PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Drejtuar femrës

Falënderimi i takon All- llahut (xh. sh), I Cili thotë: "O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre"[2] dhe "Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia".[3]

   Meqenëse femra është e respektuar në legjislacionin hyjnor, në gojë të Profetit (a.s): "Kujdesuni mirë për gratë"[4], e pashë si detyrë, ta veçoj atë me këshillën time, për kryerjen e të drejtës së saj legjitimore dhe shoqërore, që femra të realizojë detyrën e saj jetësore, e rrethuar nga çdo nderim, respekt, krenari e lartësim.

 

   Motra ime femër, qofsh nënë, motër, bijë apo grua:

   Dije me plot bindje, se Islami është interesuar për ty në mënyrë maksimale, gjë që as burri s'e ka arritur ndonjëherë!

   Islami të ka lartësuar ty në Kur'anin e Madhërueshëm, saqë të ka veçuar ty, ndër suret e gjata të tij, një sure vetëm me emrin tënd dhe për të drejtat e tua e quajti atë suretun- Nisaë (surja e Grave), ndërsa ndër suret e mesme të veçoi me një tjetër sure, për të drejtat e femrës, sigurimin e fisnikërisë së saj dhe ruajtjen e vendit të saj, që e quajti suretut- Talak (surja e Divorcit).

   All- llahu (xh. sh) zbriti edhe një sure, të cilën e quajti me emrin e gruas që debatonte[5] rreth të drejtave të gruas që shumë burra i injorojnë, ndërkohë që Kur'ani Famëlartë nuk përmend asnjë sure me emrin e burrit, sado e vogël qoftë ajo!

   Ndërsa vetë Profeti (a.s) e trupëzoi këtë fisnikëri të femrës në Islam, me fjalën dhe veprën e tij, pasi amaneti i tij i fundit ishte namazi dhe gruaja: "Po ju lë amanet të silleni mirë me gratë".[6]

   Për këtë, femra arriti të marrë respektin e Islamit, nëpërmjet Kur'anit dhe Traditës profetike.. Edhe unë, kontriboj në respektin e femrës, duke e këshilluar atë, me dëshirën që All- llahu (xh.sh) t'i sjellë dobi prej saj. Prandaj e filloj këshillën time me nënën e dashur.

 

   O ti nënë e dashur,

   Të këshilloj, pas kryerjes së obligimeve ndaj Zotit dhe pas dashurisë dhe përkushtimit ndaj Tij, përkujdesjen ndaj djemve dhe vajzave tua.

   Ji për ta ndihmësi më i mirë, pa përdorur metodat e dhunës e mbikqyrjes, as duke realizuar dëshirat e tua në edukimin e tyre!

   Vështroji fëmijët e tu si një enë e pastër boshe, e cila duhet mbushur me dashuri, mëshirë, ndjenja fisnike e mirësi... Ji e butë me ta sa janë të vegjël... Vëllazëroju me ta sa janë të rinj...

   Merr parasysh problemet e tyre kur të jenë pjekur... Në mënyrë që edhe ata të kthehen nga ti me butësinë që morën prej teje, me dashurinë me të cilën i ushqeve, mirësinë me të cilën i edukove... Kështu do të të respektojnë, duke e ndjerë veten përherë të mangët në këtë respekt e nderim, do të shpenzojnë për ty, duke e ndjerë se s'kanë bërë vetëm se minimumin, do të të shërbejnë ata dhe fëmijët e tyre, duke qenë të bindur se s'të kanë dhënë atë që ti meriton, as detyrimet më thjeshta ndaj teje...

 

   O ti nënë e mëshirshme,

   Në duart e tua edukimi, rritja dhe feja e fëmijëve të tu janë amanet, prandaj duhet të mbjellësh në frymën e tyre, që në vegjëli, respektimin e Bamirësit, kryerjen e obligimeve ndaj Dhuruesit dhe falënderimin e përhershëm ndaj Furnizuesit!

