PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Genjeshtra ne martese

 Gënjeshtra është një veçori e urryer, një cilësi e keqe, një vepër e poshtëruar, por fatkeqësisht edhe fenomen i përhapur pothuajse në të gjitha mjediset shoqërore; në biseda të lira, takime, punë, marrëdhënie të ndryshme ndërnjerëzore, shkollë, studime, etj.. Është bërë e pamundur që asaj t`i shpëtojnë i vogël e i madh, mashkull e femër dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi, përveç atyre që Allahu i begatoi me mirësinë e Tij. Gënjeshtra u shndërrua në pronën (mall shitjeje) e tregtarëve, bashkëshortëve, studentëve, shkrimtarëve, masmediave, atyre që merren me art... dhe është bërë e pamundur që njeriu të kuptojë se kush nga këta është i sinqerti.

   Në Islam gënjeshtra është e ndaluar dhe konsiderohet si një ndër mëkatet e mëdha. Si gënjeshtër përkufizohet çdo thënie që kundërshton realitetin (të vërtetën). Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Mallkuar qofshin gënjeshtarët!" (Dharijat, 10)

   Ja edhe disa hadithe që vërtetojnë shëmtinë e gënjeshtrës. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë:

"Gabimet më të shumta të birit të Ademit (njeriut) janë ato që shkaktohen nga gjuha." Shënon Taberaniu.

"Gënjeshtra është krim dhe që të dyja (edhe gënjeshtra edhe krimi) të dërgojnë në zjarr."

"Gënjeshtra shpie në prishje, kurse prishja shpie në xhehenem (ferr). Me të vërtetë njeriu vazhdon të gënjejë në çdo punë derisa tek Allahu shkruhet gënjeshtar." Shënon Buhariu dhe Muslimi.

   Se gënjeshtra është e keqe dhe se është e ndaluar nuk është vërtetuar vetëm në mësimet islame, por ajo trajtohet si e keqe dhe e papranuar pothuajse në të gjitha fetë dhe civilizimet. Urtësia në këtë (pra se gënjeshtra është e ndaluar) është se Allahu i Lartësuar ka dashur që marrëdhëniet njerëzore të ngrihen mbi themele të çiltërsisë dhe të sinqeritetit, në të kundërtën çdo formë tjetër e raportit që mund të ndërtohet mbi hipokrizi dhe tradhti, edhe nëse mund të ekzistojë si e tillë, nuk është e ndershme dhe jetëgjatë.

   Por pasi Islami në ndalimin e gjërave dhe në urdhërimin e të tjerave synon objektivat me të cilat ruhet dinjiteti i njeriut dhe realizohet arritja e përsosmërisë së tij, ekzistojnë disa raste në të cilat tejkalohet kjo ndalesë dhe gënjeshtra bëhet e lejuar. Para se t`i përmendim rastet në të cilat lejohet gënjeshtra, dëshirojmë të bëjmë një vërejtje të rëndësishme në këtë drejtim. Ajo është se shkaku pse Islami e fali gënjeshtrën në këto raste nuk është pa ndonjë qëllim, por ajo me vete sjell objektiva mjaft të rëndësishme, disa nga të cilat edhe do t`i përmendim, posaçërisht kur të flasim rreth gënjeshtrës ndërmjet bashkëshortëve.

 

 

Rastet në cilat lejohet gënjeshtra në përgjithësi

 

Sipas shënimit të Muslimit, Umu Kulthumi, njëra nga sahabiet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: "Nuk kam dëgjuar se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, ka lejuar në ndonjë rast gënjeshtrën, përveç këtyre tre rasteve: pajtimin ndërmjet njerëzve (të ngatërruar), në luftë apo burri ta gënjejë gruan e tij dhe gruaja burrin e saj."

