë e cila i pajis fëmijës e saj me energji pozitive, energji që i nxit ata drejt suksesit dhe progresit. Unë nuk flas për ndjenjat e çdo nëne karshi fëmijës së saj, por flas për ato ndjenja të cilat përkthehen në praktikë dhe hapa konkretë për edukimin e një burri shteti të ardhshëm, një Salahudin Ejubi.

Gjatë rrugëtimit të jetës time, jam njohur me një djalë të ri, plot ambicie, zell dhe pasion. Meqë kishte të lidhur internetin në shtëpi, ai hynte shpesh herë në faqen zyrtare të njërit prej universiteteve më të shquara në botë. Plot pasion ai shfletonte faqet dhe informacionin lidhur me këtë universitet, sakaq zemra i rrihte fort nga dëshira për të studiuar në atë universitet. Por për të studiuar në atë universitet, ose lipseshin shuma të mëdha, ose të shkëlqeje në të gjithë lëndët. Të dyja këto kritere nuk plotësoheshin nga i riu në fjalë.

Nga dëshira e flaktë, ai filloi të studiojë seriozisht, me shpresë se do i fitojë pikët për të fituar një bursë në universitetin në fjalë. E ëma, duke parë seriozitetin e të birit, herë pas here i jepte zemër. Ditën e parë të provimeve, rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Ai i telefonoi të ëmës dhe i tha:”Rezultatet e ditës së sotme nuk ishin të kënaqshme dhe duket se nuk do ta fitoj të drejtën për të studiuar atje ku dua.” E ëma i kërkoi që të shkonte tek ajo në çast. Djali shkoi në shtëpi dhe e gjeti nënën duke e pritur tek dera. Në sytë e saj, ai shquante një ndjenjë sfide të cilën nuk e kishte pikasur më parë. Nëna i kërkoi të mbyllë derën dhe të hynte në dhomën e tij. Pasi u ulën, nëna i tha:”Mendjen e ke tel, aftësitë nuk të mungojnë dhe për zellin dhe pasionin nuk kam ç’të them. Fillo studio se jam e sigurt se do e fitosh provimin. Unë jam e bindur se do të studiosh në atë universitet, do i përfundosh studimet dhe unë do të marr pjesë në ceremoninë e diplomimit. Derisa të vijë ajo ditë, unë do të lutem për  ty.”

Tregon djali në fjalë:”Duke dalluar sytë që i shkëlqenin, unë i besova fjalët e saj.”

Një javë më vonë, një nga profesorët e mi më thotë:”O biri im! Unë shoh që lodhesh shumë për të fituar provimin, por mos harro se mundësitë për të mbetur janë të shumta. Prandaj është mirë të jesh i përgatitur.”

Pa e kuptuar si më dolën ato fjalë, unë i thashë:”Ti nuk i paske dëgjuar fjalët e nënës time! Ajo më ka thënë se do ta marr provimin dhe unë i besoj asaj.”

Unë hyra në provimin përfundimtar dhe e mora atë. Mandej, fitova të drejtën për të studiuar në universitetin që doja, derisa u diplomova. Ashtu siç më pati premtuar, nëna mori pjesë në ceremoninë e diplomimit. Atë ditë më erdhën ndërmend sytë e saj plot shkëlqim. Unë harrova kush isha dhe për çfarë isha diplomuar, por zbrita nga foltorja dhe e përqafova nënën fort, duke i pëshpëritur në vesh:”Të dua shumë nëna ime. Arritjet dhe rezultatet e mia, kanë burim kryesor zemrën tënde.”

E tillë është nëna e ëndrrave të mia. Një nënë e tillë është kyçi i zhvillimit dhe progresit të vendeve tona.

Në ëndrrën time, unë shoh një burrë dhe një grua të cilët jetonin një jetë bashkëshortore të pakuptimtë. Ndoshta, burrit kushedi sa herë i ka vajtur mendja të martohej me një të dytë, sakaq ajo i kanosej se do të kërkojë divorcin. Ditët kalonin dhe ndjenjat dhe aspekti sentimental zbeheshin. Unë e shoh këtë burrë duke lexuar një libër, ku i bën përshtypje kjo thënie:”Dashuria është si një pemë, të cilën nëse e vadit rritet, çel dhe lulëzon, e nëse e neglizhon, ajo vyshket dhe thahet.” Me vete ai mendon:”Kushedi sa herë e kam provuar dashurinë jashtë kuadrit familjar, por nuk jam ndjerë i lumtur kurrë. “Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji, për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen.” (Rad, 14)

