PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Lumturia bashkëshortore

Sa herë që flitet për lumturinë bashkëshortore, shumë njerëzve mendja u shkon për një periudhë të caktuar nga jeta e tyre bashkëshortore. Mos vallë lumturia bashkëshortore ka një kohë të caktuar? Mos vallë ajo ka periudhën e saj të skadencës? Mos vallë ajo është thjesht një imagjinatë dhe fantazi? Përse lumturia bashkëshortore kufizohet vetëm në ditët e para të martesës? Mos vallë lumturia bashkëshortore është diçka që përmendet vetëm në libra dhe nuk njihet në realitet? A është e mundur që t’a përjetojmë lumturinë bashkëshortore gjatë gjithë jetës?

 

 

 

Unë do të përpiqem që t’a faktoj si teorikisht ashtu edhe praktikisht që lumturia bashkëshortore është e mundur që të zgjaqë deri në vdekje dhe ndarjen përfundimtare të çiftit nga kjo botë.

 

Dashuria i ngjan një bime, të cilën sa më shumë t’a vadisësh dhe të kujdesesh për të, aq më shumë do të rritet dhe zhvillohet. Dhe e kundërta, nëse e lë pa vaditur dhe punuar, padyshim që bima do të thahet.

 

Për t’a përforcuar idenë time mbi mundësinë e zgjatjes së lumturisë bashkëshortore deri në vdekje, unë kam pyetur dhe jam këshilluar me shumë psikologë, sociologë dhe ekspertë të kësaj fushe. Që dashuria mes dy bashkëshortëve të zgjasë derisa t’i ndajë vdekja, ekspertët e kësaj fushe kanë caktuar disa kritere dhe pika, që ndihmojnë secilin nga bashkëshortët për një dashuri pa kufi.

 

Për të garantuar një jetë bashkëshortore të lumtur, unë do përmend pesë pika të rëndësishme. Një nga këto pika, ka të bëjë direkt me burrin, njëra me gruan, kurse tre të tjerat janë të përbashkëta. Këto pika janë:

 

1 – Mëshira, toleranca zemërgjerësia dhe falja. Nëse dëshiron o bashkëshort që të garantosh dashurinë e gruas dhe respektin e saj, duhet të tregohesh tolerant me të, zemërgjerë dhe ta falësh në raste gabimi. Edhe nëse dashuria fillon të zbehet me kalimin e viteve, gruaja nuk mund t’a harrojë mirësjelljen dhe dashamirësinë tënde. Faktin që ti je treguar zemërmirë, i butë, i dashur, nuk e ke sharë, ofenduar, sjellë ashpër etj... gruaja e ka të vështirë t’a harrojë.

 

Profeti a.s thotë:”Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me familjen e tij dhe unë jam më i miri nga ju me familjen time.”

 

Për Profetin a.s nuk është më i miri ai që ka mësuar përmendësh Kuranin, që falet në xhami, që falet dhe agjëron shumë etj... por ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij. Më i miri në umetin musliman, është ai që sillet më mirë me bashkëshorten dhe familjen e tij. Në fund të hadithit, Profeti a.s jep shembullin dhe modelin e një bashkëshorti të mirë. Ai përfaqëson bashkëshortin model për të gjithë muslimanët. Diçka të tillë, Profeti a.s nuk e thotë për namazin e natës apo çdo lloj adhurimi tjetër. Por e thotë përsa i përket trajtimit dhe marrëdhënieve brenda çiftit.

 

Në një hadith tjetër, Profeti a.s nxit që të tregohemi të butë dhe të dashur me gratë. Ai thotë:”Tregohuni të butë me qelqin (duke pasur si qëllim gratë)”

 

Profeti a.s është modeli dhe shembulli ynë më i mirë përsa i përket sjelljes dhe marrëdhënieve që duhet të ndërtojmë me gratë.

 

Një herë, gruaja e tij Hafsa i kishte pregatitur diçka për të ngrënë atij dhe shokëve që i kishin ardhur për vizitë. Kjo gjë e gëzoi pa masë të dërguarin e Zotit a.s. Ajo që po e ndiqte këtë skenë nga dhoma e saj ishte dhe Aisheja. Ajo u bë xheloze që Hafsa kishte pregatitur ushqim dhe i dërguari i Zotit ishte gëzuar. Kështu, doli nga dhoma e saj dhe teksa Hafsa po u ofronte enën me ushqim, ajo e goditi enën me bërryl dhe ena ra përtokë duke u thyer dhe shpërndarë ushqimin.