   Nga hadithi i lartpërmendur mund të përmbledhim se gënjeshtra është e lejuar në këto raste:

 

1. Gjatë luftës, domethënë kur muslimanët janë në luftë, atëherë kanë të drejtë të mos jenë të sinqertë me armiqtë e tyre, pasi me këtë nuk arrihet luftimi i tyre. Është e njohur për ne se kur Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, përgatiste në Medinë ndonjë ekspeditë për të dalë në luftë kundër armikut, ai nisej me paralajmërimin se shkonte drejt perëndimit, por ia mësynte lindjes e kështu me radhë. Por në këtë gënjeshtër të lejuar nuk përfshihet rasti kur vendosim marrëveshje me armikun (nënshkrim i paktit për ndonjë çështje të caktuar si p.sh. armëpushim, etj.) dhe pastaj ta tradhtojmë atë. Kjo në asnjë formë nuk është e lejuar.

 

2. Rasti tjetër kur lejohet gënjeshtra është atëherë kur dikush ndërmjetëson mes dy të ngatërruarve dhe mundohet t`i pajtojë ata. Në këtë lloj gënjeshtre kalohet vetëm në rast të domosdoshmërisë dhe aq sa është e nevojshme kjo, sikur t`i thuash njërit prej të ngatërruarve se tjetri ka mendim të mirë për ty, ose flet mirë, ose është i interesuar të pajtohet dhe gjëra të këtilla. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: "Nuk është gënjeshtar ai i cili pajton ndërmjet njerëzve dhe nxit në këtë ose e thotë ndonjë fjalë të mirë." Shënon Buhariu dhe Muslimi.

 

3. Rasti i tretë se kur lejohet gënjeshtra është ndërmjet bashkëshortëve. Ky është rasti për të cilin do të zgjerohemi më shumë pasi ndodh më shpesh. Çdo musliman e muslimane në moshë të rritur e ka të nevojshme ta kuptojë këtë ashtu siç duhet, me qëllim që në martesë të mos bëjë mëkat ose padrejtësi ndaj partnerit tjetër, me pretekstin se ai me këtë është duke aplikuar një lehtësim me të cilën është i liruar nga mësimet islame.

 

Martesa dhe sinqeriteti

 

   Në fillim të kësaj duhet të kemi parasysh se marrëdhëniet ndërmjet burrit dhe gruas duhet të jenë të ndërtuara mbi sinqeritetin dhe çiltërsinë. Për këtë, çdo formë e bashkimit të tyre duke e përdorur gënjeshtrën është e ndaluar dhe e papranuar, prandaj edhe jo pak herë dëgjojmë për ndonjë çift të pasuksesshëm se shkak i prishjes së martesës së tyre ishin gënjeshtrat dhe premtimet e bëra gjatë fushatës paramartesore.

   Por meqë Islami në ligjet e tij të përcaktuara si objektiv të rëndësishëm ka ruajtjen e pasardhësve dhe të nderit ose të themi më qartë ruajtjen e familjes, atëherë gënjeshtra ndërmjet burrit dhe gruas nganjëherë konsiderohet përjashtim nga ndalesa e përgjithshme. Me fjalë të tjera, gënjeshtra ndërmjet burrit dhe gruas është e lejuar në rastet kur ajo (gënjeshtra) ndalon ndonjë të keqe më të madhe apo realizon një dobi më të përgjithshme.

   Mirëpo ajo që duhet të dimë me këtë rast është se ky lejim i gënjeshtrës në Islam nuk nënkupton se ndërmjet burrit dhe gruas është e lejuar gënjeshtra pa asnjë kriter dhe ai që mendon kështu nuk e ka kuptuar domethënien e hadithit të sipërpërmendur. Madje ajo që është edhe më e keqe, ky keqkuptim ka mundësi t`i sjellë bashkëshortët në situata që ta humbin besimin e ndërsjellë dhe të arrihet deri te ndarja e tyre. Prandaj është e nevojshme të qartësohet domethënia e hadithit të sipërpërmendur.

   Hadithi në fjalë nuk lejon që gruaja të kryejë ndonjë vepër të ndaluar, si p.sh.: dalja nga shtëpia e burrit pa dijen e burrit dhe pastaj ta gënjejë atë, ose burri me anë të gënjeshtrave të realizojë interesat personale duke e shpërfillur dhe shfrytëzuar gruan e tij. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe në asnjë formë nuk nënkuptohen nga hadithi i sipërpërmendur.

