PER NJE MARTESE TE LUMTUR :)
Dhurojani bashkeshortes/it nje histori,keshille,kompliment nga kjo faqe:)

Studim:Cfare kerkon nje grua ?Vetem nje martese te begate

Studim britanik: Çfarë kërkon me të vërtetë një grua... një martesë të begatë

Përkundër pretendimeve feministe

 

Gruaja vazhdon ta konsiderojë martesën si alternativë të punës

 

“Çfarë kërkon në të vërtetë një grua?” Këtij misteri, të cilit nuk i kanë dhënë dot zgjidhje as filozofët, ka arritur t`i përgjigjet një studim i ri britanik, sipas të cilit gruaja nuk kërkon më shumë se një martesë të begatë.

Larg të gjithë pretendimeve të rrymave feministe, mbi dëshirën e femrës për pavarësi dhe nevojës për të qenë e zonja e vetes, studimi i përgatitur nga Katrin Hakim dhe i publikuar para disa ditësh, thekson se gruaja sot vazhdon ta ëndërrojë martesën me një person më të arsimuar dhe më të pasur se ajo. Kjo dëshirë femërore është më e fuqishme seç ka qenë në vitet dyzet të shekullit të kaluar.

Studimi është kryer nga Instituti i kërkimeve politike në Britani, me titull: ”Mashtrimet feministe dhe zgjidhja magjike. Mendimi i gabuar pas legjislacioneve për më shumë barazi”. Katrin rendit disa mashtrime dhe gënjeshtra, të cilat reklamohen nga mbështetësit e feminizmit.

 

Barazi formale

 

Pas shekujsh të mbushur me thirrje për barazi mes burrit dhe gruas, shohim që vetë gratë e sotme dëshirojnë t`i kthehen seriozisht jetës si amvisa shtëpie, duke ia lënë burrit misionin e sigurimit të jetesës. Kjo dëshirë e tyre është më e madhe se pasioni dhe dëshira për një jetë të suksesshme. Edhe pse kanë kaluar dyzet viteve plot përpjekje në rang ndërkombëtar, për ta forcuar barazinë në punë mes dy sekseve, ky studim i përbërë nga 52 faqe thekson, se dëshira e grave për t`u martuar me një burrë të pasur, vazhdon të mbetet ëndërr e tyre në shumicën e vendeve evropiane. Gruaja vazhdon ta konsiderojë martesën si alternativë të vendit të punës së saj.

Dr. Katrin na paraqet disa studime dhe sondazhe të kryera në dy shtete evropiane, të ndryshme nga njëri - tjetri si në kultura ashtu dhe në tradita, Spanja dhe Britania. Duke analizuar numrat, ajo zbuloi se në vitin 1949,

20 % e britanikeve dëshironin të martoheshin me një burrë më të arsimuar se ato. Sakaq, në fund të viteve nëntëdhjetë kjo shifër arriti tek 38 %-shi.

E njëjta gjë haset edhe në shtete të tjera perëndimore, si ato evropiane, Amerika dhe Australia, edhe pse shumë gra refuzojnë ta deklarojnë këtë dëshirë të tyre haptazi dhe publikisht. Sipas raportit të Katrin, gratë nuk duan ta pranojnë dëshirën e tyre të vërtetë për të qenë amvisa, edhe pse sondazhi zbuloi, se shumica e grave nuk e kundërshtojnë diçka të tillë.

 

Katrin i konsideron politikat e shanseve të barabarta, të suksesshme deri në një farë mase në Britaninë e Madhe, gjatë tridhjetë viteve të kaluara. Të ardhurat për familje janë rritur nga 324 stërlina në javë gjatë vitit 1970, në 552 stërlina në javë në vitin 2003. Sakaq, ka pësuar rënie mesatarja e lindjeve nga 2.37 në vitin 1970, në 1.78 në vitin 2004.

 

Mëmësia para profesionit

Në vitin 1970, djemtë përbënin dy të tretat e studentëve universitarë. Kurse me hyrjen e 2003, më shumë se gjysma e studentëve janë femra. Në vitin 1970, gjashtë nga dhjetë gra kishin një vend pune dhe profesion, kurse në vitin 2005 ata janë ngjitur një numër më lart, shtatë nga dhjetë. Kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së numrit të punëmarrëseve part-time. Kështu, një e treta e punonjëseve janë të punësuara me orar të plotë në disa shtete perëndimore. Por gjithmonë mbetet e konsiderueshme diferenca në paga mes dy gjinive, përveç Suedisë e cila ka mundur t`i japë fund kësaj diference.

