PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Një grua e zgjuar

Një grua e zgjuar

Nëse dëshiron të jetosh në zemrën e burrit tënd, jeto me problemet dhe hallet që ka ai. Lidhur me këtë do të të tregoj ty për një grua që vazhdoi të jetonte në zemrën e burrit edhe pas vdekjes së saj...

 
Populli ynë thotë: "Më mirë të dish sesa të kesh." Dhe nga vetë jeta kjo thënie tij është më se e vërtetë. Në familje të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të ditur. Lind pyetja: Kush duhet të jetë më i ditur, burri apo gruaja? Përgjigjja vjen vetvetiu, të dy. Po dhe dijen
duhet ta përdorësh me kujdes, se për të dukur që je i ditur mund të dukesh mendjemadh. Po më shumë se i ditur duhet të jesh i zgjuar.
Gruaja duhet të jetë e zgjuar në veprimet e saj që të dijë të bëjë për vete bashkëshortin e saj, të njëjtën gjë edhe burri.

Porosi për gruan, bashkëshorten, shtëpiaken, nënën e fëmijëve, e cila do që në shtëpinë e saj të bëhet jetë e qetë dhe të mbizotërojë siguria, dashuria, bashkimi dhe mëshira
Në duart e tua po vendos disa porosi që të kënaqësh me to Zotin tënd,

të lumturosh me to bashkëshortin tënd dhe të mbrosh me to fronin e pozitën tënde.

Porosia e parë: Devotshmëria ndaj Allahut të Madhëruar dhe lënia e
gjynaheve  Po deshe të prishësh harmoninë në shtëpinë tënde, bëji
padrejtësi Allahut (bëj gjynahe). Bindu Allahut që të të ruajë Ai ty,
bashkëshortin tënd dhe shtëpinë tënde. Bindja ndaj Allahut i bashkon
zemrat, ndërsa padrejtësia ndaj Tij i përçan ato. Ndaj edhe një grua e
mirë, kur shikonte se burri i saj sillej pak ashpër me të, thoshte:

"Kërkoj falje prej Allahut, kjo është pasojë e ndonjë gjynahu që kam  bërë unë."

Pra, ki kujdes motër e nderuar dhe mos bjer në gjynahe dhe sidomos:

Lënia apo vonesa e faljes ose kryerja e tij pa rregull;

 
Vendet e thashethemeve, dyfaqësisë, vetëkënaqësisë etj;


Nënçmimi i të tjerëve dhe tallja me ta.
 

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës". (El –Huxhurat: 11)

 

Edukimi i fëmijëve me edukatë joislame;

Shikimi i filmave jo edukativë;

Leximi i revistave të shthurura;
 Të shoqëruarit me femra jobesimtare dhe të pasjellshme. Profeti (a.s)
thotë: - "Personi ka fenë e atij me të cilin rri, simpatizon."

 
Porosia e dytë: Njihe bashkëshortin

Duhet që gruaja të njohë burrin e saj, të dijë çfarë i pëlqen atij, në mënyrë që të veprojë ashtu si i pëlqen atij, e të dijë çfarë urren në mënyrë që të distancohet nga ajo punë.

 Dëgjoje historinë e kësaj gruaje të mençur, e cila deshi të njohë huqet e bashkëshortit të saj.

 
Një burrë i thotë shokut të tij: "Që prej njëzet vjetësh nuk kam parë gjë të mërzitshme nga gruaja ime."Shoku ia kthen i habitur: - "Si ka mundësi?"Burri i thotë: - "Që natën e parë të martesës zgjata dorën drejt saj, ajo më tha, prit pak, - e pastaj vazhdoi: - "Unë jam grua e panjohur
për ty dhe nuk di shumë gjëra rreth moralit tënd. Të lutem më trego se
çfarë të pëlqen që unë ta bëj dhe çfarë urren që unë të mos e bëj." E më pas tha: - "E mbyll me këto fjalë dhe i kërkoj falje Allahut për vete dhe për ty.""