 

 

Cila është gënjeshtra e lejuar ndërmjet bashkëshortëve

 

   Gënjeshtra e lejuar nuk është ajo që nënkupton mundësimin e kryerjes së ndonjë ndalese apo tejkalimin kufijve të përcaktuar, por është ajo gënjeshtër të cilën do ta thoshte burri, respektivisht gruaja, me qëllim që të ndërpriste ndonjë mospajtim të panevojshëm, ose do të shuante urrejtjen dhe shtonte dashurinë e ndërsjellë ose do të largonte hidhërimin dhe do të sillte gëzimin, pastaj ajo gënjeshtër me të cilën burri nuk do ta informonte gruan apo anasjelltas për të gjitha sekretet personale ose edhe kryerja e ndonjë vepre e cila nuk është e ndaluar, por nuk e pëlqen burri, respektivisht gruaja, etj.. Po përmendim edhe disa shembuj që të kuptohet më qartë kjo:

 

1. Nëse burri nuk është i kënaqur në martesë ose në një periudhë nuk ndien dashuri ndaj gruas dhe anasjelltas. Kur pyetet ai ose ajo për këtë, ai ose ajo përgjigjet në kundërshtim me realitetin.

 

2. Bashkëshortit i ka pëlqyer ndonjë femër para martesës dhe ka qenë i interesuar të martohej me të para gruas që ka tani. Nëse ai pyetet për një gjë të tillë nga ana e gruas dhe ai e di se pohimi i një gjëje të tillë do ta mërziste gruan dhe do të nxiste xhelozi, atëherë lejohet të heshtë për këtë realitet. E njëjta gjë vlen edhe për gruan.

 

3. Nëse burri blen një dhuratë që ta gëzojë gruan, por kjo, edhe pse do t`i pëlqente gruas, ka çmim të ulët, atij i lejohet ta shtojë vlerën e çmimit që tek ajo të shtohet dashuria dhe respekti.

 

4. Nëse familja e gruas flet keq për burrin dhe gruaja thotë të kundërtën me qëllim të afrimit ndërmjet tyre.

 

5. Është e mundur që gruas mos t`i pëlqejë familja e burrit apo forma e shtëpisë, mobiliet, etj., por ajo deklaron të kundërtën.

 

   Këta janë disa nga shembujt që tregojnë se cilat janë rastet kur i lejohet burrit ta gënjejë gruan dhe anasjelltas. Kjo formë e gënjeshtrës është ajo e lejuara në Islam dhe disa e quajnë këtë edhe "gënjeshtër e bardhë". Pra shumë qartë vërehet se cili është qëllimi me këtë gënjeshtër: ndërprerja e mospajtimeve të panevojshme, që janë shumë të ndjeshme ndërmjet burrit dhe gruas, pastaj shtimi i dashurisë me fjalë të ëmbla dhe të këndshme, të cilat është e mundur të mos jenë edhe aq të vërteta.

   Një studim që është kryer në Universitetin e Kalifornisë vërteton se është e mundur që sinqeriteti i plotë (absolut) ndërmjet bashkëshortëve të jetë më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm në martesë. Suzi Kenith, udhëheqësja e këtij studimi, thekson se përfundimet e këtij studimi vërtetojnë se ekzistojnë disa të vërteta të dëmshme që do të mund ta shkatërronin jetën bashkëshortore.

   Në anën tjetër, ajo vërteton se janë disa gjëra të tjera në të cilat nuk bën dobi gënjeshtra ndërmjet bashkëshortëve. Duke mos hyrë në analizën e këtij studimi themi se Islami shumë kohë më parë e ka vërtetuar një gjë të tillë, ashtu siç kuptuam nga hadithi i mëparshëm. Gjithashtu, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e këshillon një grua duke i thënë: "Nëse ndonjëra nga ju (gratë) nuk e do burrin e saj, mos t`ia shprehë këtë atij, pasi që jo të gjitha familjet ndërtohen mbi themelin e dashurisë."