   Mbjell ndër ta sinqeritetin në fjalë e vepra, respektimin e të mëdhenjve, mëshirimin e të vegjëlve, bamirësinë ndaj gabuesve dhe drejtoi djemtë dhe vajzat e tua nga sjellja e mirë me motrat e vëllezërit e tyre, me fëmijët e komshive dhe me miqtë e failjes; të mëdhenj e të vegjël!

   Edukoji fëmijët e tu me bindjen ndaj mësimeve të pastra hyjnore, bëji që ta duan adhurimin, mësoju atyre namazin, stërviti me agjërimin e muajit të madhërueshëm, mësoji të duan dijetarët dhe njerëzit e mirë dhe zgjidhi atyre shokë të mirë, sepse fëmijët janë kopje e shokëve të tyre!

 

   O ti nënë e mirë

   Rregulloji marrëdhëniet e tua me fëmijët e tu, duke hequr ndjenjën e mbikqyrjes dhe të prezencës serioze ndaj tyre, duke u hapur atyre zemrën tënde dhe duke u sjellur me ta në mënyrë që të fitojnë besimin dhe qetësinë në ty, pasi vetëm kështu do të rrëfejnë sekretet e tyre, do të të shoqërojnë në hallet e tyre dhe do të të tregojnë dëshirat që kanë... Kështu që mos u bëj e shtrënguar ndaj tyre, as mos i shfaq atyre frikën, as ndikimin tënd nga problemet e tyre... Mos i prit me pesimizëm e refuzim, sepse do të humbasësh njohjen e sekreteve të tyre, e pas kësaj hallet e tyre do të jenë të fshehta për ty dhe do të të fshehin ëndrrat e tyre... Kështu, ata mund të prishen, pa e ditur as ti vetë, do të gabojnë, pa e mësuar, do të bëhen të këqinj, pa e ndjerë, pastaj do të të shfaqin respektin dhe edukatën në prezencë, por jashtë kësaj prej tyre do të dalin gabime e faje të pallogaritshme!

Kuptoju me ta me urtësi, ndreqi gabimet e tyre me fjalë të mira, ndriçoji mendimet e tyre me udhëzim dhe tregoju atyre shembujt e atyre që devijuan rrugën e drejtë dhe se çfarë gjetën dhe të atyre që me regorozitet ndoqën rrugën e drejtë dhe se si patën sukses dhe lumturi në jetë!

   Ruaji fëmijët e tu, veçanërisht vajzat e tua, duke u bërë kujdestare e punëve të tyre, e interesuar për ta, sikurse interesohesh për një fidan të vogël zambaku e trëndafili.    

   Vëzhgo me vëmendje sjelljet e vajzës tënde, kur del e kur kthehet... Mësoje atë të ruhet nga e keqja dhe të zotët e saj dhe tregoji për rezultatet e prishjes, shkatërrimit, humbjes dhe pendimit që shkakton e keqja... Mësoje atë që të mos shoqërohet me djemtë e rinj, sepse ata janë shkak dëfrimi e humbje kohe për të!

   Kujtoje për Zotin dhe për takimin me Të, mësoji t'i frikësohet Atij dhe bëje të dashurohet pas xhennetit Të Zotit, për të bindurit e të përkushtuarit!

   Kur, fëmijët e tu të arrijnë në moshën e martesës, kërko fenë për ta, para bukurisë, emrit të madh e pasurisë së vajzës. Pyet për nënën e vajzës, për fenë e saj, moralin dhe jetën e saj me të shoqin, e nëse është e rregullt e besimtare, atëherë pyet për të bijën; nëse ka veti të besimit, të moralit e të bindjes ndaj Zotit, atëherë ajo është një thesar në të cilin fshihet lumturia e plotë, e nëse i mungon ndonjë nga cilësitë e lartpërmendura, bela e vuajtje për të shoqin do të jetë, edhe nëse është gruaja më e bukur e më e pasur në botë! Dhe bindu, se pasuria dhe bukuria e saj, asnjëherë nuk mund të zëvendësojë atë që ajo ka humbur!