 

Të gjithë shokët e Profetit a.s u shtangën nga kjo sjellje e Aishes. Vallë si do të reagonte i dërguari i Zotit?

 

Profeti a.s morri një pjatë tjetër, u ul përtokë dhe filloi të mbledhë ushqimin e derdhur. Pasi e vendosë në pjatën tjetër, Profeti a.s i pa shokët e tij që kishin mbetur gojëhapur dhe u tha duke buzëqeshur:”Nëna juaj u bë xheloze!”

 

Më pas, Profeti a.s u ngrit dhe vajti tek dhoma e Aishes të cilës i tha:”O Aishe! Ti ia thyeve pjatën Hafsas, prandaj duhet t’ia kompensosh atë me një pjatë tjetër.”

 

Aisheja, duke u ndjerë ngushtë dhe e turpëruar nga ajo që kishte bërë i tha:”Kërkoji Zotit falje për mua o i dërguari i Zotit.”

 

Një problemi i tillë dhe i përarfërt, mund të çojë deri në divorc tek familjet e sotme. Ndërkohë që në familjen e Profetit a.s e shtoi më shumë dashurinë dhe respektin. Dëmi u dëmshpërblye dhe fajtori e pranoi fajin, duke e mbyllur këtë çështje me aq.

 

Një herë tjetër, mes Profetit a.s dhe Aishes kishte lindur një konflikt. Duke dashur që t’a bindë, Profeti a.s i tha:”Kë dëshiron të marrim si gjykatës mes nesh? A e pranon Ebu Ubejde ibnu Xherrahun?”

 

Aisheja i tha:”Jo, ai është shumë zemërmirë.”

 

Profeti a.s e pyeti:”Mos dëshiron Umer ibnul Hattabin?”

 

Aisheja i tha:”Jo, Umerin nuk e dua.”

 

Profeti a.s e pyeti:”Atëherë kë dëshiron?”

 

Aisheja i tha:”Ebu Bekrin, babanë tim.”

 

Me të ardhur Ebu Bekri, Aisheja iu drejtua Profetit a.s me fjalët:”Tregoji si qëndron puna, por mos thuash veçse të vërtetën.”

 

Kjo e nervozoi së tepërmi Ebu Bekri i cili i tha:”Po a mund të flasë veçse të vërtetën i dërguari i Zotit?!” dhe u mat t’a qëllojë Aishen.

 

Profeti a.s ndërhyri dhe e mbajti Ebu Bekri, duke i thënë:”O Ebu Bekr, nuk të ftuam për këtë.”

 

Pasi Ebu Bekri doli jashtë, Profeti a.s i tha Aishes:”A e pe si të mbrojta?”

 

Këto fjalë e bënë Aishen të qeshë dhe bashkë me të dhe Profeti a.s. Ebu Bekri e dëgjoi të qeshurën e tyre dhe u kthye përsëri. Pasi hyri brenda dhe i gjeti duke qeshur u tha:”Më bëni dhe mua të qesh, siç më bëtë të nervozohem.”

 

 

Një nga muslimanët e Medines, u nis një ditë të shkojë të ankohet tek Umeri për gjuhën e gjatë të gruas së tij. Kur arriti tek shtëpia e Umerit dhe u bë gati të trokasë, dëgjoi nga brenda që gruaja e Umerit po i bërtiste Umerit dhe po i kthente fjalën. Kur pa këtë, u mendua pak dhe u morri rrugën e kthimit.

 

Në atë çast del Umeri, e shikon pranë shtëpisë së tij, i thërret dhe e pyet:”Sikur paske ardhur për mua!”

 

“Po” ia ktheu burri.

 

“Po përse u bëre pishman atëherë?” e pyeti Umeri.

 

Burri i tha:”O Prijës i besimtarëve! Unë erdha të ankohem për gruan time, e cila ka gjuhë të gjatë dhe më kthen fjalën. Kur u bëra gati të trokas në derë, dëgjova që zëri i gruas tënde ishte më i lartë se zëri yt dhe thashë:”Nga diçka e tillë vuan vetë Umeri, e jo më unë!”

