PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Si t'i kapërcejnë bashkëshortët problemet e pesë viteve të martesës

Banesa është një nga problemet e pesë viteve të para të martesës.Ilaçi i saj është durimi, ekonomizimi i shpenzimeve dhe dashuria.

 

 Në fillim të martesës, secili nga bashkëshortët mendon se është dhuratë nga Zoti për palën tjetër dhe, kur dëgjojnë për një problem apo kontradiktë midis dy bashkëshortëve të tjerë, habiten.Por, me kalimin e viteve ,pothuaj të njëjtat probleme ndodhin edhe me ta .Mosmarrëveshjet bashkëshortore shfaqen, ky është ligj i jetës.Sekreti qëndron në mënyrën se si të trajtohen këto probleme, me qëllim që jeta bashkëshortore të kthehet në një spektër të bukur shumëngjyrësh, me gjithë kontradiktat që ekzistojnë.

 

Le ta dijë gruaja,se çelësi i zemrës së bashkëshortit është i lidhur me harmoninë që do të krijojë ajo me nënën e tij.

 

 

Problemi: Ndryshimi i karaktereve Të qenurit tipa të ndryshëm personaliteti, shkakton shumë probleme midis bashkëshortëve.

 

Zgjidhja

 

1- Mos këmbëngulni për gjëra të vogla që janë shkaqe për kontradikta.

 

2- Të evitohet mërzitja nga ekzistenca e ndryshimeve në zakone dhe në karaktere.

 

3- Bashkëshortët të përqendrohen në gjërat e përbashkëta që kanë midis tyre.

 

4- Të përpiqen që të shfaqin vetitë më të mira kundrejt tjetrit.

 

5- Procesi i njohjes së partnerit nuk duhet të konsiderohet si sfidë, por punët duhen lënë të rrjedhin vetë në mënyrë natyrale.

 

6- Të jenë optimistë, në mënyrë që gjithnjë të presin sukses dhe jo dështime.

 

 

Problemi: Ndërhyrja e vjehrrës

 

Ndërhyrja e vjehrrës është më e madhe në këtë kohë, sepse lidhja nënë bir vazhdon të jetë ende e fortë.

 

Zgjidhja 1- Nusja duhet të tolerojë ndërhyrjet e vjehrrës dhe të flasë me qetësi, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme.

 

2- Respekti dhe dashuria e ndërsjellë midis nuses dhe vjehrrës e bën burrin të lumtur dhe të qetë.

 

3- Le ta dijë gruaja se çelësi i zemrës dhe i dashurisë së burrit të saj rri fshehur në zemrën e nënës së tij. Ndaj, kush dëshiron ta zotërojë burrin e vet, le të mbërrijë në zemrën e nënës së tij.

 

4- Moslajmërimi i familjes për problemet dhe mosmarrëveshjet intime mes bashkëshortëve.

 

 

Problemi: Mosinteresimi i burrit për gruan e tij

 

Mosinteresimi i burrit për gruan e tij ndodh kur ai nuk i vlerëson dhe nuk i respekton ndjenjat e saj, por mendon vetëm të përmbushë dëshirat e veta dhe të realizojë vetveten.

 

Zgjidhja:

 

1- Burri duhet ta dijë se shpërfillja e gruas bie në kundërshtim me Islamin, sepse Profeti Muhamed (a.s.), ka thënë: "Secili prej jush është përgjegjës për njerëzit që ka nën kujdes", prandaj ai duhet ta kuptojë këtë përgjegjësi të madhe që ka kundrejt gruas dhe familjes së tij.

 

2- Dialogu midis bashkëshortëve, shkëmbimi i mendimeve, besimi i ndërsjellë tek njëri-tjetri dhe ndarja e ndjenjave të përbashkëta largon shpërfilljen.

 

3- Gruaja duhet t'i flasë hapur burrit dhe të kuptojë shkaqet e neglizhencës së tij. Nëse nuk zgjidh gjë në këtë mënyrë duhet t'i drejtohet vetëm një specialisti, për t'u konsultuar.

 

4- Burri duhet ta konsiderojë gruan si shoqen e jetës së tij dhe jo thjesht për të plotësuar nevojat, për të mbajtur shtëpinë dhe fëmijët.Interesi kujdesi dëshira për të bashkëbiseduar nga ana e bashkëshortit, krijon tek ajo një ndjenjë stabiliteti, qetësi shpirtërore dhe kënaqësi.

 

 

Problemi: Dituria e pakët rreth marrëdhënieve bashkëshortore

 

Me këtë problem nënkuptohet mosnjohja e mënyrave të sjelljes gjatë marrëdhënieve intime midis bashkëshortëve.

 

Zgjidhja

 

1- Bashkëshortët duhet të flasin hapur me njëri-tjetrin për natyrën dhe përmasat e problemit.

