PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Gruaja e mençur e përfiton burrin edhe nëse ai e urren

Nuk do të thotë asgjë, se mungesa e dashurisë së burrit ndaj gruas së tij nuk e krijon mundësinë për një dialog mirëkuptimi dhe lindjen e një dashurie të re nga fillimi.

Gruaja inteligjente di ta shfrytëzojë rastin, që pikëllimin e saj ta shndërrojë në ujitjen e pemës së dashurisë në mënyrë të shkëlqyeshme, kështu që nuk i dorëzohet heshtjes dhe rastësisë së kohës dhe nuk lejon që pikëllimi t’i hajë zemrën e saj, mirëpo prapë qëndron pyetja:

Si ta përfitoj zemrën e burrit tim?

Pikësëpari bëhu e kënaqur me fatin tënd dhe qëndro falënderuese ndaj Allahut, sepse kënaqësia me atë që ke është çelësi i lumturisë së dynjasë dhe ahiretit… po ashtu dije se Allahu të ka sprovuar me të, vallë a do ta falënderosh Allahun për caktimin e tij ndaj teje apo jo? Po ashtu mos harro, se ti shpërblehesh për durimin tënd me lejen e Allahut, sepse sprova jote që po jeton me një burrë, i cili nuk të do, pas kësaj mund të fshihen mirësi të ndryshme, të cilat ti ndoshta nuk i di. “Ndoshta ju urreni diçka e ajo është e mirë për ju.” (Bekare:216)

Dashuria

Bëhu optimiste përherë me ndjenjat e burrit tënd, bëje atë të ndjejë nevojë dhe dëshirë për ty, po ashtu këtë gjë bëje që ai të reagojë ndaj teje me dashuri, formo me të një gjuhë të përbashkët në shikim, i cili jep sinjale mirëkuptimi, kur ai të mos jetë afër teje ti atëherë lësho shi mbi të me letra dashurie, kështu që të formosh bindjen tek ai se ti vuan në pritje të tij, sepse dashuria sjell sinqeritet, prandaj qëndro çdoherë e sinqertë ndaj tij. Mos tradhto asnjëherë në jetën tënde bashkëshortore, ji besnike ndaj pasurisë së tij, kjo e bën atë që të besojë te ti, respektoje atë me urtësi e jo verbërisht. Po ashtu po të tregoj se dashuria dhe sinqeriteti sjellin dhuratë, për këtë arsye mundohu që burri yt ta shijojë fisnikërinë tënde dhe se ti në çdo çast nuk je koprrac me të, qoftë ajo me kohën tënde, ose me përpjekjen tënde, ose me pasurinë tënde për të. Kjo i jep atij të kuptojë, se ti sakrifikon çdo gjë për të, kjo po ashtu i dhuron atij besim ndaj teje, kështu që kundërpërgjigjja e tij ndaj teje është: Të dhuron çfarë t’i kërkosh.

Shpirti yt

Bëhu e drejtë dhe e besueshme me shpirt për të, bëhu shoqja e tij, bisedo me të në lidhje me punën dhe shqetësimet e tij, këto metoda ruaji, diskuto me të dhe mësohu t’i lexosh kërkesat e tij. Po ashtu mos e anashkalo pamjen tënde, pra kujdesu për bukurinë tënde se si dukesh, që ai të ndjejë se ti je e bukur vetëm për shkak të tij, ndërsa kur të dalësh jashtë kujdesu mirë për hixhabin dhe nikabin tënd… Mos e bëj atë tërheqës, joshës, sfidues, pra le të të shohë vetëm bashkëshorti yt në formën më të bukur që dëshiron ai dhe kur të dojë ai.

Ti je dikush

Merr përsipër çdoherë përgjegjësi, pa marrë parasysh a ndodh ndonjë problem apo jo, madje edhe kur të ndodhi problemi zgjidhe çdoherë atë në formën më të butë dhe më të mirë të mundshme, pra me urtësi, që burri yt të ndjejë se ti je shpëtimtarja e tij në situata të tensionuara. Me këtë gjest ai arrin të kuptojë, se nuk mund të ndërmarrë diçka pa ndihmën tënde. Edhe pse burri dëshiron që gruaja të marrë përgjegjësi kur te këtë nevojë ai për to, mirëpo prapë se prapë ti përpiqu që ai të ketë nevojë për ty, siç ka nevojë ai për banim, pra ti bëhu vendbanimi i tij. Mos kurse që ta ushqesh atë me strehim, bëhu nënë për të, dashuroje atë ashtu siç i do nëna fëmijët e vet, mundohu që ai ta kuptojë se ti me të vërtetë e do atë, se ti je e pasionuar ndaj tij dhe se nuk duron dot që atë ta kaplojë ndonjë fatkeqësi. Qëndro me të në çdo problem qoftë ai material apo shpirtëror. Kjo do ta bënte atë që të drejtohet kah ti dhe vetëm kah ti në çdo kohë dhe vështirësi.