 

Umeri iu përgjigj:”O vëlla! Ajo më duron, më lan rrobat, më rregullon shtratin dhe edukon fëmijët. Të gjithë këto i bën dhe duron. Përse të mos e duroj unë nëse ngre zërin?”

 

Nëse dëshiron që dashuria të shtohet dhe forcohet, tregohu i mëshirshëm, zemërgjerë dhe mëso të falësh.

 

Një bashkëshort që e pengon të shoqen që të vizitojë familjarët e saj, i mungon mëshira dhe është i pashpirt. Një njeri i tillë do të japë llogari para Zotit për këtë që bën.

 

Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” (Muhamed 22)

 

Një bashkëshort që e ngacmon të shoqen se do të martohet për se dyti, duke dashur t’a shtojë xhelozinë e saj, është i pamëshirshëm.

 

Një bashkëshort që sa herë ka probleme me të shoqen e kërcënon me divorc, është njeri pa personalitet.

 

Një burrë që e rreh të shoqen, është burrë pa dinjitet dhe karakter. Tregon gruaja e Profetit a.s, Aisheja:”I dërguari i Zotit kurrë nuk ka qëlluar ndonjë grua.”

 

Nëse dëshiron që të jetosh në lumturi dhe qetësi, mëshiroje gruan tënde. Nëse e bën këtë, dije se do të kthehet në skllaven tënde me dëshirën dhe vullnetin e saj, pasi e mira e bën tjetrin robin tënd.

 

Dikush mund të thotë:”Po u solla kështu me gruan time, humbas personalitetin tim dhe ajo nuk do më respektojë më.” Në fakt, diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe këtë e vërteton vetë jetëshkrimi dhe biografia e Profetit a.s, në marrëdhëniet që kishte ndërtuar me gratë e tij. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm nëse burri ka personalitet të dobët, por jo për shkak të mëshirës dhe dhembshurisë që tregon për gruan. Gruaja është në gjendje t’a dallojë një burrë me personalitet të fortë nga një tjetër pa personalitet.

 

Të qëndrosh gjithë natën para televizorit dhe t’a lësh bashkëshorten të flerë dhe të ndihet e vetmuar, nuk është prej mëshire. Të mbyllesh në vetvete ose të jepesh pas shoqërisë, duke shpërfillur gruan nuk është prej mëshire.

 

Tek i dërguari i Zotit a.s ne kemi shembullin dhe modelin më të mirë, përsa i përket lidhjeve bashkëshortore.

 

Kur ai vendosi, madje u nis bashkë me ushtrinë për të marrë Meken, edhe dy shokët e tij më të ngushtë, Umeri dhe Ebu Bekri nuk e dinin çfarë synonte Profeti a.s. Personi i vetëm që e dinte këtë, ishte e shoqja e Profetit a.s, nëna e besimtarëve Aisheja. Babai i saj Ebu Bekri shkonte t’a pyesë mbi destinacionin e Profetit a.s, por ajo nuk ia tregoi. Profeti a.s ia kishte besuar asaj këtë sekret, ngaqë ishte i bindur se ajo do e ruante të fshehtë.

 

Gjatë kohës së përmuajshmeve, zakonisht gratë ndihen më nervoze dhe kanë nevojë për përkujdesje dhe dhembshuri. Profeti a.s e dinte këtë dhe kur e shihte Aishen të pijë ujë, shkonte dhe pinte ujë nga e njëjta gotë dhe nga i njëjti vend ku kishte pirë ajo.

 

Në mëshirën dhe dhembshurinë që burri duhet të tregojë ndaj gruas, është se ai nuk duhet t’a rëndojë dhe lodhë me kërkesa të shumta dhe në kohë të papërshtatshme.

 

Përsa i përket punëve të shtëpisë, burri duhet të japë kontributin e tij dhe t’a ndihmojë gruan. Diçka të tillë e mësojmë nga jeta e Profetit a.s, i cili kur gjendej në shtëpi, milte delet, rregullonte opingat, blinte ushqimet etj...