Është vënë re gjithashtu, se gratë që punojnë, kontribuojnë vetëm me një të tretën e nevojave të familjes, ndërkohë që është burri ai, i cili siguron dhe kontribuon me dy të tretat e tjera. Veç kësaj, një përqindje e madhe e grave vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi për një kohë të gjatë pas lindjes, pa marrë parasysh nivelin arsimor. Shumica e tyre nuk mendojnë t`i kthehen sërish punës, derisa fëmija të ketë mbushur tre vjeç e gjysmë. Vetëm një nga nëntë nëna kanë zgjedhur të kthehen në punë me orar të plotë, pasi fëmija të ketë mbushur tre vjeç e gjysmë. Vetëm një nënë nga dhjetë ka vazhduar punën me orar të plotë, pasi fëmija ka mbushur njëmbëdhjetë vjeç.

Padyshim që këto ndryshime në lidhje me punën e gruas, janë kritikuar nga feministët, akademikët dhe politikanët, të cilët insistojnë se kodet ligjore akoma janë të pamjaftueshme për të vendosur barazinë mes dy gjinive. Mënyra e punësimit dhe llojet e punëve tek të diplomuarit nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të madh. Sipas raportit të “The Economist” të Marsit 2010 thuhet, se gjashtëmbëdhjetë vite pas diplomimit, gjysma e nënave vazhdojnë të punojnë me orar të plotë, çereku i tyre me orar të pjesshëm dhe çereku tjetër preferojnë mëmësinë ose të punojnë si dado me orar të plotë.

 

12 mite feministe

Dr. Katrin thotë se studimin e parë rreth miteve feministe e ka realizuar në vitin 1995, gjë e cila shkaktoi debate të ashpra mes sociologëve, akademikëve dhe ekonomistëve.

Për fat të keq, ideologjia feministe vazhdon të predominojë opinionin rreth rolit të gruas në punë, familje dhe në politikat e familjes.

Këto mite reklamohen herë pas here, duke i portretizuar gratë si viktima të burrave, madje si viktima të gjithë shoqërisë, duke u orvatur të vërtetojnë, se politikat e barazisë mes dy gjinive nuk janë të dobishme vetëm për gratë, por ushtrojnë ndikim pozitiv në familje, institucione dhe në të gjithë shoqërinë. Ekzistojnë me dhjetëra mite të reja feministe, të cilat nuk kanë asnjë bazë dhe themel të fortë. Pesë prej tyre të monitoruara nga vetë dr Katrin që nga viti 1995, janë bërë objekt debatesh në qarqet akademike dhe mediatike. Megjithatë në studimin e fundit, dr Katrin na ofron dymbëdhjetë mite feministe. Ato janë:

 

Miti i parë: Dështimi i politikave për shanse të barabarta. Sipas dr Katrin, këto politika jo vetëm që nuk kanë dështuar, por kanë shënuar sukses të lartë, duke ulur diferencën e rrogave mes burrave dhe grave nga 29 % në vitin 1975, në 10-16 % në ditët tona.

Miti i dytë: Politikat e barazimit mes dy gjinive nuk janë aktive. Dr. Katrin beson, se disa njerëz pretendojnë, që diskriminimi mes dy gjinive është shkaku i diferencimit në rroga. Në fakt kjo nuk është e vërtetë, pasi indikatorët tregojnë, se rrogat më të ulëta të grave hasen kryesisht në ato vende, ku krahu i punës është i përzier nga dy gjinitë.

Miti i tretë: Diskriminimi profesional mes dy gjinive i ka dëmtuar politikat e barazisë. Ky diskriminim është horizontal, kur gratë pranojnë profesione, që nuk preferohen nga burrat, siç janë gatimi dhe infermieria. Diskriminimi është vertikal, kur ato zgjedhin profesione me rrogë më të ulët. Sipas disa studimeve, vetëm një pakicë femrash kanë ambicie për profesione si inxhiniere apo ushtarake, ndërkohë që vetëm një pakicë burrash kanë zgjedhur profesionin e mësimdhënies në kopshte dhe fushën e kozmetikës. Sipas dr Katrin, diskriminimi horizontal është i natyrshëm, kurse ai vertikal shkaktohet nga disa faktorë stimulues, por që nuk ka të bëjë fare me politikat dhe rregulloret.

