PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Normat e bashkëveprimit mes gjinive

“O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t’u jepet leje, e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. Allahu di çdo gjë që veproni ju. Nuk është për ju ndonjë mëkat, nëse hyni në shtëpi të pabanuara, e që në to keni ndonjë përfitim. Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani fshehtë. Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”. (24: 27-31) 

Për ta mbrojtur shoqërinë nga sjellja e pamoralshme dhe për të ruajtur shenjtërinë e marrëdhënieve personale, vargjet e cituara më lart paraqesin normat dhe rregullat e bashkëveprimit mes gjinive. Ato deklarohen në Suren Nur me paralajmërimin se këto norma të bashkëveprimit shoqëror dhe të kontaktit të përbashkët duhet të zbatohen, në mënyrë që të ruajmë pastërtinë e zemrës dhe janë parimet më të përshtatshme për këtë çështje. Nëse njerëzit i ndjekin këto norma, ata do të përftojnë të mirat dhe shpërblimet që ato sjellin. Megjithatë për t'i përftuar këto të mira, është e rëndësishme që këto norma të ndiqen, duke pasur parasysh se Zoti është i Gjithëdituri dhe duke qenë të vetëdijshëm për faktin, se Zoti i Plotfuqishëm është jo vetëm në dijeni të veprave të tyre, por edhe të qëllimeve dhe arsyeve që fshihen pas tyre. 

Këto norma janë: 

1. Nëse miqtë, të afërmit dhe të njohurit bëjnë vizita tek njëri-tjetri, ata duhet të ndjekin disa rregulla të caktuara të mirësjelljes. Hyrja në një shtëpi pa u prezantuar është e pahijshme. Vizitori duhet para së gjithash të prezantohet duke i përshëndetur banorët e shtëpisë. Kjo do t'i informojë banorët për vizitorin, do t'u japë mundësi të caktojnë qëllimin e vizitës së tij dhe nëse është e përshtatshme ta lejojnë të hyjë. Nëse vizitorit i kthehet përshëndetja dhe i jepet leje, atëherë ai duhet të hyjë. Nëse në shtëpi nuk gjendet asnjeri që t'i japë leje, ose ka njerëz por ai i thotë se takimi me të nuk është i mundur, atëherë vizitori duhet të largohet nga shtëpia pa mbajtur mëri. 

Për sa i përket kësaj, profeti (a.s) ndërsa po e shpjegonte këtë normë, e ka udhëzuar vizitorin të kërkojë leje tre herë dhe nëse nuk dëgjon asnjë përgjigje pas thirrjes së tretë ai duhet të largohet.1 

Në mënyrë të ngjashme transmetohet se profeti (a.s) ka thënë, se leja për të hyrë në shtëpi nuk duhet të kërkohet duke qëndruar para derës kryesore të shtëpisë dhe ndërsa shikon fshehurazi, sepse arsyeja kryesore e marrjes së lejes është që vizitori të mos arrijë t'i shikojë banorët.2 

2. Në rast se nuk është shtëpi banimi, nuk kërkohet asnjë leje formale. Kurani, për këto vende, përdor fjalët “shtëpi të pabanuara”. Ato përfshijnë hotelet, shtëpitë e pushimit, bujtinat, dyqanet, zyrat dhe vendet e takimit. Një njeri mund të hyjë në këto vende, për nevoja të ndryshme, pa marrë leje. 

3. Në të dyja llojet e vendeve, nëse gratë janë të pranishme, atëherë urdhri hyjnor është që burrat dhe gratë e pranishëm duhet t'i kufizojnë shikimet e tyre. Nëse në shikimet e tyre ka modesti dhe burrat dhe gratë kufizohen në shikimin e cilësive fizike të tyre dhe nuk e shikojnë njëri-tjetrin me epsh, atëherë pa dyshim plotësohet qëllimi i këtij urdhri. Shprehja “të ndalin shikimet e tyre” nuk do të thotë se burrat dhe gratë duhet të shikojnë gjatë gjithë kohës në dysheme, ndërsa bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se duhet ta ruajmë shikimin nga liria e tepruar dhe duhet të ruhen nga shikimi ngultas. Nëse nuk ruhen këto kufizime, atëherë sipas fjalëve të profetit (a.s) kjo do të ishte e barasvlershme me imoralitetin e syve. Nëse një person e kryen këtë, atëherë ose organet e tij të turpshme e plotësojnë objektivin përfundimtar të asaj që nisën sytë e tij, ose ai nuk ka mundësi ta bëjë këtë3. Profeti (a.s) i ka udhëzuar besimtarët, t'i shmangen shikimit të parë të rastësishëm. 