Xheneti yt

“Burri yt është xheneti i kësaj bote”. Shijo sikur ai është gjëja më e rëndësishme për ty në këtë botë, po ashtu mos e ndjej asnjëherë se ndonjë njeri është më i vlefshëm për ty më shumë se burri yt, qoftë ai edhe djali apo babai yt. Kjo nuk do të thotë që ti të mos i respektosh prindërit e tu, mirëpo mos fut dikë në llogarinë e tij. Po ashtu duhet të arrish të kuptosh rëndësinë e tij në jetën tënde, çdoherë falënderoje atë për çdo gjë që ta ofron qoftë ajo edhe diçka e thjeshtë.

Pavarësia

Në të njëjtën kohë bëhu e pavarur, ki çdoherë qëndrimet e tua, personalitetin tënd të posaçëm, shpëtimin tënd specifik, kjo e bën atë që të të vlerësojë. Bëhu modeste çdoherë, mos flit çdoherë, e as e heshtur çdoherë, mos u bëj dëgjuese çdoherë, e as ajo që flet çdoherë, mos rri e zbukuruar çdoherë, e as mos e lër pas dore zbukurimin shpesh, ki kujdes mos të jesh dembele në gjëra që për të kanë rëndësi meqë shumica e burrave duan që gratë e tyre t’i shohin të natyrave të ndryshme, që ndryshojnë kohë pas kohe në çështje të ndryshme, e jo të natyrës së njëjtë. Prandaj burri nuk dëshiron të dëgjoj vazhdimisht fjalën: Ja ku jam, sepse një gjë të tillë e kërkon nga gruaja vetëm ai që nuk i zë besë gruas s vet.

10 gjëra që ia shkatërrojnë zemrën atij!

Dije se në qoftë se je e kundërta e asaj çfarë cekëm kjo mund të çojë që t’ia shkatërrosh zemrën burrit tënd, sepse një grua e cila nuk di se çfarë do nga burri i saj nxiton ta humbë atë, prandaj këshillat e mia për atë që shpejton të largohet nga burri i saj janë këto, pra, kujdes nga dukuritë negative si:

1. Idiotizmi: Mos mendo, sepse truri yt është i krijuar të mos lodhet, jepi atij një pushim.

2. Gënjeshtra: Gënjeje atë dhe fshih prej tij çdo gjë, bëje atë që të mos zëri besë asnjëherë.

3. Lodhja: Mos ndrysho nga vetja diçka, përqendrohu në çdo gjë që e ngushton burrin tënd.

4. Injoranca: Harro çdo lëvdatë që ke arritur ndaj tij dhe të tij, duke ndjekur çdoherë programet televizive për përgatitjen e ushqimeve dhe ato të filmave serik.

5. Harresa: Mos i kushto rëndësi burrit tënd mirëpo jepi përparësi më të madhe fëmijëve të tu dhe prindërve të tij.

6. Ftohtësia: Gjatë marrëdhënieve me të ofroi atij ndjenjën, se ti je si druri dhe mos i ofro atij harmoni dhe ngrohtësi asnjëherë (turp!... mos u bëj motor që punon për të!).

7. Inati: Mos e dëgjo, polemizo me të çdoherë, mos i zbato urdhrat e tij kurrë.

8. Pamja: Mos u shfaq para tij në shtëpi e bukur kurrë, sepse ai të ka martuar (s’ka nevojë përse), ha sa më shumë derisa të bëhesh si fuçi!

9. Mos respektimi: Poshtëroje çdoherë para familjes dhe fëmijëve të tij.

 10. Koprracia: Koprraci në ndjenja, si dhe koprraci në pasuri, kur ta shohësh burrin tënd në hall dhe ka nevojë për ndihmë materiale ose shpirtërore mos i jep rëndësi fare.

Dhe përfundimisht urime për divorcin e sigurt, sepse njëra prej tyre mjafton për të ardhur deri në divorc, e lëre më disa prej tyre! I përmenda këto cilësi të këqija të një gruaje, të cilat kanë si përfundim ndarjen apo përfundimin e martesës, ngaqë shumë nga gratë i përdorin këto gjëra dhe pastaj habiten, se pse burri i saj nuk e do më atë dhe rri larg saj. Prandaj gruaja inteligjente e do burrin e saj me sinqeritet, e nuk shtiret në dashurinë e saj, sepse burri i mençur e dallon dashurinë e vërtetë-reale e kur e kupton një gjë të tillë, ajo më vonë apo më herët do të reflektohet në sjelljen e tij ndaj saj.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an)