 

2- Duhet përcaktuar shkaku i problemit, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për të. Kështu p.sh. nëse gruaja vuan nga depresioni, ajo duhet të vizitohet tek një mjek.

 

3- Nëse ajo bëhet nervoze para periodave, burri duhet ta kuptojë dhe ta mbështesë.

 

4- Në përgjithësi, bashkëshortët duhet të informohen, të marrin një kulturë më të gjerë në lidhje me këto çështje dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos kenë nevojë t'i drejtohen një pale të tretë.

 

5- Bashkëshortët duhet ta thonë ç'ndiejnë, në mënyrë që të bien dakord për zgjidhjen dhe mekanizmat e trajtimit të problemit.

 

 

Problemi: Shpenzimet e tepërta

 

Shpërdorimi i parave dhe i mosnjohjes së mënyrës për të kursyer, shpeshherë shkakton kontradikta midis bashkëshortëve.

 

Zgjidhja

 

Këto janë disa mënyra kursimi, që do të ndikojnë në përmirësimin e buxhetit shtëpiak:

 

1- Zbatimi i parimit të përparësive dhe renditjes së kërkesave sipas rëndësisë.

 

2- Diskutimi i përjavshëm me gratë për nevojat e tyre, duke përcaktuar cilat janë ato më parësore, në mënyrë që të shihet mundësia e kombinimit .

 

3- Kënaqja me gjërat që ndodhen, duke mos blerë plaçka me çmimet më të larta dhe duke mos krijuar nevoja të reja.

 

4- Të kuptuarit se Islami e ka ndaluar shpërdorimin dhe shpenzimet e tepërta, sepse Allahu (xh.sh.) ka thënë: "Hani e pini, por mos e teproni, sepse Ai nuk i do shpërdoruesit".

 

 

Problemi: Kontradikta familjare

 

Me kontradikta familjare nënkuptohen mosmarrëveshjet që ndodhin midis familjes së burrit dhe asaj të gruas për shkaqe të ndryshme, si dasma, festa, emri i fëmijës së lindur etj, gjë që ndikon në tendosjen e marrëdhënieve ndërmjet burrit dhe gruas.

 

Zgjidhja:

 

1- Mosinformimi i familjeve përkatëse për mosmarrëveshjet që lindin midis bashkëshortëve, për arsye se ato mund të shkaktojnë kontradikta midis dy familjeve.

 

2- Përpjekja e familjarëve për të toleruar ose për të mbyllur një sy për problemin, në mënyrë që ai të mos ndikojë negativisht në lidhjen bashkëshortore.

 

3- Familjet e të dy bashkëshortëve duhet të përpiqen maksimalisht që t'u vënë fre mosmarrëveshjeve dhe të merren vesh me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhjet e përshtatshme.

 

4- Parandalimi i kontradiktave familjare që ndikojnë në marrëdhëniet bashkëshortore. Nëse të dyja familjet kanë probleme me njëra-tjetrën, nëna ta nxisë vajzën që të të ketë marrëdhënie të mira me të shoqin, dhe jo ta bëjë që të largohet nga bashkëshorti familjeve dhe të largohet nga i shoqi.

 

 

Problemi: Streha bashkëshortore

 

Me këtë problem nënkuptohet mungesa e një banese të përshtatshme për çiftin dhe lëvizjet e shumta nga një apartament në tjetrin, gjë që shkakton një gjendje psikologjike të paqëndrueshme.

 

Zgjidhja:

 

Burri duhet të sigurojë një banesë të përshtatshme për gruan e vet, me prindërit e tij ose, më vete. Banesa duhet të ketë të gjitha mjetet dhe aksesorët që u nevojiten fëmijëve dhe gruas, me kusht që të jenë të përshtatshëm për të bërë një jetë bashkëshortore të qëndrueshme, të qetë dhe normale, siç thotë Allahu (xh.sh.): "Ato (gratë), sipas mundësisë suaj i vendosni në ndonjë vend ku banoni ju" (Et-Talak:6).Niveli I kushteve varion në bazë të mundësive ekonomike që ai ka. Bashkëshortët duhet ta caktojnë banesën ku do të jetojnë pasi të jenë menduar mirë rreth madhësisë së saj, rreth numrit të dhomave, etj. Kjo bëhet në mënyrë që të stabilizohen dhe të mos detyrohen të ndërrojnë shtëpi herë pas here. Nëse burri nuk i ka mundësitë financiare për të realizuar ato çka ëndërron gruaja e tij, duhet ta lajmërojë atë dhe t'i premtojë se kjo gjendje do të jetë e përkohshme, dhe se ai do të punojë për t'i siguruar asaj gjithçka që e bën të lumtur.