Unë kam renduar pas dashurisë dhe lidhjeve haram, por nuk jam ndjerë kurrë i lumtur. Përse të mos e provoj në shtëpinë time dhe një herë? Kështu, filloi të ndryshojë në disa gjëra të vogla, por që e lumturonin të shoqen në maksimum. Më parë, sa herë që kthehej nga puna, ulërinte se nuk donte të dëgjojë askënd, nuk donte ti flasë dhe ta shqetësojë kush. Ai ndihej i lodhur dhe i rraskapitur dhe kishte nevojë për qetësi. Kurse tani, para se ti bjerë ziles për të hyrë brenda, ai mendohej pak dhe me vete  thoshte:”Lodhjen e ditës nuk ka përse t’ia përplasësh gruas në fytyrë. Qetësohu, relaksohu dhe sillu butë me të.” Unë e shoh duke hyrë në shtëpi i buzëqeshur, e përshëndet përzemërsisht dhe e pyet si e ka kaluar ditën. Ajo i flet mbi punët që ka bërë dhe problemet e shqetësimet. Ai nuk ia zgjidh asnjërën nga problemet, por thjesht e dëgjon me durim e maturi. Edhe ajo nuk donte dikë që t’i zgjidhë problemet dhe shqetësimet, gjithçka që donte ishte dikush që e dëgjon. Unë e shoh në ëndërr këtë burrë, i cili tashmë i telefonon nga puna të shoqes thjesht për ta përshëndetur. Unë e shoh atë që gjatë ditëve që ka marrë pjesë në një konferencë larg shtëpisë, i dërgon mesazhe çdo ditë, ku i shpreh mallin dhe nostalgjinë.

Unë e shoh këtë çift që një ditë u grindën. Ai doli i zemëruar nga shtëpia, mori makinën dhe u largua. Por pasi kishte përshkuar disa qindra metra, ai i telefonon dhe i thotë:”Më fal për gjithçka ndodhi!” dhe ajo ia kthen:”Edhe ti më fal mua, pasi isha e lodhur!” Kjo, edhe pse komshiu i tyre u divorcua nga e shoqja për të njëjtin shkak. Sakaq, këta e kapërcyen problemin me një fjalë “Më fal”.

Në ëndërr, unë shoh që ai nuk ka shumë kohë të rrijë me të shoqen, por ato çaste që kalojnë bashkë, janë të paharrueshme. Unë e shoh të shoqen duke pritur burrin natën vonë, pasi ka gatuar gjellën e ngrohtë që i pëlqen atij. Ai që më parë preferonte të darkojë me shokët dhe kolegët, tashmë nuk humbet asnjë darkë nga ato që i përgatit e shoqja, sado vonë që të kthehet.

Në ëndrrën time, unë e shoh bashkëshorten të kujdesshme në lukun e saj, ajo vishet bukur e pastër dhe buzëqeshja nuk i ndahet nga fytyra. Në ëndërr, unë e shoh duke i dhënë zemër dhe kurajë të shoqit. Në pavetëdijen e burrit, nuk ka si ajo grua e cila i jep zemër dhe e mbush me besim. A e imagjinoni sa të lumtur janë ata fëmijë të cilët kanë prindër të tillë? A e kuptoni sa të vuajtur dhe të mjerë janë ata fëmijë të cilët nuk kanë jetuar në një ëndërr të tillë në shtëpinë ku kanë lindur?

Në ëndërr, unë shoh dhe xhaxha Abdullahun, babanë e Ibrahimit. Ai është njeri i thjeshtë dhe punon në administratën shtetërore, me një rrogë modeste. Edhe pse vetë është analfabet, ai ka vendosur që djalin ta arsimojë, por me para të fituara me djersën e ballit.

Tregon djali i tij Ibrahimi:”Babai kishte një kuti të vjetër, ku çdo ditë hidhte disa qindarka. Sa herë që kutia mbushej plot me qindarka, babai i merrte dhe i këmbente në bankë. Mandej, i merrte të hollat dhe i thoshte nënës:”Këto para, do i përdorim për arsimimin e djalit tonë në universitet. Ne do të durojmë që fëmija të arsimohet sa më mirë.” Shpesh herë, ai më tregonte dorën e tij dhe më thoshte:”O biri im! Kurrë kjo dorë nuk është zgjatur për të marrë diçka haram. Ditën që do të zgjatet për të përfituar nga harami, më mirë të pritet.” Këto fjalë, ishin më të dobishme se qindra ligjërata mbi amanetin, ishin më të dobishme se qindra e mijëra mësues të cilët këshillojnë për rëndësinë e amanetit. Për ditë të tëra mund të ushqeheshim vetëm me bathë. Babai më shihte dhe më thoshte:”Mos u mërzit! Kur të përfundosh shkollën do të ushqehesh me ushqime të llojllojta. Me vete unë thosha:”Po ti o baba, kur do të ushqehesh mirë?!”