   Qëllimi i Omerit nuk ishte mënjanimi i një kriteri të rëndësishëm, që është dashuria, por ai i këshillon ato që për ta ruajtur jetën bashkëshortore disa gjëra duhet të heshten. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar i këshillon bashkëshortët të cilët nuk ndiejnë dashuri ndaj grave të tyre dhe i urrejnë ato, që të bëjnë durim dhe të mos nxitojnë t'i shkurorëzojnë, pasi dashuria është relative dhe në periudha të caktuara mund të dobësohet. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse i urreni ato (gratë tuaja), bëni durim pasi është e mundur ju të urreni diçka, ndërsa nga ajo Allahu të japë shumë të mira." (Nisa, 19)

   Kurse gënjeshtrat me të cilat bëhet thyerja e premtimeve të dhëna, realizohen interesa personale në llogari të bashkëshortes dhe gjëra të ngjashme janë të ndaluara dhe pa dyshim përhapja e gjërave të tilla i bën partnerët të humbin besimin e ndërsjellë. Prandaj është e domosdoshme ta kuptojnë bashkëshortët qëllimin e gënjeshtrës në këto raste, që është forcimi i lidhjes ndërmjet partnerëve, për shtimin e dashurisë së ndërsjellë, për ruajtjen e jetës bashkëshortore dhe për ndalimin e rrënimit të saj e në asnjë mënyrë për përligjjen e padrejtësive që i shkakton burri gruas dhe anasjelltas për arsyetimin e neglizhencës në llogari të tjetrit dhe gjëra të ngjashme.

   Në lidhje me këtë Ibën Haxheri në librin "Fet`hu Bari" thotë: "Dijetarët janë pajtuar se gënjeshtra (e lejuar) ndërmjet bashkëshortëve është ajo që nuk cenon të drejtën e burrit gjegjësisht gruas dhe ajo (gënjeshtër) që nuk e bën ta marrë burri atë që nuk është e tij ose gruaja atë që nuk është e saj."

   Neveviu, nga ana tjetër, gjatë komentimit të pjesës së hadithit të lartpërmendur: "...ta gënjejë burri gruan e tij apo gruaja burrin e saj", në koleksionin e Muslimit thotë: "Gënjeshtra e burrit ndaj gruas së tij dhe anasjelltas është me qëllim të shprehjes së dashurisë dhe fjalës me të cilën ai nuk është i obliguar dhe gjëra të ngjashme. Kurse mashtrimi për të larguar obligimin nga vetja si për burrin ashtu edhe për gruan apo marrjen e një gjëje që nuk i takon atij/asaj është haram me konsensus të muslimanëve."
 

DISA ÇËSHTJE TË MARTESËS

 

 

Sipas dijetarëve, martesa në kuptimin gjuhësor, vjen me kuptimin e bashkimit, ndërsa në sheriat, vjen me kuptimin e një lidhjeje apo kontrate midis dy bashkëshortëve. Martesa është bërë detyrë për atë që ka mundësi të martohet. Gabimisht, disa njerëz mendojnë se kuptimi i kësaj "ai i cili ka mundësi" ka kuptimin ai që ka epsh. Mendimi më si saktë për këtë është se martesa është detyrë për atë që ka mundësi (pasuri) për të mbajtur bashkëshorten dhe për t'i dhënë të drejtat e saj, sikurse thuhet në hadithin e nxjerrë nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga hadithi i Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: "O ju të rinj! Nëse keni mundësi martohuni, sepse martesa të largon nga shikimi në harram dhe është mbrojtja më e mirë për nderin. Ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse për të agjërimi është mbrojtje."

Nëse qëllimi i fjalës së profëtit (alejhi selam) do të ishte "ai i cili ka fuqi (epsh) prej jush" nuk do të thoshte: "ai i cili nuk mundet, le të agjërojë..."

Pra, martesa është ligj dhe detyrë për çdo njeri i cili ka mundësi financiare për të mbajtur familjen. Gjithashtu, martesa është detyrë edhe për atë i cili ka frikë nga vetja e tij se nuk mund t'i ruhet dot harrameve dhe gjynaheve. E gjithë kjo, pasi lënia e harrameve dhe gjynaheve nuk plotësohet vetëm se duke i braktisur ato. Lënia e harrameve dhe mëkateve është detyrë, e, nëse njeriu nuk gjen mundësi për mbrojtjen e nderit apo ruajtjen e shikimit të tij, atehërë këto i gjen vetëm tek martesa.