 

Një herë, Profeti a.s vajti në shtëpinë e vajzës së tij Fatimes, të cilën e gjeti të vetme. I habitur e pyeti:”Ku është Aliu?”

 

Fatimeja ia ktheu:”Ka dalë.”

 

Profeti a.s e pyeti:”Po Hasani dhe Husejni?”

 

Ajo i tha:”I nxorri Aliu jashtë. Ngaqë nuk kishim me ç’ti ushqenim, ai i nxorri jashtë që të mos qajnë në prezencën time.”

 

Ndërkohë që në ditët tona, me të filluar foshnja të qajë, babai ia dorëzon bashkëshortes dhe vetë del në dhomën tjetër, larg të qarave dhe zhurmës.

 

Edhe në rast pakënaqësish dhe mungese dashurie, Zoti në Kuran na porosit që të sillemi mirë me gratë. Ai thotë:”Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (Nisa 19)

 

Një ditë, ndërkohë që po bisedoja me një nga njerëzit e ditur në xhami, vjen një i ri për të pyetur të diturin mbi një çështje private. Ai i tha: ”Unë kam probleme me gruan, të cilën nuk e dua, madje e urrej dhe nuk mundem të jetoj me të. Dua të divorcohem, por kam frikë se mos i bëj padrejtësi. Të lutem më trego çfarë të bëj!”

 

Unë mendova se i dituri do t’i drejtohet me fjalë të ashpra, por ai i tha: ”Këshilla ime është një fjalë e vetme. Do ta them dhe mendohu rreth saj. Në fund bëj ç’të duash, ose divorcoje, ose mbaje! Fjala dhe këshilla e vetme që do të them është: “Me të vërtetë që durimtarëve u jepet shpërblimi pa llogari.” Nëse dëshiron që Ditën e Kijametit të dalësh para Zotit tënd dhe për durimin e bërë të shpërblejë pa llogari dhe pa masë, zbatoje ajetin e mësipërm. Nëse jo, bëj si të duash.”

 

Unë me vete mendoja se është e pamundur që tjetri të ndryshojë mendim, me një ajet që dëgjoi. Do të ishte më mirë që i dituri ta kishte frikësuar me zjarrin dhe ndëshkimin e Zotit. Pas një muaji, u takova me të riun që erdhi të pyesë dijetarin dhe e pyeta se çfarë kishte ndodhur.

 

Ai më tha: ”Pasi dola nga xhamia, i thashë vetes se ke dy zgjidhje: Ose të durosh dhe të fitosh shpërblimin pa llogari të Zotit, ose t’i bindesh dëshirës dhe pasioneve e ta divorcosh. Ajo që zgjodha dhe m’u duke më e drejtë ishte të duroja dhe të fitoja shpërblimin e Zotit. Për Zotin, nga dita që mora këtë vendim, mua nuk më rrihet pa gruan asgjëkundi. E dua si asnjëherë më parë. Edhe kur jam në punë, e marr në telefon për t’u siguruar mbi gjendjen e saj.”

 

 

2 – Kjo këshillë është e vlefshme për gratë, të cilat duhet t’i dëgjojnë hallet dhe shqetësimet e burrave, t’u qëndrojë përkrah dhe të përpiqen që t’a mbajnë të lartë moralin e tyre. Edhe pse je e dobët, thuaji fjalë vlerësuese dhe stimuluese. Thuaji:”Mos kij frikë se më ke përkrah! Mos u shqetëso se kemi ndihmën e Zotit! Padyshim që Zoti nuk do na braktisë! Do e kalojmë dhe këtë periudhë të vështirë!” dhe fjalë të tilla të ngjashme, të cilat stimulojnë vullnetin, këmbënguljen dhe dëshirën e mirë.

 

Ajo që ndodh me shumë gra është se nuk dinë gjë tjetër përveç ankesave ndaj burrave të tyre. Burri ka nevojë për dikë me të cilin të qajë hallet, dhe duke mos e gjetur këtë tek e shoqja, ai do e gjejë tek shoqëria dhe miqësia. Kështu, fillojnë të krijohen ndarje dhe barriera mes bashkëshortëve.