Baridah ka transmetuar, se profeti (a.s) i tha Aliut: "O Ali! Shikimi i parë nuk duhet të ndiqet nga një shikim i dytë, sepse i pari do të falet, ndërsa i dyti jo".4 

Xharir ibn Abdullah transmeton, se ai e kishte pyetur profetin (a.s): "Po nëse ky shikim ndodh papritur?" Profeti u përgjigj: "Largoje menjëherë shikimin ose uli sytë".5 

Njëherë gjatë haxhit të lamtumirës së profetit (a.s) kur një grua nga fisi Khatham e ndaloi profetin (a.s) në rrugë, Fadl ibn Abass po e shikonte ngultas. Kur profeti (a.s) e pa, ia ktheu fytyrën në anën tjetër.6 

4. Njerëzit duhet t'i mbulojnë pjesët e turpshme në raste të tilla bashkëveprimi. Në Kuran përdoret "pjesët e turpshme të trupit". Megjithatë është e qartë nga konteksti ku përdoret dhe mënyra si është përdorur, se në vargun e cituar më lart kjo shprehje nënkupton se burrat dhe gratë duhet t'i mbulojnë pjesët e turpshme të trupit. Qëllimi i këtij udhëzimi është se në rastet e përzierjes së burrave dhe grave, pjesët e trupit, të cilat duhet të mbulohen, duhet të mbulohen më me kujdes. Rruga kryesore për ta arritur këtë synim është veshja e rrobave të përshtatshme. Burrat dhe gratë duhet të veshin rroba të tilla që fshehin jo vetëm zbukurimet por edhe pjesët e turpshme. Për më tepër, në raste të tilla, duhet të tregohet kujdes që të mos ekspozohen pjesët e turpshme. Ky është synimi i vërtetë i hifdhul-furuxh. Kurani kërkon që burrat dhe gratë besimtare përveç se të ruajnë shikimin e tyre, duhet ta zbatojnë këtë rregull për veshjen. 

5. Është e nevojshme që në veçanti gratë, të mos i ekspozojnë stolitë e tyre, përveçse para njerëzve shumë të afërt, të njohurve dhe shërbëtoreve. Megjithatë prej kësaj përjashtohen stolitë që nuk mbulohen asnjëherë: d.m.th. stolitë e dorës, të fytyrës dhe të këmbëve. Sipas mendimit të këtij shkrimtari, kuptimi i saktë i fjalëve kuranore illa ma dhahera minha, që përdoret për ta treguar këtë kuptim, është ai që theksohet nga Zamakhashari në fjalët: “Përveç gjymtyrëve që një person nuk i mbulon në përgjithësi ose instinktivisht dhe janë gjithmonë të pambuluara”.7 

Prandaj, përveç stolive që vihen në këto vende, gratë duhet t'i fshehin të gjitha stolitë e veshura në vende të tjera. Ato nuk duhet të ecin duke i kërcitur këmbët, në atë mënyrë që të tërhiqet vëmendja për të parë stolitë e fshehura që ato kanë vënë. Gjithashtu profeti (a.s) ua ka ndaluar grave të përdorin parfume të forta kur dalin.8 

Të afërmit dhe të njohurit, përpara të cilëve nuk ndalohet shfaqja e stolive, siç e përmendëm më lart, janë: 

1. Bashkëshorti 

2. Babai 

3. Vjehrri 

Për dy emrat e fundit fjala e përmendur në Kuran është aba. Kjo fjalë nuk nënkupton vetëm babanë por edhe gjyshërit nga ana e nënës dhe e babait si dhe xhaxhallarët dhe dajat. Pra një grua mund t'i tregojë stolitë e saj para të rriturve nga familja e nënës dhe babait, si dhe të bashkëshortit, ashtu si para babait dhe vjehrrit të saj. 

4. Djemve 

5. Djemve të bashkëshortit 

6. Vëllezërve 

7. Djemve të vëllezërve 

8. Djemve të motrave 

Fjala djalë nënkupton nipërit dhe stërnipërit nga ana e nënës dhe e babait. E njëjta gjë nënkuptohet edhe për djemtë e vëllezërve dhe të motrave. Në këto lidhje kuptohet se përfshihen dhe djemtë e motrave dhe vëllezërve të vërtetë, apo të atyre që i kanë nga njerka ose njerku. 