Imam Buhariu dhe Muslimi kanë nxjerrë nga hadithi i transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se tre persona erdhën tek pejgamberi (alejhi selam) dhe e pyetën për punën e tij. Dhe kështu, e lajmëruan për punën që bënte pejgamberi (alejhi selam). Puna që bënte pejgamberi (alejhi selam) iu duk e paktë dhe njëri prej tyre tha: "Përsa më përket mua, unë do të agjëroj pa e çelur fare." Ndësa tjetri tha: "Unë do të falem gjithë natën dhe nuk do të fle." I treti prej tyre u shpreh: "Unë nuk do të martohem asnjëherë me gra." Kur pejgamberi (alejhi selam) u kthye dhe dëgjoi për fjalët e tyre, u zemërua, hipi në minber, falenderoi Allahun e Lartësuar dhe tha: "Përsa më përket mua, unë agjëroj dhe çel (ha), ngrihem natën të falë namaz, por edhe fle e martohem me gra. Kush largohet nga suneti im (nga kjo që unë veproj), ai nuk është prej meje (prej umetit tim)."

Duke kometuar fjalën e pejgamberit (alejhi selam) "...edhe martohem me gra...", dijetarët thonë se kjo thënie është për ata që kanë epsh dhe dëshirë për gra dhe nga kjo i largohet frika personit nga mëkatet. Kush është në këtë gjendje detyrohet të martohet. Gjithashtu, dijetarët thonë se është e ndaluar që të mos martohesh fare. Kjo duke u bazuar në hadithin e saktë të Sad ibn Ebi Uekas (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), në të cilin thuhet se pejgamberi (alejhi selam) e ka ndaluar tredhjen. Për këtë, Uthman ibn Matumi dhe Sadi u shprehën se po të mos ishte e ndaluar, do të ishim tredhur të gjithë. Lejohet të mos martohet personi, kur nuk ka mundësi të shpenzojë asgjë për bashkëshorten apo nuk ka epsh, pasi kjo e fundit, nëse martohesh, është në dëm për gruan. Allahu i Madhëruar thotë: "Mos i prekni ato, duke iu bërë dëm atyre." e kështu, duke kaluar jashtë të drejtës së tyre duke i dëmtuar.

Nga suneti është që të martohesh me një grua që është e butë, të mos jetë sterile, siç ka nxjerrë imam Ahmedi në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: " Martohuni me ato që janë të mira, të buta në fjalë dhe me ato që lindin fëmijë, sepse unë shpresoj që të shtohet me ju populli im." Gjithashtu, duhet që gruaja të jetë e virgjër, bazuar në hadithin e Xhabirit kur ai u martua dhe profeti (alejhi selam) i tha: "Si është, e virgjër apo jo?" Xhabiri iu përgjigj: "E ç'virgjër." Pejgamberi (alejhi selam) tha: "A nuk gjete ndonjë të virgjër që ta kënaqje atë dhe të të kënaqte ty?" Pra, nga kjo është ligjëruar në sheriat që kur të zgjedhë njeriu, ta zgjedhë të dashur, të mos jetë sterile dhe të jetë e ndershme (të jetë e virgjër) ashtu siç duhet që të zgjedhë atë që është fetare, e bukur dhe nësë është e pasur, është edhe më e mirë. Sipas hadithit të transmetuar në librat e saktë të haditheve se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: "Martohet femra për katër gjëra: për pasurinë e saj, nderin e saj, bukurinë dhe fenë e saj. Zgjidhni atë që është fetare, që të keni begati." Nëse këto katër cilësi të përmenduar në hadith gjenden tek femra, kjo është akoma dhe më e mirë.