Vitet kaluan dhe unë u arsimova dhe u diplomova, krijova familja dhe jam i suksesshëm në jetë. Një herë, vajta në shtëpinë e thjeshtë ku kisha lindur dhe isha rritur, aty ku jetojnë akoma prindërit e mi. Pranë krevatit të babait, gjeta kutinë ku ai mblidhte qindarkat për arsimimin tim, e cila tashmë ishte bosh. Iu afrova pranë dhe i thashë:”O baba! Mbushe kutinë siç bëje më parë dhe jepua nipërve e mbesave të tu. Sado që t’u flas për vlerat, kurrë nuk do të mundem t’ua konkretizoj ashtu siç bëje ti, kur zgjasje dorën tënde dhe më thoshe:”Kurrë kjo dorë nuk është zgjatur për të marrë diçka haram. Ditën që do të zgjatet për të përfituar nga harami, më mirë të pritet.” Ti nuk ke mbushur një kuti me qindarka, por ke mbushur zemër me vlera, të cilat nuk mund të cenohen asnjëherë dhe në çfarëdo moshe.

Xhaxha Abdullahu është njeri i madh, edhe pse është analfabet. Nëse brezi i prindërve do të ishin si ai, sot do të kishim vend të lulëzuar dhe të zhvilluar.

Në ëndrrën time, unë shoh një të ri plot ambicie, ëndrra dhe dëshira. Meqë ka jetuar për një kohë të gjatë larg familjes, ai nuk e ndjen faktin që babai i tij ka sakrifikuar gjithçka për ti garantuar një të ardhme sa më të mirë. Edhe pse e rrëfej në formën e një ëndrre, ajo është një histori e ndodhur dhe e përjetuar nga njerëz të vërtetë. Ky djalë i ri, ishte futbollist por jo në një nivel të admirueshëm. Kur i vdiq i ati, ai mungoi një javë rresht në stërvitje. Ditën që iu bashkua ekipit, do të zhvillohej një ndeshje e rëndësishme. Meqë ai nuk kishte prezantuar në stërvitje për një javë, trajneri e la në stolin e rezervave. Pasi kishte filluar loja, futbollisti ynë fillon ti lutet me këmbëngulje trajnerit që ta fusë në lojë. I zënë ngushtë nga përgjërimi dhe vendosmëria e tij, trajneri pranoi ta fusë në lojë. Atë ndeshje, protagonisti ynë shkëlqeu në lojë, saqë dukej sikur të ishte një nga yjet e futbollit botëror. I befasuar nga ky ndryshim, trajneri e pyeti:”Çfarë ka ndodhur me ty kështu?! Ç’është ky ndryshim i befasishëm?!” Djali i përgjigjet:”Një javë më parë humba babanë, i cili ka sakrifikuar jetën për mua. Ai donte ta shohë djalin e tij të suksesshëm, gjë të cilën nuk arriti ta shohë me sy gjatë jetës. Ai jetoi dhe sakrifikoi gjithçka për mua, kurse unë jetoja për qejfet e mia. Unë dua që babai im të gëzohet dhe të jetë krenar me mua, qoftë dhe Ditën e Kiametit. Që sot, tek unë do të shohësh një njeri tjetër, jo ai i dikurshmi.”

Unë shoh në ëndërr një djalë të ri, i cili pasi lexon këto rreshta, shkon tek i ati dhe i thotë:”Që sot nuk do të jem barrë për ty. Që sot, nuk do të shoqërohem me filanin. Që sot do të shkëputem nga gjynahet dhe veset e këqija.”

Në ëndërr, unë shoh një gjyshe të këndshme, e cila e ulur mes nipërve dhe mbesave të tyre, ku luan dhe gëzon me ta, u thotë:”Nëse do e dija se nipërit e mbesat e mia më falin kaq shumë kënaqësi, do i kisha lindur para fëmijëve të mi!(shaka)”

Në ëndrrën time, shoh një familje të mbledhur top, për të kaluar bashkë pushimet verore. Aty dalloj hallën, nipër e mbesa, fëmijë djem e vajza, gjyshin dhe gjyshen. Në këtë ëndërr, shoh xhaxhain dhe gruan e tij, djalin e tyre bashkë me nusen. Aty unë shoh dajën me gruan dhe fëmijët. Të gjithë janë grumbulluar dhe bisedojnë. Nuk është e thënë të bisedojnë vetëm për çështje fetare, por e rëndësishme është që të ndihen të paqtë dhe të qetë. Fakti që janë bashkë si një grusht i vetëm, i lumturon dhe u fal kënaqësi pafund.