   E kur, vajza jote të jetë bërë e gatshme për martesë, zgjidh për të të riun besimtar e të ndershëm, i cili nëse do ta dashurojë do t'a nderojë, e nëse do ta urrejë nuk do ta korisë; i riu kërkues dhe punëtor me dëshirë për të fituar rizkun e tij hallall. Dhe ruaju se pyet për pasurinë, punët dhe ato që zotëron, pasi martesa është bashkim bipolar, jo shitblerje. E nëse ti zgjedh pasurinë e djalit, atëherë dije se ke pëlqyer shitjen e vajzës tënde, e nëse gjenden pasuria me besimin, atëherë kjo është prej mirësive të All- llahut, të cilën ia jep kujt të dojë dhe dëgjo fjalën e Profetit (a.s), kur thotë: "Nëse ju vjen një person, që i pëlqeni fenë dhe moralin e tij, martojeni, pasi po nuk e bëtë do të bëhet fitne në tokë dhe prishje e madhe".[7]

   Sidoqoftë, duro në edukimin e fëmijëve të tu dhe bëju për ta një nënë e mëshirës, e butësisë dhe e dashurisë, nënë e qetësisë dhe e paqes, nënë e mirësisë dhe e fisnikërisë, për t'i dhënë shoqërisë dhuratën më të madhe e më të lartën dhunti: fëmijët e udhëzimit e të rrugës së drejtë, fëmijët e diturisë dhe të besimit, fëmijët e fisnikërisë e të triumfit, të zellit e të seriozitetit, për të qenë ndihmë dhe dorë për ty në pleqëri, thesar për ty pas vdekjes, pasi me ta të shtohen të mirat e tua dhe me ta të rriten shkallët dhe të rritet zëri, duke merituar mëshirën me çdo shikim drejt tyre!

 

   Pastaj, këshillën time e vazhdoj me motrën e dashur, shoqëruesen e mirë, të kuptueshmen, të butën, ndihmësen e ndershme...

   O ti, që nëna yte të ka shikuar si ndihmë të vetë  jetës...

   Ti që babai yt të ka konsideruar si vendin e shpresës së butësisë për vëllezërit e tu meshkuj dhe fundi i arritjes së ëndrrave...

   Ti që vëllezërit të konsideruan si shtëpi të sekreteve të tyre, mbartëse e halleve të tyre dhe lidhësja e dëshirave të tyre...

 

   O motër,

   Ti ke rolin më të madh në ndërtimin e familjes dhe formimin e saj, në gëzimet dhe hidhërimet e saj, pasi ti je nyja lidhëse në mes prindërve të tu, telefoni i komunikimit në mes vëllezërve të tu dhe transmetuesi i kërkesave të vëllezërve të tu të prindërit...    

   Prandaj, kuptoje mirë rolin tënd, duke e bërë zemrën tënde si një enë të mbyllur për çdo bisedë...

   Mos fol për çdo gjë që dëgjon, as mos transmeto çdo gjë që të transmetohet, por përzgjidhi mirë fjalët dhe thuaj vetëm atë që është e dobishme dhe fisnike, duke u munduar të afrosh këndvështrimet dhe realizo shpresat si të duash, pas një mendimi të gjatë!

 

   Ruaju, pastaj ruaju!