 
I tha burri shokut të tij: - "Për Zotin më hutoi me fjalët që tha dhe pikërisht, në këtë gjendje, i thashë: - "Ti më the disa fjalë që, nëse i realizon, do të kesh fatin t'ia kalosh mirë me mua e nëse i thua këto
fjalë për t'u dukur, dije se ato do të jenë si argument kundër teje…
Dua këtë e këtë…dhe urrej këtë e këtë…Çdo të mirë që sheh përhape dhe çdo të keqe që sheh mbuloje."
I tha burri shokut të tij: - "Dhe fjeta atë natë si mos më kurrë, e jetova me të një vit duke shikuar tek ajo veç gjëra të mira. Kur u mbush një vit plot, erdha nga puna dhe gjeta të ëmën e gruas në
shtëpinë time dhe ajo (nëna e gruas) më tha: - "Si të duket gruaja?"

I thashë: - "Grua shumë e mirë."
Më tha: - "Për Zotin, nuk ka më keq për burrin se sa të mbajë në shtëpi një grua të përkëdhelur."

 
Burri tha: - "Jetova me atë grua njëzet vjet, nuk i tërhoqa vërejtjen asaj për ndonjë gabim, veçse një herë ku fajtori isha unë."

 Porosia e tretë: Durimi dhe sjellja e mirë me burrin
  Gruaja duhet që me çdo kusht të sillet mirë me bashkëshortin e saj dhe nuk duhet t'ia
thyejë fjalën atij. Ti mund të bëhesh prej grave më të mira duke iu bindur burrit tënd dhe duke u përpjekur ta gëzosh dhe respektosh atë.
Profeti (a.s) është pyetur se cilat janë gratë më të mira, dhe ai tha: - "Ajo që e gëzon burrin kur e shikon, i bindet kur ai e urdhëron dhe nuk vepron ato gjëra që ai i urren."

Dhe dije se ti, me lejen e Allahut, ke për të qenë prej banorëve të xhenetit, po pate frikë Allahun dhe po iu binde bashkëshortit tënd.

Profeti (a.s) thotë: "Nëse gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin, ruan nderin dhe i bindet bashkëshortit të saj, do të hyjë në xhenet nga cila derë të dëshirojë."

 
Porosia e katërt: Të kënaqurit…
Kërkohet prej femrës që të kënaqet me atë që i ka rënë për pjesë, shumë a pak qoftë…Të mos kërkojë prej burrit të saj gjëra që ai s'ka mundësi t'i kryejë. Në një thënie të Profetit thuhet: - "Gratë më të bereqetshme janë ato që kanë më pak shpenzime."

 
Porosia e pestë: Rregullimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë
Prej mirëmbajtjes së shtëpisë është edukimi i fëmijëve, pastrimi dhe rregullimi i saj, përgatitja e ushqimit në kohën e caktuar. Po kështu edhe ruajtja e lekëve të burrit në një vend të caktuar dhe shpenzimi i tyre me ekonomi.

 
Porosia e gjashtë: Sillu mirë me njerëzit e burrit dhe të afërmit e tij
Me të gjithë njerëzit e burrit sillu mirë, po në veçanti me nënën e tij, sepse ajo është prej njerëzve më të afërt për të. Ndaj duhet të krijosh afrimitet me të, t'i shfaqësh asaj mirësjelljen dhe respektin,
t'i durosh gabimet që ajo bën e t'i zbatosh urdhrat e saj sa të kesh mundësi.
Mendo o grua se është ajo nënë që ka gdhirë dhe ka edukuar këtë burrë, që sot është bashkëshorti yt. Ndaj dija për nder asaj dhe vlerësoja punën që ka bërë.