 

 

Problemi: Konflikti se kush është më dominant

 

Me këtë konflikt nënkuptojmë, përpjekjet e secilit prej bashkëshortëve në këtë kohë, për të evidentuar veten dhe personalitetin e tij, duke cënuar tjetrin.

 

Zgjidhja: Shumë nga bashkëshortët kujtojnë, se kanë të drejtën absolute për të vendosur dhe shohin se këtu shprehet fuqia e tyre. Ndërkohë, shumë gra mendojnë se administrimi i shtëpisë dhe edukimi i fëmijëve, duhet të jetë vetëm nën kontrollin e saj, dhe këtu shohin forcën e tyre. Ky mendim është i gabuar tek të dyja palët dhe mund të shkaktojë probleme pa fund. Disa nga zgjidhjet e kësaj situate po i japim si më poshtë:

 

1- Pjesëmarrja e përbashkët e bashkëshortëve në marrjen e vendimeve, ashtu siç ka vepruar i Dërguari i Allahut (a.s.) me gratë e veta dhe siç na urdhëron Allahu i madhëruar: "Këshillohu me ato për një çështje dhe, nëse vendos, mbështetju Allahut!"

 

2- Elasticiteti në marrëdhëniet midis bashkëshortëve, i cili është vela e bashkëveprimit. Pa elasticitet nuk do të ketë bashkëveprim.Pjesëmarrja e përbashkët i zgjidh çështjet dhe njëkohësisht e ruan familjen.

 

3- Me qëllim që ky konflikt të marrë nuance zbutëse, duhet që përgjegjësitë të ndahen midis bashkëshortëve me mirëkuptim. Kjo mund të ndikojë në bindjen e palës këmbëngulëse

 

 

Problemi: Shtrëngimi i përkohshëm i shpenzimeve

 

Me këtë problem nënkuptojmë uljen e sasisë së shpenzimeve për shtëpinë nga ana e burrit, me qëllim sigurimin e së ardhmes, gjë që mund të shkaktojë probleme financiare ndërmjet bashkëshortëve.

 

Zgjidhja:

 

1- Bashkëshortët duhet të bien dakord në pika të caktuara për të sistemuar përparësitë e shpenzimit, sepse nuk është e arsyeshme që të jetohet në një gjendje të vështirë materiale për të siguruar të ardhmen. Organizimi dhe sistemimi i nevojave parësore është i domosdoshëm për buxhetin familjar.

 

2- Burri duhet të shpenzojë për gruan dhe fëmijët, aq sa t'u sigurojë një jetesë normale dhe ndërkohë të kursejë nga rroga diçka për të ardhmen. Me planifikim të mirë dhe duke llogaritur buxhetin familjar problemi zgjidhet.

 

3- Bashkëbisedimi dhe mirëkuptimi midis bashkëshortëve evitojnë lindjen e problemeve. Nëse burri ia sqaron gruas arsyet e kursimit nuk do të lindin probleme.

 

 

Problemi: Gruaja nuk ka shumë kohë për burrin

 

Ndodh që gruaja interesohet shumë për fëmijët dhe nuk i kushton kohën e duhur burrit. Kjo dukuri e bën burrin xheloz, e mërzit atë dhe shkakton probleme midis bashkëshortëve.

 

Zgjidhja: 1- Gruaja duhet ta organizojë kohën e saj në mënyrë të tillë që t'i kushtojë një kohë të veçantë burrit të vet, të ulet me të, të dalë shëtitje me të, me qëllim që ai të ndjehet I vlerësuar.

 

2- Burri duhet ta ndihmojë herë pas here gruan e vet në kujdesin ndaj fëmijëve dhe të jetojë në mënyrë që ta kuptojë se kujdesi për fëmijët kërkon kohë, por nuk është e vërtetë se ai është i lënë pas dore.

 

 

Problemi: Dyshimi dhe xhelozia

 

Dyshimi dhe xhelozia janë të shpeshtë në vitet e para të jetës bashkëshortore dhe secili partner në një farë mënyre e ruan tjetrin.

 

Zgjidhja: Hapat që duhet të ndjekin bashkëshortët për të kapërcyer këtë problem janë:

 

1- Duhet të pyesësh veten se ç'të bën të dyshosh? A ke ndonjë gjë të prekshme apo jo?

 

2- Nëse nuk ke ndonjë gjë të prekshme, atëherë këto mendime negative janë rrjedhojë e ndonjë çrregullimi në personalitetin tënd, prandaj duhet të pyesësh veten:

 

- A e ke provuar një eksperiencë negative të ngjashme në familje kur ishe i vogël?

 

- A ke parë ndonjë film televiziv që tregon historinë e një tradhëtie?

 

- A ke lexuar ndonjë tregim tradhëtie?