 

Një grua nevrike, që e humbet toruan dhe nuk di çfarë flet, e ka të humbur lumturinë bashkëshortore. Mos thuaj që kështu jam unë, nevrike dhe e papërmbajtur. Patjetër që duhet të përpiqesh të ndryshosh. Ti duhet të dish si t’a ruash të paprekur dinjitetin dhe karakterin e burrit tënd.

 

Askush nuk mund t’i japë zemër dhe forcë burrit, siç mund t’a bëjë këtë gruaja e tij. Nëse burri do e ndjejë që gruaja është njeriu më i afërt, më i dashur, të cilës i qan hallet dhe tek ajo gjen mbështetjen morale, nuk ka gjë që t’a ndajë prej saj. Sikur të gjendet mes grave më të bukura në botë, ai as në mendje nuk do i shkojë t’a tradhëtojë të shoqen.

 

A e dini përse gruaja e Profetit a.s, Hadixheja u përgëzua me xhenet nga Xhibrili a.s akoma pa vdekur? A e din përse ajo ka krijuar atë emër të mirë? E gjithë kjo për shkak se ajo i qëndroi përkrah Profetit a.s dhe e përkrahu për të përmbushur misionin e tij. Profeti a.s shkëputej nga jeta familjare dhe qëndronte në shpellën Hira për ditë të tëra. Megjithatë, kjo nuk ndikoi në marrëdhëniet bashkëshortore mes tij dhe Hadixhes. Natën që Profetit a.s iu shpall zbulesa hyjnore për herë të parë, ndodhej në këtë shpellë. Me nxitim dhe i lemerisur, ai u nis për në shtëpi. Kur arriti atje, i tha të shoqes:”Më mbuloni, më mbuloni!”

 

Hadixheja nuk i tha siç mund t’i thonin shumë gra të sotme:”A nuk të kam thënë të mos shkosh më në atë shpellë? Të kam dalë borxhit dhjetëra herë dhe ti nuk ma ke vënë veshin! Ja ku dolën fjalët e mia...”

 

Jo, Hadixheja nuk mund t’i thoshte fjalë të tilla. Kur Profeti a.s u qetësua dhe i tha Hadixhes:”U frikësova se mos ishin xhinde.”

 

Ajo i tha:”Jo për Zotin, nuk të braktis ty Zoti. Pasi ti sillesh mirë me të afërmit, respekton mikun dhe ndihmon nevojtarët.”

 

Misioni për të cilin je krijuar ti o motër është që të jesh burim prehjeje dhe qetësie për burrin tënde.

 

Kur u krijua Havaja, gruaja e parë, Ademi a.s e pyeti mbi misionin e saj, dhe ajo iu përgjigj:”Që të gjesh prehje tek unë.”

 

 

3 – Ekzistenca e një qëllimi dhe objektivi të përbashkët në familje. Nëse një çift martohet dhe secili jeton sipas mënyrës që din dhe koncepton vetë, patjetër që dashuria mes tyre do të venitet dhe zbehet. Qëllimi dhe objektivi në jetë, i ngjan më së shumti ujit që vadit bimët. Nëse bima do të vaditet kohë pas kohe, ajo do e ruajë gjelbërimin dhe do të çelë lule.

 

Lumturia familjare dhe bashkëshortore nuk është një gënjeshtër apo diçka e paarritshme. Ajo ka mbushur dhe depërtuar në shumë familje dhe shtëpi. Me qëllim që ajo të mbushë çdo shtëpi tonën, duhet që të caktojmë një objektiv dhe mision të përbashkët. Çifti duhet të jetojë me qëllimin që të përmbushin misionin e tyre të përbashkët.

 

Unë njoh një çift shumë të lumtur dhe që e duan njëri-tjetrin në atë formë që nuk përshkruhet. Kjo, pasi të dy i kanë vënë vetes si synim që të gjithë lagjen ku banojnë t’a lidhin me Zotin dhe fenë. Ata shtrojnë gosti dhe koktejle të shpeshtë, ku të ftuarit nuk kanë miqtë dhe familjarëte tyre, por banorët e lagjes.

 

Një çift tjetër, u përballën me shumë probleme me njëri-tjetrin, që në fillimet e martesës së tyre. Kështu, të dy vendosën që t’i caktonin vetes një synim të përbashkët. Ata vendosën të hapin një qendër bamirësie për fëmijë. Me shtrirjen dhe rritjen e aktivitetit, rritej dhe forcohej dhe dashuria mes nesh.