Në rreshtat në vazhdim, do sjell ëndrrat e disa njerëzve të cilët i intervistuam dhe u kërkuam të na tregojnë ëndrrat e tyre.

Një zonjë:”Ëndërroj që familja të jetë si më parë, e mbledhur top dhe e bashkuar.”

Një zonjë:”Ëndërroj që secili të kryejë rolin e tij, burri të jetë burrë dhe gruaja grua.”

Një i moshuar:”Ëndërroj që të kem pranë vajzën dhe fëmijët e tjerë.”

Një nënë:”Ëndërroj që fëmijët të gjejnë një punë dhe të jetojnë të lumtur.”

Një zonjë:”Ëndërroj që familjet t’ju ngjajnë familjeve të xhenetit, familje të cilët i bashkon dashuria për Zotin. Familje e cila ngrihet mbi bazën e devotshmërisë. Ëndërroj familje që shoqërohen dhe mbështeten nga melekët.”

Një nënë:”Ëndërroj një baba i cili i mban pranë fëmijët dhe një nënë që bashkon familjen.”

Një zotëri:”Për mua, familja është një institucion dhe jo vetëm disa persona të cilët i bashkon lidhja e gjakut. Me qëllim që ky institucion të jetë i suksesshëm, duhet të ngrihet mbi baza të shëndosha. Ky institucion duhet të ketë një plan dhe objektiv të qartë. Secili prej familjarëve e ka një objektiv dhe qëllim të caktuar. Po vetë familja, a e ka një objektiv dhe qëllim? Unë mendoj se një familje ideale duhet të ketë një objektiv, duhet të jetë e sistemuar.”

Një gjyshe:”Unë ëndërroj që të rinjtë e sotëm ta konceptojnë drejt çfarë do të thotë të jesh prind, çfarë do të thotë të jesh nënë dhe çfarë do të  thotë të kesh familje. Unë ëndërroj të kem një familje të lumtur, të shoh fëmijët që e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe ata që i rrethojnë.”

Një gjyshe:”Unë ëndërroj, por edhe kam frikë. Kam frikë nga një ditë, kur nuk do të mundemi të ëndërrojmë.”

Një zotëri:”Të kesh familje, nuk do të thotë që thjesht tu plotësosh atyre nevojat dhe tu sigurosh jetesën. Nëse prindërit do ti ndërtonin marrëdhëniet e tyre sipas dispozitave islame, do të krijonin modelin e mirë për fëmijët e tyre. Këto janë vlerat më të mira, principet më të vyera dhe moralet më të larta që mund t’ju trashëgojmë fëmijëve tanë.”

Një baba:”Ëndrra ime është e thjeshtë dhe e mundshme. Unë ëndërroj për një bashkim të familjes siç ka qenë kohë më parë. Meqë Zoti mi ka sjellë punët e mbara, kam blerë një shtëpi dhe një pjesë të familjes e kam sistemuar. Njerëzit kanë nevojë të ndihen të qetë dhe të sigurt dhe më mirë se gjiri i familjes, nuk ua siguron askush tjetër. Feja dhe besimi kanë rëndësinë e vet, por njerëzit janë qenie sociale dhe kanë nevojë për prezencën e njëri-tjetrit.”

Gjithçka që cekëm më lart, janë ëndrra dhe dëshira të cilat urojmë të realizohen.  Unë thjesht kam cekur disa pjesë në miniaturë të një realiteti të mundshëm. Nëse do të mundemi ti bashkojmë këto pjesë, pamja do të jetë e mrekullueshme, pasi kështu do të realizohet bashkimi i familjes. Mbi pamjen që do të formohet, do të lexojmë “ngrohtësi, dhembshuri dhe dashuri”.

Këto tema vijnë në një kohë të vështirë për familjen, e cila ka marrë tatëpjetën. Ne myslimanët akoma vazhdojmë të dallohemi për ngrohtësinë familjare, gjë të cilën nuk e kanë të tjerët. Nëse pjesa tjetër e botës është zhvilluar teknologjikisht dhe në shumë fusha të tjera, ne kemi ngrohtësinë familjare me të cilën vazhdojmë të krenohemi. Ëndrra për të cilën flasim nuk është e vështirë dhe e pamundur. Xhenetin dhe kënaqësinë që do të përjetoni brenda në familje, nuk mund ta përjetoni në asnjë vend dhe institucion tjetër. Nuk ka lidhje dhe marrëdhënie më të dashur sesa marrëdhëniet familjare. Zoti e bëftë realitet! Amin!

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free