9. Gratë që i njohin dhe shërbëtoreve 

Nga këto fjalë bëhet e qartë, se gratë e panjohura duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si burrat dhe një grua myslimane duhet të tregohet shumë e kujdesshme, kur i tregon stolitë e saj para tyre. Arsyeja është se kjo mund të ketë probleme morale dhe financiare dhe në disa raste një qëndrim i pakujdesshëm mund të shkaktojë rreziqe më të mëdha. 

10. Robërve 

Institucioni i skllavërisë ekzistonte në Arabi në kohën e profetit Muhamed (a.s). Fjalët e përdorura më sipër, që i referohen këtij institucioni janë ma meleket ejmanuhune. Disa juristë e kanë kuptuar këtë shprehje si “robëreshat”. Megjithatë nuk ka arsye për këtë përjashtim. Imam Amin Ahsan shkruan: “Nëse me këtë shprehje do të nënkuptoheshin vetëm robëreshat, atëherë fjalët e duhura do të ishin eu emaihine. Një shprehje e zakonshme që tregon dhe robërit dhe robëreshat nuk do të ishte përdorur asnjëherë. Për më tepër ajetet e përmendin kategorinë, që ashtu siç është shpjeguar, përfshin gratë me të cilat njihet dhe robëreshat dhe shërbëtoret. Pas përmendjes së kësaj kategorie, është e panevojshme përmendja më vete e robëreshave”.9 

11. Njerëzit të cilët jetojnë të varur ose për shkak të nënshtrimit ose detyrimit të tyre për ndonjë arsye tjetër, janë të paaftë të ndihen të tërhequr nga gratë. 

12. Fëmijët të cilët nuk kanë arritur moshën e pubertetit. 

6. Përderisa kraharori i grave zgjon epshin dhe gjithashtu në qafë mund të vishen dhe stoli, gratë udhëzohen ta mbulojnë kraharorin me një rrobë. Në këtë mënyrë dhe pjesa e qafës duhet të mbulohet aq sa është e mundur. Qëllimi i vërtetë është që gratë të mos e zbulojnë kraharorin dhe pjesën e qafës para burrave; përkundrazi këto duhet të mbulohen dhe të mos duken. 

Kjo sure përmend gjithashtu sqarime të tjera në lidhje me këto norma. 

Së pari, robërve, robëreshave dhe fëmijëve të papjekur seksualisht, të cilët frekuentojnë shpesh një shtëpi, nuk u kërkohet të marrin leje sa herë që hyjnë në një dhomë personale. Atyre u kërkohet të marrin leje në tre kohë të veçanta të ditës: para namazit të sabahut, kur banorët në përgjithësi janë në shtrat; gjatë gjumit të pasdites, kohë kur mund të mos jenë të veshur si duhet; dhe pas namazit të jacisë kur ata shkojnë të flenë. Këto tre periudha kohore kërkojnë ruajtjen e privatësisë. Nëse dikush hyn papritur në një dhomë personale në këto kohë, ai mund t'i shohë banorët në një gjendje të papërshtatshme. Përveç këtyre tre kohëve, fëmijët që nuk e kanë arritur periudhën e pubertetit dhe robërit e robëreshat, mund të hyjnë në dhomat personale dhe zonat e tjera të shtëpisë pa marrë leje. Sapo fëmijët arrijnë në moshën e pubertetit, ata duhet të kërkojnë leje në çdo kohë. Pra, sapo ta arrijnë këtë moshë, ata duhet të ndjekin rregullat që duhet t'i zbatojnë të gjithë: “O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur. Pos atyre tri kohëve nuk është mëkat as për ju as për ata, të vizitoni njëri-tjetrin. Kështu Allahu ua sqaron argumentet e veta. Allahu është i dijshmi i urti. E kur fëmijët tuaj ta arrijnë moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për hyrje) ashtu si kërkuan ata para tyre. Allahu ju shpjegon dispozitat e veta, sepse Ai di më së miri dhe është më i urti”. (24: 58-59) 