 

Dashuria mes bashkëshortëve fillon të zbehet, madje humbet fare, vetëm atëherë kur secili shikon hallin dhe jetën e tij private. Një çif i angazhuar në një program dhe projekt të përbashkët, gjatë gjithë jetës do të shijojnë frutet e dashurisë, mirëkuptimit dhe harmonisë.

 

Unë i këshilloj të gjithë të martuarit, të bien dakort mbi një objektiv dhe mision të përbashkët, t’a shkruajnë në letër dhe t’a vendosin atë në një vend ku t’a shohin gjatë gjithë kohës.

 

Teksa flisja me një shokun tim mbi të njëjtin shqetësim, ai më tha:”Të njëjtën gjë ia propozova bashkëshortes para disa kohësh dhe vendosëm që secili prej nesh të shkruante objektivat e tij, më pas do i krahasonim dhe të nxirrnim objektivin e përbashkët. Unë, shkruajta që objektivi im i parë ishtë të bëj diçka që do të kënaqë Zotin. Objektivi i dytë ishte që t’a bëj të ndihet e lumtur bashkëshortja dhe i treti të ndihem unë i lumtur. Kur i krahasuam, pashë që bashkëshortja kishte shkruar të njëjtën gjë për mua.”

 

 

4 – Mbyllja e derës së fitneve. Marrëdhëniet e bashkëshortëve me të tjerët duhet të jenë të kujdesshme dhe të matura.

 

Një burrë që e braktis shtratin e të shoqes për javë të tëra, t’a dijë se po e ekspozon atë ndaj joshjeve dhe fitneve të jashtme. Nëse e shoqja bie në gjynah, patjetër që edhe i shoqi do të japë llogari për këtë.

 

Një natë, gjatë kontrollit të përditshëm, Umer ibnul Hattabi dëgjoi një grua që këndonte dhe thurrte vjersha me përmbajtje erotike, ku dhe ankohej për mungesën e të shoqit që ishte në luftë. Menjëherë, Umeri vajti tek e bija e tij Hafsa dhe e pyeti:”Sa është koha maksimale që një grua e përballon mungesën e burrit?”

 

Hafsa iu përgjigj:”Katër muaj.”

 

Menjëherë ai nxorri një dekret, të cilin ua shpërndau të gjithë komandantëve të ushtrive, ku i urdhëronte që të mos i mbajnë ushtarët e martuar mbi katër muaj larg shtëpisë.

 

Këtë, Umeri e bënte për të mbrojtur një nga të drejtat themeltare të gruas.

 

Shpesh herë, burrat abuzojnë me hadithin e Profetit a.s ku ai thotë se nëse gruaja refuzon t’i përgjigjet nevojave të burrit në shtrat, ajo është e mallkuar. Përse këta burra i injorojnë nevojat e grave të tyre? A nuk kanë dhe ato të drejta në shtrat?

 

Sot ka bashkëshortë të cilët regjistrojnë në televizorët e tyre kanale me përmbajtje pornografike. Si është e mundur që në shtëpinë tënde ku lexohet Kuran dhe përmendet emri i Zotit, të shfaqen pamje të tilla o vëlla?! Gjëra të tilla e shkatërrojnë familjen dhe e minojnë lumturinë familjare.

 

Veç kësaj, Profeti a.s na e ka ndaluar që gjatë mungesës së burrit, në shtëpi të hyjnë persona të farefisit. Njerëz të tillë, qoftë dhe vëllai i bashkëshortit, nuk ka përse të qëndrojnë dhe të hyjnë në shtëpi ku gjendet vetëm nusja e shtëpisë,. Të gjithë këto, islami i ka caktuar me qëllim që të mbrojë familjen dhe dashurinë mes çiftit.

 

Marrëdhëniet dhe lidhjet e reja që lindin në punë, janë shkatërruese për lumturinë bashkëshortore. Sot është bërë e modës që burri të krijojë lidhje me koleget e punës, lidhje dhe marrëdhënie të cilat vazhdojnë të përparojnë derisa të çojnë në gjynahe, divorce dhe shkatërrim të familjes.