 

Porosia e shtatë: Bëhu pjesë e problemeve dhe halleve që ka burri
Nëse dëshiron të jetosh në zemrën e burrit tënd, jeto me problemet dhe hallet që ka ai. Lidhur me këtë do të të tregoj ty për një grua që vazhdoi të jetonte në zemrën e burrit edhe pas vdekjes së saj, nuk e harruan vitet kujtimin e saj dhe nuk i zhduku koha gjurmët që ajo la në zemrën e burrit të saj. Ajo është Hatixheja, që askush nuk mund të harrojë se si i dha kurajë Profetit kur i zbriti shpallja e më pas, dhe si e ndihmoi atë me pasurinë e saj për të përhapur këtë fe. Askush s'e harron fjalën e saj, e cila qetësoi Profetin, kur ishte i shqetësuar, e gëzoi kur ishte i mërzitur; kur i tha: - "Për Zotin, Allahu nuk ta do të keqen kurrë, ti i viziton të afërmit, i jep hakun atij që i është bërë padrejtësi, ndihmon të varfrit dhe je gjithmonë me të drejtën." Ndaj bëhu edhe ti motër si Hatixheja në qëndrimin pranë të tij.

 
Porosia e tetë: Falëndero burrin për çdo të mirë që ai bën 
Ai që nuk falënderon njerëzit, nuk falënderon as Allahun e Madhëruar, ndaj mos u
bë si ajo, që, pasi i kishte bërë i shoqi tërë ato të mira, tha: - "Nuk
kam parë asnjë të mirë prej teje."

 Profeti (a.s) thotë: - "O gra jepni sadaka, sepse unë kam parë që ju jeni shumica e banorëve të zjarrit!" Ato thanë: - "O i dërguari i Allahut, pse do të ndodhë kjo?!"

 Tha: - " Mallkoni shumë, nuk ua dini për nder kur ju bëjnë të mira burrat tuaj dhe nuk u jepni atyre të drejtat që ata kanë ndaj jush."

 Dije ti motër se falënderimi i burrit mund të bëhet edhe me një buzëqeshje, që bie e zë vend në zemrën e tij ose me një fjalë të ëmbël magjike që bën ta harrojë lodhjen e punës e të rifreskojë dashurinë mes jush.

 Porosia e nëntë: Ruaj sekretet dhe mbulo gabimet e burrit
Gruaja është njeriu që jeton më pranë burrit dhe është njeriu që i di më mirë veset e tij ndaj edhe di shumë të fshehta të tij. Nxjerrja dhe përhapja e sekreteve është një veprim i shëmtuar prej kujtdo qoftë, por prej gruas ai është akoma edhe më i urryer.Në vendet ku mblidhen gratë nuk është e habitshme të dëgjosh se si serviren sekretet e burrit të njërës apo tjetrës. Ruaje motër e nderuar
sekretin e burrit tënd dhe mbuloja të metat atij dhe mos i shfaq ato veçse kur është e domosdoshme si p.sh. ankesa tek gjykatësi apo pyetja që i drejton një dijetari për të mësuar.

 

Motër mjafton për ty të dëgjosh fjalën e Profetit (a.s), i cili thotë:-
"Njerëzit më të këqij tek Allahu në ditën e Gjykimit janë ai burrë dhe
ajo grua që i besojnë sekretet njëri-tjetrit pastaj secili prej tyre
nxjerr sekretet e njëri-tjetrit."

 
Porosia e dhjetë: Zgjuarsia dhe kujdesi nga rënia në gabime

 Prej gabimeve është: Përshkrimi i grave të tjera përpara burrit tënd.

Profeti (a.s) e ka ndaluar një veprim të tillë dhe ka thënë: "Të mos i
përshkojë ndonjë grua burrit të saj ndonjë grua tjetër, sikur ta ketë përpara syve."

 Është ajo që bëjnë shumë prej grave, sapo hyn burri në shtëpi. Pa
pritur, që ai të qetësohet pak nga lodhja e punës, gjendet përpara tij
një listë kërkesash dhe problemesh. Natyrisht që burri nuk mund t'i lerë këto punë pas dore, ama lind si detyrë për gruan që të gjejë çastin e volitshëm për këto probleme.

 
Veshja e rrobave dhe stolive më të mira kur gruaja del nga shtëpia,
kurse para burrit jo. E të tjera e të tjera gabime si këto, që bëjnë që
burri të mos ngelet i kënaqur prej gruas së tij. Por gruaja e zgjuar
dhe e kujdesshme i mënjanon të tëra këto gabime.
'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an)