Së dyti, urdhri për të mbuluar kraharorin dhe pjesën e qafës nuk ka të bëjë me gratë e moshuara, të cilat nuk mund të martohen më, me kushtin që qëllimi i tyre të mos jetë shfaqja e bukurisë së tyre. Nuk është e nevojshme që një grua të mbulojë kraharorin dhe pjesën e qafës në një moshë, në të cilën ajo në përgjithësi e humbet dëshirën e saj seksuale dhe kur burrat nuk joshen më prej tyre. Megjithatë edhe në këtë moshë, për Allahun është më mirë që ato të jenë të kujdesshme me rrobat e tyre: “E gratë e moshuara, të cilat nuk dëshirojnë më martesë, për to nuk është mëkat ta heqin petkun mbulues të tyre, po duke mos qenë zbuluese të bukurive, megjithëqë më së miri është për to të jenë të përmbajtura. Allahu dëgjon, di”. (24:60) 

Së treti, në këto ajete shpjegohet se nuk ka asnjë dëm, nëse njerëzit dhe të afërmit e tyre, të cilët janë të paaftë ose të gjymtuar në ndonjë mënyrë, të vijnë dhe të vizitojnë njëri-tjetrin dhe nëse burrat dhe gratë mes tyre hanë bashkë ose të veçuar në shtëpitë e tyre, të fëmijëve të tyre, të prindërve të tyre, të vëllezërve të tyre, të motrave të tyre, të xhaxhallarëve, hallave, dajave dhe tezeve të tyre dhe të njerëzve që varen prej tyre nga ana financiare. Në të vërtetë, kur hyjnë në shtëpi të tilla, ata duhet t'i përshëndesin banorët në mënyrën e caktuar. Përshëndetja fetare myslimane “selamu alejkum” është një lutje e madhe për të Plotfuqishmin, që t'i forcojë marrëdhëniet e tyre personale. Normat e bashkëveprimit social që paraqiten në këto ajete nuk kanë si qëllim t'ua heqin njerëzve mbështetjen reciproke apo uljen e lirisë sociale. Nëse njerëzit tregohen të matur, ata mund t'i ruajnë këto marrëdhënie edhe pas ndjekjes së këtyre normave. Ata nuk duhet të mendojnë se këto udhëzime janë dhënë për t'i vënë ata në vështirësi. I Plotfuqishmi nuk ka si qëllim ndalimin e bashkëveprimit social: “Nuk është mëkat për të verbrin, as për të çalin, as për të sëmurin, as për ju vetë, të hani nga shtëpitë tuaja, ose nga shtëpitë e etërve tuaj, shtëpitë e nënave tuaja, në shtëpitë e vëllezërve e të motrave tuaja, në shtëpitë e xhaxhallarëve, të hallave, të dajave tuaj, në shtëpitë e tezeve tuaja ose të atyre që u janë besuar çelësat e tyre, ose (në shtëpitë) e miqve tuaj. Mund të hani bashkërisht ose veçmas, nuk është mëkat. Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme. Kështu Allahu ua sqaron argumentet, që t’i kuptoni”. (24:61) 

Këto janë normat e bashkëveprimit social në rrethana të përgjithshme. Megjithatë në kohën e profetit (a.s) në Medine, kur disa njerëz të ulët nisën të vënë në lojë dhe të ngacmojnë karakteret e grave myslimane, i Plotfuqishmi në Suren Ahzab ua ndaloi grave të profetit (a.s), vajzave të tij dhe grave të tjera myslimane t'i hiqnin shamitë e tyre kur shkonin në vende që ishin të pasigurta. Një veshje e tillë do t'i dallonte nga gratë me karakter të turpshëm dhe ato nuk do të ngacmoheshin me pretekstin se janë nga pamja e jashtme të ngjashme me këto gra. Në disa transmetime tregohet, se kur gratë myslimane dilnin jashtë natën ose në agim, këta njerëz të ulët i ndiqnin dhe kur atyre u kërkohej llogari, ata thoshin se kishin menduar se janë robëresha10. Kurani thotë: “E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh. O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues. Po nëse hipokritët dhe ata që kanë zemra të sëmura, dhe ata që përhapin gënjeshtra në Medine, nuk ndalen, Ne do të bëjmë që ti të dominosh mbi ta e pastaj ata nuk do të jenë fqinj me ty në të, vetëm një kohë të shkurtër. (Do të jenë) Të mallkuar, kudo që të ndeshen, do të kapen dhe do të mbyten”. (33:58-61) 

Është e qartë nga fjalët en ju'refne fela ju'dhejne dhe konteksti në të cilin u përdorën se urdhri i përmendur në ajetin e mësipërm nuk ishte i përhershëm. Ai ishte një masë e përkohshme për t'i mbrojtur myslimanet nga ligësia e njerëzve të këqij. Për arsye të ngjashme profeti (a.s) ua ndaloi grave myslimane të udhëtojnë vetëm në udhëtime të gjata dhe të ecin nëpër rrugë ku ka shumë burra.11 Si pasojë nëse gratë myslimane sot përballen me rrethana të ngjashme, ato mund të marrin të njëjtën masë që të dallohen nga të tjerat. 