 

Shejtani përdor një lojë dhe grackë shumë të rrezikshme, sidomos me burrat. Ai ua paraqet atë që nuk e kanë, shumë më të ëmbël se ajo që kanë. Ai ua paraqet burrave një grua të huaj, shumë më të bukur se gruan dhe bashkëshorten që kanë në shtëpi.

 

Tregon Profeti a.s:”Gjatë natës së Miraxhit, mu paraqitën disa njerëz të cilëve u ofrohej për të ngrënë mish i gatuar mirë. Por ata e injoronin atë dhe shkonin dhe hanin mish të qelbur. I shokuar e pyeta Xhibrilin a.s:”Kush janë këta o Xhibril?”

 

Ai më tha:”Këta janë ata burra që injorojnë gratë e tyre hallall, dhe rendin pas grave haram.”

 

 

5 – Adhurojeni Zotin së bashku, që t’ju shtohet dashuria me njëri-tjetrin. Ai që e ka krijuar lumturinë, Ai është burimi i lumturisë. Adhurojeni dhe luteni Zotin së bashku, që t’ju mbulojë me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin.

 

Caktoni një ditë në javë, ku të falni dy rekate së bashku.

 

Ajo që ndodh sot, është se secili bashkëshort falet dhe e adhurojnë Zotin veçmas. Unë u këshilloj që t’a provoni qoftë dhe një herë që të faleni bashkë. Për këtë, thotë Profeti a.s:”Zoti e mëshiroftë atë burrë që çohet natën të falet dhe zgjon dhe gruan e tij të falet. Nëse nuk zgjohet i hedh ujë në fytyrë. Zoti e mëshiroftë një grua që çohet të falet natën dhe zgjon dhe burrin e saj, të cilit nëse nuk zgjohet i hedh ujë në fytyrë.”

 

“Kush çohet natën dhe zgjon gruan e tij dhe falen të dy, do të shkruhen nga ata që përkujtojnë Zotin shumë.”

 

Cakto një ditë në javë ku do të lexosh Kuran me gruan tënde, cakto një ditë në javë ku do e lusni së bashku Zotin. Ndërkohë që jeni duke udhëtuar me makinë, përkujtojeni Zotin bashkë. Dy bashkëshortë që e përkujtojnë Zotin bashkë, nuk mund të zihen dhe bërtasin për shkak se gjella ka më shumë kripë se zakonisht. Dy vetë që falin dy rekate namaz nate, nuk mund të grinden të nesërmen në mëngjes.

 

Unë dua që dashuria mes bashkëshortëve t’i përngjasojë dashurisë që ekzistonte mes Profetit a.s dhe Aishes.

 

Një herë, Aisheja e pyeti të dërguarin e Zotit a.s:”Si e përshkruan dashurinë tënde për mua o i dërguar i Zotit?”

 

Profeti a.s iu përgjigj:”Si nyjen e litarit!”

 

Aisheja e pyeti sërish:”Si është nyja tani o i dërguari i Zotit?”

 

Profeti a.s iu përgjigj:”Siç ka qenë o Aishe!”

 

Një herë teksa profeti a.s ishte shtrirë në shtëpi, dëgjon trokitjen e derës. Mënyra se si trokiste dhe zëri pas derës i kujtuan atë të Hadixhes. Çohet në këmbë dhe thotë:” O Zot, më duket si zëri i Hadixhes. O Zot bëje që të jetë motra e Hadixhes”. Kur hapi derën pa që ishte motra e Hadixhes dhe e mirëpriti me gëzim. Kjo, edhe pse Hadixheja kishte vite që kishte vdekur.

 

Ne duam që bashkëshortët t’a duan njëri-tjetrin ashtu siç duhej Umer ibnul Hattabi me bashkëshorten e tij Umu Kulthumin, vajzën e imam Aliut. Ditën e hënë vdiq Umeri, kurse të martën vdiq Umu Kulthumi, nga pikëllimi për vdekjen e tij.

 

E lusim Zotin që pas këtyre rrjeshtave t’i mbushë shtëpitë tona me dashuri, respekt dhe harmoni, siç ishin të mbushura shtëpitë e Profetit a.s dhe të muslimanëve të parë.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free