   Që të këputësh marrëdhëniet e tua me vëllanë tënd, pasi ai përherë ka nevojë për ty, as mos u largo nga motra jote, pasi ajo e ka të nevojshme këshillën tënde... Kjo, sepse ti në shtëpi je si një princeshë, ndërsa për nënën tënde si një ministre... Përmbi shpatullat e tua bie organizimi i çështjeve të shtëpisë, përmbi dijen dhe urtësinë tënde, qetësia dhe prehja ndërtojnë çadrat e tyre në çdo dhomë, prandaj mundohu me urtësinë e të mençurit dhe studjoji gjërat me mendjen e të urtit, organizo drejtimin e shtëpisë me kuptimin e të diturit, sepse kështu do të fitosh respektin e të gjithëve dhe do të arrish nga të gjithë pjesëtarët e familjes nderimin, pa marrë parasysh shpërblimin e madh të rezervuar për ty te Krijuesi yt.

 

   Pas kësaj, këshillën time e vazhdoj për vajzën studente a në shtëpi, duke i thënë:

   Dije moj bijë, se ti je shpresa e prindërve të tu, prehja e zemrave të tyre dhe qetësia e shpirtrave të tyre...

   Të shikojnë me syrin e butësisë sa je foshnje, ndërsa kur rritesh të shikojnë me syrin e respektit e nderimit, duke shikuar në ty ndërtuesen e brezave dhe nënën e së ardhmes, prandaj për këtë, për ty shpenzojnë çdo të shtrenjtë e të lirë... Të sheqerosin sa je e vogël, të zbukurojnë kur rritesh, zbukurohen me ty në vizita dhe të nderojnë sa më s'ka, prandaj, bija ime, ruaje nderin tënd, angazhohu me zellin tënd në mësime, puno dhe mundohu, mos mendo vetëm se për të ardhmen tënde që ke vizatuar e mendon dhe drejt së cilës vrapon! Ndërtoje atë që nga fillimi i jetës tënde, mbi baza të forta, pastaj forcoji ato me moral, ruajtje e fe dhe lartësoju në ndërtimin e lumturisë tënde duke vendosur tullat e frisnikërisë, turpit dhe drejtimit në jetë, në mënyrë që kjo ndërtesë të ngrihet e lartë pa asnjë defekt, strehuese e çdo fisnikërie!

   Dhe të jesh e bindur, bija ime, se çdo mirësi ka ziliqarët e saj, çdo e mirë ka prishësit e saj, çdo plotësi ka mangësuesit e saj... Lakuriqët e natës i vret ndriçimi i diellit, ndërsa bubaçët punojnë në errësirë!

   Ta dish, e dashura bija ime, se ka prej atyre që presin rastet për të të prishur e për të marrë nderin e ruajtjen tënde, siç ka prej atyre që fshihen pas shoqërisë tënde për prishur turpin tënd... Ka edhe prej atyre që fjalët dhe shprehjet e tyre janë të ulëta, por kur të takojnë fshihen e mbështillen që të të fitojnë e më pas të të largojnë nga rruga e drejtë e të hedhin në lumenjtë e pendesës, duke të përmendur shprehje sentimentale, pas së cilave vajzat e pafajshme bien pre, shprehje që i kanë bërë rrjetë për nderin e të pastrave dhe kurth për të ndershmet... Këta janë ujqërit që veshin lëkurën e deles dhe sillen me të për të zënë gjahun e tyre të pafajshëm, të cilit më pas i ngjeshin pjesën më të madhe të fajit...

   Dije moj bijë, se po të ishte i ndershëm, i pastër nuk do të të sillej vërdallë, por do të kish shkuar në shtëpinë tënde për t'u takuar me prindërit e tu, për të folur e komunikuar me ta, për kërkimin e dorës tënde, sipas rregullave të shënuara... Por, ai e kthen vajzën në një lojë, me të cilën luan e luan, derisa kur të ketë vendosur helmin e tij në të, e hedh tutje, duke u drejtuar te një tjetër...

   Prandaj, mos u bëj kufomë e të tjerëve, nga pastërtia e zemrës dhe shpirtit tënd, nga fshehja e gjëndjes tënde para nënës tënde dhe nga mos prezenca e këshilluesve të tu, sepse po të gjendej kush të këshillon, me të do të fitonte mbi ndjenjën e dashurisë tënde!