Surja përmend gjithashtu dhe disa direktiva të caktuara, që janë specifike për profetin Muhamed (a.s) dhe kapacitetin e tij si i dërguari i Allahut. Ato nuk kanë lidhje me njerëz të tjerë, megjithatë përderisa disa dijetarë e kanë zgjeruar sferën e tyre të zbatimit për gjithë myslimanët, shpjegimi i tyre këtu duket me vend. 

Një shqyrtim i përmbajtjes së sures nxjerr në pah faktin, se kur hipokritët dhe njerëzit e ligj të përmendur më lart, nisën një fushatë për të skandalizuar jetën private të grave të profetit (a.s), për të bërë që njerëzit e zakonshëm t'u kundërviheshin atyre dhe për të dëmtuar mendimin e përgjithshëm të Islamit dhe myslimanëve, i Plotfuqishmi mori disa masa të caktuara për ta penguar këtë ligësi: Së pari, ai u dha grave të profetit mundësinë që të largoheshin nga ai dhe të jetonin si myslimanet e zakonshme, të shijonin luksin dhe rehatinë, apo të vendosnin dhe një herë të qëndronin me profetin (a.s). Atëherë ato duhej ta kuptonin, se statusi si gra të tij kishte shumë përgjegjësi. Ato nuk janë si gratë e tjera, ato janë si nënat e besimtarëve. Prandaj nëse ato i qëndrojnë besnike Allahut dhe profetit (a.s) dhe bëjnë vepra të mira me sinqeritet të plotë, ato do të marrin një shpërblim të dyfishtë. Përndryshe nëse ato bëjnë një mëkat, ato do të marrin dënim të dyfishtë në krahasim me gratë e tjera. Pastrimi i brendshëm është përtej dyshimit, megjithatë i Plotfuqishmi do gjithashtu t'i pastrojë moralisht në sy të njerëzve, në mënyrë që askujt të mos i jepet mundësia të thotë fjalë të këqija për karakterin e tyre. Ato duhet t'i përvetësojnë disa gjëra të caktuara në jetën e tyre të përditshme për ta arritur këtë pastërti. 

Së pari nëse i frikësohen Allahut të Plotfuqishëm, ato nuk duhet të tregohen të dashura dhe të sjellshme kur flasin me këdo që hyn në shtëpinë e tyre. Edhe pse në rrethana normale, duhet të tregohemi të dashur dhe të butë kur flasim me të tjerët, por me rrethanat me të cilat po përballeshin gratë e profetit (a.s) një qëndrim i tillë do t'u jepte guxim njerëzve të ligj rreth tyre dhe t'i shfrytëzonin ato. Një qëndrim i tillë i mirësjelljes do t'u krijonte pritjen e suksesit në misionin e tyre – misionin e nxitjes së ligësisë në zemrat e njerëzve. Prandaj nëse duhej të flisnin me njerëz të tillë, ato duhej të flisnin me tone të thjeshta dhe të qarta, në mënyrë që ata të cilët ato po u drejtoheshin, ta kuptonin se nuk mund ta arrinin objektivin e tyre. Kurani thotë: “O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni fjalë të matura”. (33:32) 

Së dyti ato duhet të rrinin në shtëpi në mënyrë që të mbronin pozitën dhe statusin e tyre. Qëndrimi i tyre dhe mënyra e sjelljes duhet të ishin në përputhje me statusin që u kishte dhënë Allahu. Prandaj nëse atyre u duhej të dilnin, nëse kishin nevojë, ato nuk duhet të shfaqnin stolitë e tyre. Statusi dhe përgjegjësia e tyre kërkonte që ato të qëndronin në shtëpitë e tyre, të luteshin dhe të shpenzojnë në rrugën e Allahut sa të mundeshin dhe me sinqeritet të plotë ta kalonin kohën duke iu bindur Allahut dhe profetit (a.s). Megjithatë, nëse për shkak të një nevoje të pashmangshme, u duhej të dilnin nga shtëpia, duhet ta bënin këtë në mënyrën më të përshtatshme, duke u bërë shembuj të kulturës dhe traditës së myslimanëve dhe duke mos i lejuar hipokritët të flisnin keq për to: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zekatin dhe respektojeni Allahun dhe të dërguarin e Tij. Allahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj”. (33:33) 

