Arti i stisjes së problemeve bashkëshortore
Burri, e kishte bërë traditë dhe e shijonte në maksimum një mëngjes me vezë. Sakaq, Zoti i kishte dhënë një grua të fisme dhe të mirë, e cila preferonte t’ia bëjë qejfin me gjithçka të mundej.
Që ditët e para bashkëshortore, e shoqja kishte vendosur që mëngjesin t’ia shoqëronte me një kokërr vezë. Nga frika se mos të shoqit do i mërzitet veza çdo ditë, ajo vendosi që një ditë t’ia ofrojë të skuqur dhe ditën tjetër të zier. Me këtë, ajo donte të fitojë kënaqësinë e të shoqit. Por, ndonjëherë erërat fryjnë në drejtim të kundërt me atë që dëshirojnë marinarët.
Sa herë që gruaja i ofronte një vezë të zier, burri irritohej, e shante dhe bënte hatanë, duke shfryrë dhe bërtitur:”Unë sot e doja të skuqur.” Kur e shoqja ia ofronte të skuqur, ai sërish mallkonte dhe shante, duke thënë se e donte të zier.
E shoqja, e mendoi gjatë këtë çështje dhe më në fund arriti në një zgjidhje, e cila iu duk tepër bindëse dhe efikase. Kështu, ajo do i jepte fund problemit të mëngjesit dhe do e lumturonte më në fund të shoqin. Me vete, ajo mendoi:”E gjeta zgjidhjen! E gjeta zgjidhjen!”
Të nesërmen, me tu zgjuar, përgatiti mëngjesin e të shoqit dhe bashkë me të tjerat, kishte sjellë dy pjata shtesë, në njërën vezë të skuqur dhe në tjetrën vezë të zier. Ajo ishte e sigurt se i shoqi do e falënderonte për mundin dhe zgjidhjen e problemit të përditshëm.
Burri u xhindos fare nga ajo që i panë sytë, madje u zemërua edhe më shumë se ditët e tjera. Ai ia plasi në fytyrë duke i thënë:”Moj dritëshkurtër dhe injorante! Moj që ç’të të them!” Dhe vazhdoi me sharje dhe ofendime, ndërkohë që e shoqja e shihte e heshtur, në pritje të shkakut të atij shpërthimi të papritur. Pasi kishte radhitur një sërë ofendimesh, britmash dhe ulërimash, ai i tha:”Si moj je kaq e trashë?! Si moj ke zier vezën që duhej të skuqje dhe ke skuqur vezën që duhej të zieje?! Çfarë është kjo tragjedi që më ngjet mua kështu?!”
Morali:
Ka njerëz të cilët demonstrojnë kokëfortësi me familjarët e tyre dhe sillen me ta si diktatorë. Ata insistojnë në të tyren, edhe pse e kanë gabim. Kështu, ata humbasin dashurinë e njerëzve që i rrethojnë për shkak të kokëfortësisë. Tregohu mirënjohës me njerëzit që duan të kënaqin dhe ta bëjnë qejfin me çdo mënyrë! Falënderoji dhe ji mirënjohës për atë që bëjnë për ty!