 

   Prandaj bija ime, merre prej meje këtë këshillë dhe mos e harro: Mos beso te asnjë i ri, sado që të jetë gjentil me ty, edhe nëse në te shikon shenjat e ndershmërisë, edhe nëse shikon shenjat e sexhdeve në mes të ballit të tij dhe shenjat e lotëve në faqet e tija.

   Mos ano nga asnjë i ri, sado i bukur që të jetë ai, edhe nëse shikon shkëlqimin hyjnor në sytë e tij, sepse shumë të rinj të përkushtueshëm janë prishur nga shejtani nëpërmes takimeve të fshehta...

   Dhe sa njerëzve të mirë u është prishur mirësia e tyre nga një shikim i vetëm...

 

   Bija ime,

   Kuptoje mirë se kush je ti!

   Ti, moj vajzë e re, je një xhevahir i shtrenjtë, një diamant i kushtueshëm dhe një smerald i rrallë, sado që do të vazhdosh të jesh në lidhësen e xhevahireve të shtrenjta në duar të atyre që vlerësojnë xhevahiret, sepse po ra në duart e atyre që tallen me të shtrenjtat, ata do ta tresin shtrenjtësinë e saj, do ta lirojnë çmimin e saj, do ta thyejnë e do ta coptojnë derisa të bëhet më e lirë se një copë e thyer xhami... Ndërsa, po qëndroi në lidhësen e saj, njerëzit që vlerësojnë të shtrenjtat do të vijnë te poseduesi i saj dhe do ta kërkojnë me çmimin e saj, duke e vlerësuar e nderuar përmbi kokat e tyre, kështu që do të krenohet dhe do të krenohen me të!

 

   Bija ime, ruaje nderin tënd, pastroje zërin tënd, nderoje familjen tënde, merru me studimet e tua, kryeji obligimet që ke ndaj Zotit tënd, frikësoju Atij dhe shtoje besimin duke iu ruajtur Zotërisë tënd, frikësoju para duarve të Krijuesit tënd, ec në mësimet e fesë tënde dhe kërko plotësimin me moralin tënd që të bëhesh me të drejtë një nënë edukuese e shoqërisë dhe burim i pastër i ndërtimit të brezave!

 

   Pastaj këshilla ime për ty, o grua e sinqertë dhe shoqëruese besnike!

   Për ty o shoqe e sinqertë, o dashuri e besnikërisë dhe mëshirë e pastërtisë...

   O prehje e zemrës dhe qetësim i shpirtit...

   Për ty o qetësi e mendjes, zvogëluese e halleve dhe zbutëse e mërzive...

   O sekret i sekreteve të zemrës, pushim i pushimit të dashurisë dhe dashuri e dashurisë së dashurisë...

   O ti që Zoti (xh.sh) të ka bërë derë të lumturisë së jetës, çelës i suksesit të burrit dhe nxitëse e realizimit të triumfit të trimave...

   O kasafortë e pasurive, ruajtëse e sekreteve dhe edukuese e fëmijëve...

   O ti që lapsa ime është e paaftë të përshkruajë nderimin dhe respektin që të ka dhënë Islami...

   Ti që për hatrin tënd, burrat kalojnë rreziqet dhe vrapojnë për të plotësuar shpresat e tua me çdo dëshirë...

   Ti je ajo që mban të riun në gji, pas ndarjes nga familja e tij, duke e rrethuar atë me gjithë dashurinë tënde  për ta lumturuar me familjen e tij...

   Ti je ajo që po dite të kryesh si duhet atë që të është ngarkuar, do të hapësh dyert e lumturive që kalojnë nga ti, e nëse do të lësh pas dore atë që të kërkohet do të flesh në fantazi dhe mbi shkumë, duke humbur në to të gjitha ëndrrat e shpresat e tua!

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free