Së treti ato duhet të përpiqeshin t'ua komunikonin njerëzve, të cilët i vizitonin, vargjet e Kuranit si dhe besimet dhe mësimet morale të Islamit dhe të mos merreshin me përgojime. Zoti i ka zgjedhur ato për këtë objektiv. Qëllimi i jetës është përhapja e mesazhit të Islamit dhe jo kënaqja me luksin e kësaj bote: “E, përkujtojeni atë nga ajetet e Allahut dhe rregullat e fesë që po u lexohen në shtëpitë tuaja; vërtet Allahu është i kujdesshëm dhe i njohur hollësisht për çdo gjë”. (33:34) 

Edhe pas këtyre masave, njerëzit e ligj nuk panë rrugën e tyre. Si pasojë, i Plotfuqishmi u dha myslimanëve disa udhëzime, të cilat duhej të ndiqeshin me rreptësi. 

Myslimanëve iu bë e ditur, se asnjeri nuk duhej të hynte në shtëpinë e profetit (a.s), nëse nuk u kërkohej një gjë e tillë. Nëse njerëzit ftoheshin për të ngrënë në shtëpinë e profetit (a.s), duhet të shkonin pikërisht në kohën e ngrënies. Pastaj duhej të largoheshin menjëherë dhe nuk duhej të vazhdonin të flisnin me njëri-tjetrin. 

Gratë e profetit (a.s) duhej të veçoheshin nga myslimanët përveç të afërmve të tyre dhe të njohurve. Ai që donte diçka nga vendet e tyre duhej ta kërkonte pas një perdeje. 

Gratë e profetit (a.s) janë nënat e besimtarëve. Ata hipokritë të cilët kanë dëshirë të martohen me to duhet ta dinë se edhe pas vdekjes së profetit (a.s) nuk mund të martohen me ta. Si pasojë çdo besimtar duhet t'i nderojë dhe t'i respektojë ashtu si nderon dhe respekton nënën e tij. Profeti (a.s) shqetësohej shumë nga qëndrimet e gabuara të njerëzve të ligj. Ata duhet ta dinë se mërzitja e profetit (a.s) nuk është gjë e vogël. Njeriu mund të japë një justifikim për sjelljen e tij të gabuar në këtë botë, por nuk do të jetë i suksesshëm për ta justifikuar atë para Zotit të botëve, i Cili e di se çfarë ka njeriu në zemër: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush; Allahu nuk i turpërohet realitetit. E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk u takon ta mundoni të dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek Allahu mëkat i madh. E shprehët ju haptazi ose fshehtazi ndonjë send, s’ka dyshim se Allahu çdo send e di. Nuk është mëkat për ato (gratë të jenë të pambuluara) ndaj etërve të tyre, as ndaj djemve të tyre, as ndaj vëllezërve të tyre, as ndaj djemve të vëllezërve të tyre, as ndaj djemve të motrave të tyre, as ndaj grave të tyre, e as ndaj robëreshave të tyre. E, frikësohuni (o ju gra) Allahut, Allahu është pranë çdo sendi”. (33:53-55) 

Referenca 

1. Buhari: No. 6245 

2. Buhari: No. 6241 

3. Buhari: No. 6343 

4. Ebu Da’ud: No. 2149 

5. Muslim: No. 2159 

6. Buhari: No. 1513 

7. Zamakhshari, Kashshaff, 1st ed., vol. 3, (Bejrut: Dar al-Ahya al-Turath al-‘Arabi, 1997), p. 236 

8. Ebu Da’ud: No. 7143 

9. Amin Ahsan Islahi, Tadabbur-i-Qur’an, 4th ed., vol. 5, (Lahore: Faran Foundation, 1991), p. 398 

10. Ibn Kethir, Tafsir al-Qur’an al-Adhim, vol. 3, (Bejrut: Daru’l-Ahya ëa al-Turath al-‘Arabi, 1969), p. 518 / Zamakhshari, Kashshaff, 1st ed., vol. 3, (Bejrut: Dar al-Ahya al-Turath al-‘Arabi, 1997), p. 569 

11. Buhari: No. 1088 / Ebu Da’ud: No. 5272

 

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free