 

- A ke dëgjuar nga ndonjë shok/shoqe për tradhëtinë bashkëshortore?

 

- Pyetjet e mësipërme kanë krijuar tek ty mendime negative.

 

- Mendimet negative prodhojnë dyshime dhe ndjenjë shqetësimi.

 

- Ndjenjat e dyshimit dhe të shqetësimit do të krijojnë një sjellje shkatërrimtare për familjen.

 

 

Dhjetë hapa për të larguar dyshimet nga jeta bashkëshortore:

 

1- Shmangia e mendimeve negative.

 

2- Besimi i ndërsjellë tek njëri-tjetri.

 

3- Sinqeriteti dhe transparenca në marrëdhënie bashkëshortore i largojnë dyshimet.

 

4- Ngushtimi i rrethit të kontradiktave bashkëshortore.

 

5- Ballafaqimi është metodë e shkëlqyer.

 

6- Mos e përdor metodën e fajësimit!

 

7- Shih nga këndvështrimi i tjetrit!

 

8- Mundohu t'i kuptosh shkaqet e sjelljes!

 

9- Mos e bëj të kaluarën terren për dyshime!

 

10- Beso tek vetja!

 

 

Për të shmangur xhelozinë në jetën bashkëshortore

 

1- Sinqeriteti dhe transparenca

 

2- Argumentimi mbi bazën e arsyes,llogjikës dhe gjakftohtësisë.

 

3- Moszgjidhja e problemit nga ana e burrit duke shkaktuar probleme të tjera.

 

4- Kur lindin ndjenjat e xhelozisë do të ishte shumë mirë sikur bashkëshortët të uleshin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre për këtë çështje, pa akuzuar, pa nërtitur dhe pa poshtëruar njëri-tjetrin.

 

 

Problemi: Vështirësia për të arritur harmoninë

 

Me këtë problem nënkuptojmë vështirësitë që ka çdo palë për t'u përshtatur me tjetrin.

 

Zgjidhja:

 

1- Karakterizimi I bashkëshortëve nga inteligjenca dhe shpirti i butë islam për të pranuar qortimet. Ta dijnë bashkëshortët se përsëritja e fjalëve si "më kupto, nuk e more vesh qëllimin tim, mundohu të më kuptosh", janë tregues të dëshirës për mirëkuptim.

 

2- Zgjedhja e temave të veçanta për diskutim nga politika, ekonomia, shoqëria, edukimi etj, që i jep mundësi gruas të zbulojë mënyrën e arsyetimit të burrit.Diskutimi i çështjeve duke përdorur shprehje si "jam dakord me mendimin tënd", "jam dakord me ty deri në një farë pike", "nuk jam dakord me ty në këtë pike

 

3- Po ashtu, duhet të ketë harmoni edhe në marrëdhëniet intime dhe, palët duhet të gjejnë mënyrën që ua plotëson më mirë këtë nevojë.

 

 

Problemi: Vonesa e lindjes

 

Me këtë problem nënkuptohet padurimi nga vonesa e lindjes dhe frika nga steriliteti.

 

Zgjidhja:

 

1- Bashkëshortët duhet ta dinë se vonesa e lindjes nuk do të thotë patjetër se ka sterilitet. Ajo është gjë shumë e zakonshme, për të cilën nuk duhet të shqetësohen. Bashkëshortët që nuk kanë jetë të ngarkuar dhe që nuk kanë fëmijë, nuk duhet të bëjnë kontroll mjekësor pa kaluar një vit nga një jetë e rregullt çifti e pandërprerë nga udhëtime të gjata të burrit ose nga shkaqe të tjera.

 

2- Disa këshilla për gruan: Ruaje peshën e përshtatshme, mos e pi duhanin, mos e neglizho dhimbjen në zonën e legenit, mos iu dorëzo ankthit dhe depresionit, por mundohu t'i kontrollosh këto gjendje.

 

 

Problemi: Përvoja e pakët në administrimin e përgjegjësive

 

Mungesa e përvojës për të administruar përgjegjësitë e reja të martesës është burim problemesh.

 

Zgjidhja: 1- Bashkëshortët duhet të informohen më shumë për përgjegjësitë e reja që i presin, duke lexuar për to nëpër libra, në internet etj.

 

2- Frekuentimi i seminareve dhe dëgjimi i kasetave që flasin për mënyrën e përmbushjes së këtyre përgjegjësive.

 

3- Përfitimi nga përvoja e njerëzve të afërm dhe e shoqërisë për pritjen e përgjegjësive të reja.

 

4- Trajnimi në praktimin e vazhdueshëm të këtyre përgjegjësive, derisa hap pas hapi të kthehen në rutinë.

 

5- Ta durojnë njëri-tjetrin, derisa të mësohen t'i kryejnë detyrat ashtu siç duhet.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an)