Nëse fejesa bëhet më një grua të madhe në moshë, atëherë duhet t'i flasësh asaj vetë, ndërsa nësë bëhet me një vajzë të vogël, duhet të flasësh me prindërit apo me kujdestarët e saj. Në një hadith pejgamberi (alejhi selam) thotë: "E divorcuara martohet duke biseduar drejtpërdrejt me të, ndërsa për të voglën ( të pamartuarën) kërkohet leje; përgjigja e  saj për pranin është heshtja." Në një hadith të saktë transmetohet se pejgamberi (alejhi selam) kur u fejua me Umu Selemen shkoi tek ajo dhe bisedoi vetë dhe dërgoi Hatib ibn Ebi Belten për ta kërkuar atë. Ndërsa, për Aishen bisedoi me babain e saj Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

Nuk lejohet për muslimanin që të fejojë një femër, të cilës është futur për fejesë (në të njejtën kohë) një vëlla tjetër musliman, derisa ajo të mbarojë punë plotësisht me të parin; pra të ketë dhënë një përgjigje përfundimtare për çështjen. Në "Sahihun" e Buhariut është transmetuar se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: "Të mos fejohet një burrë në fejesën e vëllait të tij, ashtu sikurse nuk lejohet të kërkojë një grua që i ka vdekur burri i saj për katër muaj e dhjetë ditë." E nëse personi nuk dëshiron të bisedojë më të me fjalë, por ia lë të kuptojë atë me ndonjë shenjë, atëherë kjo është e lejuar. Allahu i Madhëruar thotë: "Dëshira juaj për martesë, ndaj grave që kanë kryer afatin e tyre, në mënyrë të tërthortë ose mbajtja fshehtë në veten tuaj nuk është mëkat për ju." Ndërsa në një ajet tjetër thuhet: "Allahu e di se ju do t'ua përmendni atyre dëshirën për martesë, por  kurrsesi mos i premtoni atyre diçka tjetër, përveç që t'iu thoni fjalë të lejuara dhe mos vendosni lidhjen e kurorës, derisa të përfundojë afati i caktuar. Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në vete, prandaj kini frikë prej Atij dhe dijeni se Allahu është që fal shumë, është i butë."

Nuk lejohet fejesa apo kërkimi i dorës së femrën në dy gjendje:

Nësë ka shkuar për ta kërkuar një person tjetër besimtar musliman dhe nëse ndodhet brenda afatit kohor katër muaj e dhjetë ditë, pasi i ka vdekur burri apo nësë është e divorcuar.

Martesa nuk plotësohet vetëm se me një ndërmjetësues dhe dy dëshmitarë të drejtë. Daru Kutni ka nxjerrë nga hadithi i Aishes se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: "Nuk ka martesë, përveç se me ndërmjetësues dhe dy dëshmues të drejtë."

Lejohet për mashkullin dhe për femrën që të logjikojnë mirë përpara se të ndërmjetësojë një tjetër, ashtu siç ka ardhur në një hadith të saktë se profeti (alejhi selam) i ka thënë një gruaje: "A je e kënaqur sikur të martoj ty?" "Po."- i është përgjigjur gruaja. Atëherë ai i tha: "Do të martoj ty me filanin."

Para se të bësh martesën, lejohet që të shikosh tek ajo që  dëshiron të martohesh. Është transmetuar në një hadith të saktë se një person nga ensarët donte që të martohej me një grua nga ensarët dhe profeti (alejhi selam) i tha atij: "A e shikove atë? Sepse në sytë e ensarëve ka diçka." Në një hadith tjetër transmetohet se profeti (alejhi selam) i tha njërit prej sahabëve, kur ai donte të martohej: "Shikoje atë, sepse kjo është gjëja më e mirë që t'iu bashkojë juve të dy."

Lejohet, gjithashtu, që mashkulli të shikojë në fytyrë dhe në dy duart, e përveç këtyre, nuk lejohet që të shikojë gjë tjetër. Nëse është e domosdoshme, le të dërgojë gra, p.sh: nënën, motrën për ta parë atë dhe gjendjen e saj, në të kundërtën, le të mjaftohet me shikim e fytyrës së saj, me paraqitjen që ajo ka.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an)