Miti i katërt: Politikat e shteteve skandinave ia kanë arritur qëllimit në barazinë mes dy gjinive. Ndërkohë që dr Katrin thekson, se studimet kanë vërtetuar të kundërtën, pasi diskriminimi profesional në shtetet veriore është shumë herë më i lartë sesa në shtetet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim në vendet aziatike si: Kina, Hong- kongu, Japonia, Malajzia, madje edhe se Egjipti.

Miti i pestë: Progresi social dhe ekonomik kontribuojnë në barazinë mes dy gjinive. Sakaq, studimet kanë treguar, se diskriminimi profesional është në nivelet më të ulëta në shtetet me të ardhura të pakta dhe ka shënuar rritje në shtetet e zhvilluara dhe të pasura ekonomikisht.

Miti i gjashtë: Rritja e vendeve të punës për gratë ndikon në forcimin e barazisë mes dy gjinive. Por rezultatet e publikuara nga Organizata Botërore e Punës dhe disa studime akademike pohojnë, se rritja e vendeve të punës për gratë çon në pabarazi mes dy gjinive. Shumë shtete evropiane kanë dështuar në barazinë mes dy gjinive, duke shtuar ndjeshëm vendet e punës për gratë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shtetet e ish Bashkimit Sovjetik dhe Izrael. Këto studime kanë vërtetuar, se sa më shumë të shtohet krahu i punës nga femrat, aq më shumë rritet pabarazia mes dy gjinive.

Miti i shtatë: Mundësimi i gruas për arsim sa më të lartë, ndryshon për mirë gjithçka, pasi i mundëson gruas ekuilibrin mes punës dhe familjes. Veçse studimet pohojnë të kundërtën, pasi diferenca në rroga rritet më shumë në ato shtete, të cilat kanë garantuar mesatare të larta në arsimimin e femrës. Ka edhe faktorë të tjerë për interpretimin e dallimeve mes dy gjinive si: Orët e punës, llojet e punëve që preferojnë gratë dhe që nuk kanë të bëjnë me gjininë, diskriminimin racor dhe nivelin arsimor.

Miti i tetë: Burrat dhe gratë nuk dallojnë në orientimet profesionale, vlerat dhe qëllimet në jetë. Megjithatë, shumë studime kanë vërtetuar të kundërtën. Aftësitë e grave për të negociuar për paga më të larta dhe përmirësimin e kushteve të punës, janë shumë herë më të vogla se aftësitë e burrave për të njëjtat çështje. Gjithashtu motivet e punës për gratë ndryshojnë nga ato të burrave. Ndërkohë që burrat fokusohen kryesisht tek të ardhurat, motivet e grave kanë si qëllim edhe zhvillimin e personalitetit dhe vetë aktualizimin, gjë e cila ndikon në përcaktimin e prioriteteve tek secili.

Miti i nëntë: Gruaja preferon ta sigurojë vetë jetesën dhe e urren vartësinë nga burri. Por dr Katrin thekson, se shumica e grave e shohin martesën si një plan alternativ për përmirësimin e të ardhurave dhe të jetesës.

Miti i dhjetë: Politikat mike të familjes janë të domosdoshme për eliminimin e dallimeve mes dy gjinive. Një ndër këto politika për shembull është ajo e zgjatjes së pushimit të lindjes. Megjithatë studimet kanë vërtetuar, se politika të tilla, jo që nuk i kanë eliminuar dallimet mes dy gjinive, por i kanë rritur ato, në ato shtete që kanë sanksionuar ligje të ngjashme.

Miti i njëmbëdhjetë: Politikat mike të familjes, shtojnë të ardhurat e kompanive. Por studimet e kryera nuk e kanë vërtetuar diçka të tillë, pasi nuk kanë siguruar të ardhura më të shumta për ato kompani, që praktikojnë orë pune fleksible për gratë, ose ato që i kanë shtuar pushimet e lindjeve.

Miti i dymbëdhjetë: Gruaja ka një stil administrativ të ndryshëm nga burri, pasi është më elastike dhe më bashkëpunuese. Veçse studimet pohojnë, se nuk ka dallime të qarta mes dy gjinive, lidhur me administrimin.

 

Katrin Hakim është sociologe britanike dhe studiuese e kësaj fushe në fakultetin ekonomik të Londrës. Ajo është gjashtëdhjetë e dy vjeçe. Studimet e saj janë të fokusuara në çështjet e tregut të punës, të gruas dhe metodat kërkimore. Ajo është bërë e njohur për kritikat, që ua adreson hipotezave feministe rreth punës së gruas.

'' Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë."(Kur'an) This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free